Zbardhen kriteret e reja për licencimin e punonjësve socialë, duhet masteri

03/03/2020 11:02 AM 0 komente

Licenca për punonjës social nuk mund të përfitohet nëse  të interesuarit përveç diplomës së studimeve të larta “bachelor”  nuk zotërojnë edhe master shkencor apo profesional. Kush nuk plotëson kriteret penalizohet  edhe nga anëtarësimi i Urdhrit të Këshillit Kombëtar.

Kriteret e reja për licencimin e punonjësve sociale, përcaktohet në  projektvendimin e qeverisë të hedhur për konsultim.

“Vendosja e kriterit “të zotërojnë diplomën e studimeve të larta “Bachelor” në punë sociale dhe “Master Shkencor/Profesional” në fushën e punës  sociale ose ekuivalente me të sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin” duhet të jetë kriteri i domosdoshëm për t’u anëtarësuar në Urdhër dhe për t’u licencuar pasi është në përputhje me qëllimin e ligjit për të rregulluar profesionin e punonjësit social dhe do të garantojë cilësinë e shërbimeve në fushën  e punës sociale, sidomos në atë të shërbimeve sociale”, thuhet në projektvendim.

Drafti përcakton edhe kriteret për anëtarësimin në këshillin Kombëtar të Punonjësit social të cilat mungonin.  Vendosja e kritereve ishte kërkesë e vazhdueshme e grupeve të interesit.

Anëtari i Këshillit Kombëtar, që gëzon të drejtën për t’u rizgjedhur vetëm një herë duhet të plotësojë këto kritere:

a) të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Shqipëri;

b) të jetë anëtarë i Urdhrit;

c) të ketë përvojë jo më pak se 5 vjet në ushtrimin e profesionit të punonjësit social;

ç) të mos ketë marrë masë disiplinore në 5 vitet e fundit;

d) të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

Për kategoritë që nuk plotësojnë kriteret e diplomës së studimeve të larta, ose atë të masterit shkencor, por zotërojnë eksperiencë pune nga 3 deri në 10 vjet pune do të bëhen anëtar të urdhrit të punonjësit social, vetëm nëse marrin provimin e shtetit.

Drafti i qeverisë përcakton këto kategori që duhet të japin provimin e shtetit:

-Personat, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk plotësojnë kriteret e nenit 8, pika 2, shkronja “b” të këtij ligji, por ushtrojnë ose kanë ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë prej jo më pak se 3 vjetësh në 10 vitet e fundit nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të vërtetuar sipas legjislacionit në fuqi për marrëdhëniet e punës dhe zotërojnë minimalisht diplomën “Bachelor në Punë Sociale” ose ekuivalente me të, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, bëhen anëtarë të urdhrit të Punonjësit Social vetëm pas dhënies me sukses të provimit të shtetit.

-Personat, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk plotësojnë kriteret e nenit 8, pika 2, shkronja “b” të këtij ligji, por ushtrojnë ose kanë ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë prej jo më pak se 5 vjetësh në 10 vitet e fundit nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të vërtetuar sipas legjislacionit në fuqi për marrëdhëniet e punës dhe zotërojnë minimalisht diplomën “Master shkencor/profesional” në fushën e punës sociale, ose ekuivalente me të, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, bëhen anëtarë të urdhrit të Punonjësit Social vetëm pas dhënies me sukses të provimit të shtetit.

– Personat, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk plotësojnë kriteret e nenit 8, pika 2, shkronja “b” të këtij ligji, ushtrojnë ose kanë ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë prej jo më pak se 7 vjetësh në 10 vitet e fundit nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të vërtetuar  sipas legjislacionit në fuqi për marrëdhëniet e punës dhe zotërojnë diplomën e studimeve të ciklit të parë në një fushë tjetër sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, bëhen anëtarë të urdhrit të Punonjësit Social vetëm pas zotërimit të diplomës “Master shkencor/profesional” në punë sociale, ose ekuivalente me të, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe dhënies me sukses të provimit të shtetit.”

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of