Kompania telefonike Z-Mobile, ka reaguar pasi Telekomi nuk e ka vazhduar kontratën sipas kushteve të parapara në marrëveshjen mes dy kompanive.
Në një njoftim për media, thuhet se Z-Mobile, me kujdes e ka vëzhguar situatën lidhur me përfundimin, respektivisht vazhdimin e kontratës me Telekomin e Kosovës, sipas kushteve të parapara në marrëveshjen bazë dhe për këto arsye nuk ka bërë deklarime publike, duke dashur t’i përmbahet obligimit që palët të negociojnë në mirëbesim.
Z-Mobile thotë se deklarimet e Telekomit të Kosovës se kanë zhvilluar negociata në mirëbesim për vazhdimin e kontratës me Z Mobile nuk besojmë që janë të sinqerta.
Sipas tyre, që nga fillimi i kësaj periudhe, Telekomi nuk ka dashur të arrijë marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Z Mobile dhe për këtë fakte ekzistojnë dëshmi të shumta me shkrim, si dhe me paraqitjet e përfaqësuesve të Telekomit nëpër media.
“Telekomi e ka pasur për obligim ligjor që negociatat t’i zhvillojë në mirëbesim për arritjen e marrëveshjes komerciale me Z Mobile, por ka bërë çdo veprim që të mos arrihet një marrëveshje. Vazhdimi i kësaj kontrate ka qene në dobi të Telekomit, të konsumatorëve të Kosovës dhe zhvillimit të një tregu cilësor dhe konkurrent. Telekomi, duke vepruar në kundërshtim me obligimin për mirëbesim, ka zhvilluar kampanjë publike për devalvimin e bashkëpunimit komercial me Z Mobile, gjë që nuk e kemi pritur. Megjithatë, ne besojmë që këto veprime të Telekomit nuk i sjellin asnjë dobi as Telekomit as tregut te telekomunikacionit ne Kosove”, thuhet në njoftim.
Z-Mobile paralajmëron arbitrazh ndaj Telekomit.
“Në situatën e tillë, Z Mobile, duke u vënë para aktit të kryer për shkak të mosbashkëpunimit të partnerit, i mbetet pak mundësi të zgjidhjes përveçse ndjekjes së rrugëve ligjore, duke mos përjashtuar inicim të procedurës se arbitrazhit ndaj Telekomit”
Gjithashtu, nga deklarimet, kemi vërejtur se Telekomi synon ta bëjë edhe një veprim tjetër kundërligjor, marrjen e numrave dhe konsumatorëve të Z Mobile, duke e quajtur “periudhë transicioni”. Kjo është shumë e çuditshme, për shkak se edhe Telekomi e di se numrat e Z Mobile janë pronë e kësaj kompanie dhe ato nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër, as publike as private. Veprimet e tilla eventuale janë arbitrare dhe do te kenë konsekuenca juridike”.
“Z Mobile është kompani e përgjegjshme dhe do të bëjë zgjidhje për konsumatorët e saj, duke shfrytëzuar deri ne fund të gjitha mundësitë ligjore. Ne i falënderojmë konsumatorët tanë për besnikërinë dhe i njoftojmë se nuk ka hapësirë për shqetësim, e as për të rënë nën ndikimin e fushatës publike kundër një kompanie private ushtruar nga Telekomi dhe aksionarët e saj, thuhet në njoftim.
Kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri Berisha, të martën njoftoi se kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet.
Ajo ka thënë shkëputja e kontratës ka ardhur si pasojë e mos arritjes së marrëveshjes për vazhdim pas gjashtë muajsh negociata.
“Bordi i drejtorëve njofton se pas një periudhe 6 mujore nuk kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot, Kryeshefi Ekzekutiv ka dërguar njoftim me vendim të Bordit për shpallje të pasuksesshme, për përfundim të kontratës me Z Mobile nga data 31 korrik”, ka thënë Shatri Berisha.
Edhe ARKEP-i reagon pas shkëputjes së kontratës së Telekomit me Z-Mobile
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), njofton opinionin se në lidhje me procesin e shkëputjes së kontratës ndërmjet operatorit Telekomi i Kosovës dhe operatorit Dardafon.net “Z-Mobile”, është njoftuar dje zyrtarisht nga Telekomi i Kosovës.
Përmes një kumtese për media, thotë se marrëdhëniet ndërmjet operatorëve të rrjetit dhe operatorëve virtual aktualisht në Kosovë janë të lejuara me marrëveshje komerciale.
“Në njoftimin e vet, Telekomi i Kosovës është zotuar se në pajtim me kushtet kontraktuale komerciale do të aplikoj një periudhe tranzitore në funksion të mbrojtjes së të konsumatorëve për mos ndërprerje të shërbimit. ARKEP është duke analizuar situatën e krijuar dhe në pajtueshmëri me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi do të ndërmarrë veprime rregullative nëse një gjë e tillë është e nevojshme në ditët në vijim, pas sqarimeve të pranuara nga palët në proces”, thuhet në kumtesë.
Poashtu, thuhet tutje në njoftim, “sqarojmë opinionin publik se në bazë të ligjit për komunikimet elektronike, Autoriteti në punën dhe në marrjen e vendimeve të veta është i pavarur nga çdo palë tjetër dhe se ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e duhur ligjor me qëllim që mbrojtjes së të drejtave të përdoruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Kosovës”.
Dje pas shkëputjes së kontratës së Telekomit me Z-Mobile, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha se të gjithë konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e Dardafon (Z-Mobile) “të mos bien në panikë”, sepse në bashkëpunim në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) po punohet edhe drejt fazës së tranzicionit që do të zgjasë nga 30 deri 120 ditë.
https://www.monitor.al/merr-fund/
Gjatë ditës së djeshme, Autoritetit Rregullativ (ARKEP) gjithashtu i është bërë thirrje që sa më parë të ndërmarrë veprimet që 300 mijë numrat në përdorim të Z-mobile sa më parë t’i kalojnë efektivisht Valës, ashtu edhe siç i takojnë.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.
Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.