Zbardhet nëntoka

04/02/2016 12:05 PM 0 komente

Kontributi i industrisë nxjerrëse në ekonominë shqiptare mbetet ende i ulët. Nafta është sektori që gjenroi më shumë të ardhura, me rreth 3% të PBB-së. Këto janë rezultatet e dala nga raportet e certifikuara për vitin 2013-2014 nga Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) ku paraqitet një panoramë e plotë e së gjithë veprimtarisë që realizohet. Për herë të parë, në këtë botim është përfshirë edhe sektori hidroenergjetik, ndërsa është “zbardhur” edhe veprimtaria që kryejnë një sërë institucionesh shtetërore, si dhe të ardhurat që arkëtojnë.

 

Nga Elona Bedalli

Në modelimin e ri që qeveria shqiptare po tenton të realizojë, nafta shihet si një nga sektorët premtues. Rritja e të ardhurave nga shfytëzimi i arit të zi janë kthyer në objektiv kryesor. E kjo konfirmohet edhe nga fakti se në industrinë nxjerrëse nafta është kontribuesi më i madh me rreth 3% të PBB-së, referuar raportit 2013-2014 të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse të botuar së fundmi. Në vitin 2014 kjo shifër zbriti në 2.7% të PBB-së, por ekspertët deklarojnë se kjo ka ardhur për shkak të ndryshimeve të çmimeve, pavarësisht rritjes së prodhimit.

Por, a mund të ishte ky kontribut akoma më i madh? Ajo që vihet re në raportin e pestë të standardit EITI është fakti se operatorët që veprojnë në këtë treg nuk kanë raportuar pagesa të Tatimit mbi Fitimin për periudhën e marrë në analizë, kjo do të rriste ndjeshëm kontributin. Megjithatë duhet të theksohet se ka pasur një monitorim më të fortë ndaj marrëveshjeve koncensionare. Dorina Çinari, drejtuese e Sekretariatit Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse thotë se ; “Raporti tregon se nafta është sektori me kontributin më të madh dhe mban peshën më të madhe në raport me PBB-në që është 3%, ndërsa të tre sektorët bashkë e kanë në 3.5%. Por, raporti nuk mund të thotë nëse ky është niveli i duhur, nëse është ai që duhet të ishte ose jo.

Ajo që vihet re gjatë periudhës 2013-2014 është se asnjë nga kompanitë e naftës nuk ka raportuar pagesa të Tatimit mbi Fitimin. Do të ishin pikërisht këto pagesa që do ta zhvendosnin në një nivel më të lartë shifrën e kontributit të këtij sektori ndaj PBB-së. Por, tashmë ndryshimi i modelit ekonomik të kontratave hidrokarbure, të reja që po bën qeveria do të kenë ndikim edhe në rritjen e te ardhurave në buxhet nga aktiviteti i prodhimit të naftës.

Ndërsa Albpetroli ka përmbushur detyrimet e veta, si pagesën e dividentit, rentës, ka derdhur Tatimin mbi Fitimin, etj. Raporti jep të gjithë veprimtarinë në mënyrë të detajuar”.

Transparenca në sektorin e industrisë nxjerrëse vlerësohet e rëndësishme, jo vetëm për raportimet në buxhet, por edhe për tërheqjen e investimeve të huaja

ky nuk është një raport që thjesht “mbush faqet”, por që ndihmon në rritjen e transparencës në këtë industri që është përfolur jo pak për nivelin e lartë të abuzimit, korrupsionit, mungesës së sigurisë, nivelin e ulët të standardeve, mungesën e investimeve nga ana e koncesionarëve etj.

“Të dhënat që ofrohen tregojnë se cilat janë rezervat kryesore që mbart nëntoka shqiptare, si menaxhohen, cilët janë operatorët e tregut, cili është niveli i shfrytëzimit të rezervave, të ardhurat që sjellin në arkën e shtetit, kontributi ndaj PBB-së. Raporti bën rakordime të fluksit të parasë nga çdo operator që ka një licencë në industrinë nxjerrëse kundrejt institucionit shtetëror, në nivel fature, në mënyrë që të sigurohemi që çdo para e derdhur nga kompania ka shkuar në arkën e shtetit dhe nuk ka “rrjedhur” gjatë rrugës. Raporti 2013-2014 është rakoduar në masën 99%, që tregon një nivel të kënaqshëm. Pjesa e mbetur (1%) gjithashtu është e shpjeguar dhe ka të bëjë me raste kur ka pasur keqkuptime ose mungesë raportimi për çështje përshkrimi, datash, etj”, thotë znj. Çinari.

Për herë të parë është përfshirë në raport edhe sektori i hidroenergjisë. “Sektori hidroenergjetik është më i veçantë, pasi në pjesën më të madhe (mbi 80%) prodhimi sigurohet nga operatorë që janë në pronësi të shtetit.

Nga viti 2013 në 2014-n, është zhvendosur pak kontributi falë disa privatizimeve që kanë ndodhur, siç është ai i katër HEC-eve dhe që tani raportohen si kontribut i sektorit privat.

Ajo që vihet re është se kontributi që ky sektor jep në buxhetin e shtetit është i ulët në rreth 0.1%, edhe pse kemi një nivel të lartë të burimeve hidrike, kjo shpjegohet me çmimin e subvencionuar që është i detyruar t’i shesë KESH, OSHEE-së për konsumatorët fundorë”, thotë znj Çinari.

Nga ana tjetër ajo që vihet re është se raportohet një kontribut relativisht i ulët i forcës së punës në industrinë nxjerrëse, por kjo deri diku mund të shpjegohet me faktin se është rritur niveli i automatizimit të një pjese të proceseve.

 

Fuqia shqiptare e industrisw nxjerrëse

Burimet natyrore si nafta, gazi, rezervat minerare janë pasuri kombëtare. Nxjerrja dhe shfrytëzimi i këtyre pasurive çon në rritje ekonomike dhe zhvillim social. Megjithatë kur këto pasuri keqadministrohen, ato gjenerojnë korrupsion dhe konflikte. Sa më shumë transparencë të bëhet në atë se si një vend administron pasurinë e vet natyrore, aq më shumë është mundësia që nga shfrytëzimi i këtyre pasurive të përfitojnë të tërë. Mbi këtë koncept ka ngritur veprimtarinë e vet EITI ose Nisma Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse. Objektivi i EITI është: Të zhvillojë dhe zbatojë një mekanizëm për të bërë a) deklarimin e të ardhurave që vilen nga përdorimi i Burimeve Natyrore nëpërmjet industrive nxjerrëse, b) publikimi i këtyre të dhënave në një format të kuptueshëm nga të gjithë dhe c) mbikëqyrja e tyre në mënyrë që t’u mundësojë të gjithë shqiptarëve të kenë të gjithë informacionin për sa u përket të ardhurave si dhe shpenzimet publike, duke kontribuar në një debat publik dhe në krijimin e mekanizmave për miradministrim të këtyre të ardhurave në dobi të komuniteteve.

Shqipëria, deri sot, ka publikuar raporte EITI për vitet fiskale 2009, 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014.

Sipas standardit, një raport EITI për një vit fiskal duhet të publikohet maksimalisht deri më 31 dhjetor të vitit + 2, në të kundërt vendi që aderon në EITI e humbet statusin e fituar dhe kalon në “pezullim”. Ato nuk janë raporte auditimi, por bazohen në vetëdeklarim dhe janë raporte rakordimi ku kompanitë operuese në këtë sektor deklarojnë çfarë ato i paguajnë shtetit (taksë, rentë, etj.) dhe këto të dhëna rakordohen me të ardhurat e deklaruara nga shteti. Shteti konfirmon nëse janë kryer këto pagesa dhe në rast të mospërputhjeve fillojnë investigimet e institucionit tonë se ku kanë shkuar paratë, pasi kjo mospërputhje nënkupton abuzime dhe korrupsion. Në të gjitha raportet e publikuara nuk kanë rezultuar mosrakordime të kësaj natyre, pra, çdo para e paguar nga një operator është regjistruar në buxhetin e shtetit.

 

Rezultatet

Raporti i EITI për vitet 2013 dhe 2014 përmban një analizë të prodhimit dhe kontributit të sektorit të naftës e gazit, sektorit minerar dhe sektorit të hidroenergjisë, ashtu sikurse rakordimin e flukseve kryesore që operatorët në këta sektorë kanë paguar ndaj shtetit.

 

Prodhimi

Bazuar në të dhënat e raportuara nga AKBN dhe ERE, prodhimi i gjeneruar nga këta sektorë është vlerësuar në 777 milionë dollarë për vitin 2013 dhe 815 milionë dollarë për vitin 2014.

Bazuar në rezultatet paraprake të publikuara nga INSTAT, sektori i energjisë dhe burimeve përbënte 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2013 dhe 2014. Sektori i naftës dhe minierave së bashku përbënin 5% të PBB-së, ndërkohë që sektori i energjisë përbënte rreth 2% të PBB-së. Sipas burimeve të INSTAT, prodhimi i naftës bruto përbën rreth 68% të prodhimit të energjisë parësore, ndjekur nga energjia elektrike me rreth 20%.

Prodhimi i naftës bruto përbën rreth 67% të prodhimit të përgjithshëm nga të tre sektorët për të dy vitet. Përafërsisht, 87% e naftës së prodhuar është nxjerrë nga fushat e naftës në Patos-Marinëz.

Kromi mbetet minerali kryesor i nxjerrë dhe përpunuar në vend me rreth 72% të prodhimit total minerar në vitin 2013 dhe 76% në vitin 2014. Minierat e Bulqizës gjeneruan rreth 45% të kromit në vitin 2013 me mbi 110 licenca aktive në prodhim. Ky kontribut u rrit në 53% në vitin 2014.

Prodhimi i hidroenergjisë paraqitet me vlerë relativisht më të ulët. KESH kontribuoi me rreth 88% të sasisë së prodhimit vendas në vitin 2013 dhe 72% në vitin 2014. Rënia e prodhimit të energjisë vjen si rezultat i faktit se viti 2014 u karakterizua me një sasi shumë më të vogël reshjesh krahasuar me një vit më parë. Kontributi i prodhimit të hidroenergjisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto vjen më i ulët në 2014 ndikuar edhe nga dy faktorë. I pari, privatizimi në vitin 2013 i HEC-eve të Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Së dyti, KESH ka detyrimin ligjor për të shitur me çmim të subvencionuar energjinë për konsumatorët tariforë tek OSHEE. Nëse prodhimi i KESH do të matej me çmimin e siguruar në eksport të energjisë, vlera e prodhimit të hidroenergjisë do të rritej më shumë me mbi 200% në të dy vitet.

 

Kontributi në buxhet

Kontributi i të tre sektorëve në Buxhetin e Shtetit gjeneruar nga taksat dhe të ardhurat kryesore nga industria përllogaritet në 3.9% (12.9 miliardë lekë) në vitin 2013 dhe 3.5% (12.7 miliardë lekë) në vitin 2014. Në taksat kryesore janë përfshirë: renta minerare, tatimi mbi fitimin, të ardhurat nga privatizimet, dividentët etj. Ky kontribut do të ishte edhe më i madh, nëse do të përfshiheshin të gjitha taksat e paguara nga sektorët në buxhet.

Nëse shikohen të ardhurat totale të sektorëve, duke përfshirë jo vetëm derdhjet në Buxhetin e Shtetit, por edhe paratë e mbajtura në buxhetet e brendshme të Albpetrol, AKBN, ERE dhe KESH, rezulton se për vitin 2013 ato janë 18,1 miliardë lekë ndërsa për vitin 2014 shkojnë 17,9 miliardë lekë.

Viti 2013 ka një specifikë shtesë, ndërsa janë të ardhura edhe 15,4 miliardë lekë nga privatizimi i HEC-eve të Ulzës, Shkopetit, Bistricës 1 dhe Bistricës 2. Nëse do të përfshiheshin këto të ardhura, kontributi total në Buxhet për 2013 do të ishte 3.8%.

 

Sektori i naftës

Prodhimi i naftës për vitin 2013 u raportua në 1,203,637 tonë me një vlerë prej 530 milionë USD. Prodhimi në 2014 u rrit në 1,386,124 tonë ose me vlerën e përllogaritur rreth 549 milionë USD.

Nafta mbetet kontribuuesi kryesor në Buxhetin e Shtetit me 3% në vitin 2013 dhe 2.7% në vitin 2014. Të ardhurat e gjeneruara nga pagesat e drejtpërdrejta të sektorit: renta minerare, pjesa nga ndarja e naftës, tatimi mbi fitimin dhe dividentët përllogariten respektivisht 15 miliardë lekë në vitin 2013 dhe 14.9 miliardë lekë në vitin 2014. Këto pagesa përbëjnë nga 27% të prodhimit të naftës bruto në 2013 dhe 26% në 2014.

Buxheti i Shtetit arkëtoi rreth 67% të pagesave të drejtpërdrejta gjeneruar nga sektori i naftës në vitin 2013 dhe 2014. Pjesa e mbetur u mblodh nga Albpetrol rreth (32-33%) dhe AKBN (0.3-0.5%).

Renta minerare paraqet zërin kryesor të të ardhurave të gjeneruara nga sektori i naftës me rreth (me 55% të të ardhurave të drejtpërdrejta në vitin 2013 dhe 52% të të ardhurave të drejtpërdrejta në 2014). Renta është zëri kryesor i të ardhurave që arkëtohen në buxhet nga sektori i naftës. Ajo përfaqësonte rreth 83% të pagesave në buxhet nga sektori i naftës në vitin 2013 dhe 79% në vitin 2014. Pjesa tjetër e të ardhurave në buxhet u gjenerua nga tatimi mbi fitimin dhe dividentët paguar nga Albpetrol. Asnjë nga kompanitë private të naftës nuk pagoi tatim mbi fitimin në vitet 2013 dhe 2014.

Pjesa nga ndarja e prodhimit të naftës është fluksi i dytë më i madh i të ardhurave të drejtpërdrejta nga sektori i naftës me rreth 33% e të ardhurave të drejtpërdrejta në vitin 2013 dhe 29% të të ardhurave të drejtpërdrejta në 2014. Të gjitha këto pagesa, rreth 75,825 tonë naftë bruto në vitin 2013 dhe 94,304 tonë naftë bruto në vitin 2014, ishin për Albpetrol – administrues i fushave të naftës në prodhim. Prodhimi paraekzistuese (prodhimi zhvilluar nga Albpetroli para se të dorëzonte puset) zinte rreth 89% të pagesave në ndarjen e prodhimit në vitin 2013 dhe 87% në vitin 2014.

Pavarësisht rritjes së prodhimit, numri punonjësve në sektor ra me 23% në katër vitet e fundit. Këto ndryshime rezultuan për shkak të transferimit të puseve nga Albpetrol te kompanitë private të naftës. Mesa duket, sektori privat nuk mundi të tërheqë më tepër fuqi punëtore gjatë këtij transferimi. Në vitin 2014, sektori i nxjerrjes së naftës dhe gazit punësonte rreth 3,109 persona, duke kontribuar me rreth 0.3% në forcën punëtore të përgjithshme të regjistruar sipas INSTAT. Albpetrol ishte punëdhënësi më i madh në vitin 2014 në sektor me rreth 2,062 të punësuar (66% të punësimit total në sektorin e nxjerrjes së naftës).

Në vitin 2013, nafta bruto e prodhuar barazoi konsumin e brendshëm të naftës (matur në naftë bruto) në 98% dhe e tejkaloi atë me 108% në vitin 2014. Bazuar në këto të dhëna, mund të supozohet se, nëse e gjithë nafta do të rafinohej në vend, prodhimi vendas do të kishte qenë shumë pranë përmbushjes së kërkesës së brendshme për konsum.

Nafta e prodhuar në vend kryesisht është eksportuar për t’u rafinuar jashtë vendit. Konsumi i brendshëm i naftës së rafinuar përmbushet përmes naftës së importuar. Bazuar në të dhënat e raportuara nga dogana shqiptare, eksportet e naftës bruto llogariten në 104% të naftës së prodhuar në vitin 2013. Ky raport ka rënë në 77% të naftës së prodhuar në vitin 2014, kur nafta bruto e rafinuar përmes rafinerive vendase arriti në 22%.

 

Sektori minerar

Në nëntor 2015, AKBN raportoi 600 licenca minerare, ndërsa 112 të licencuarit janë nga mineraret e kromit në minierat e Bulqizës. Prodhimi i minierave u vlerësua në 140 milionë dollarë në vitin 2013 dhe 175 milionë dollarë në 2014.

Kromi kontribuon në pjesën më të madhe me rreth 72% të prodhimit të brendshëm të minierave në vitin 2013. Kjo përqindje është rritur në 76% të prodhimit të brendshëm të minierave në vitin 2014. Guri gëlqeror dhe minerale të tjera të ndërtimit përfaqësojnë grupin e dytë më të madh të mineraleve pas atyre të kromit. Pjesa e tyre në prodhimin e minierave llogaritet në 14% në 2013 dhe 12% në vitin 2014.

Sektori i minierave ka punësuar rreth 3,800 staf në vitin 2013 (0.3% të forcës punëtore të përgjithshme të regjistruar) dhe 4300 staf në vitin 2014 (0.4% të fuqisë punëtore gjithsej regjistruar). Sektori i kromit ka punësuar rreth 59% të fuqisë punëtore të minierave në vitin 2013 dhe 69% në vitin 2014. Kontributi i njohur i sektorit llogaritet minimumi 0.7% e të ardhurave totale në buxhetin kombëtar në të dy vitet.

 

Sektori i hidroenergjisë

Prodhimi i hidrocentraleve në Shqipëri dominohet nga sektori publik. KESH-i ka kontribuar me 88% të prodhimit të energjisë në vitin 2013. Ky raport ra në 74% në vitin 2014, për shkak të rritjes së aktivitetit të HEC-eve private dhe HEC-eve me koncesion në këtë sektor dhe reshjeve më të pakta në 2014. ERE raportoi prodhimin e brendshëm të hidroenergjisë në 6,956 GWh në vitin 2013 dhe 4726 GWh në vitin 2014. Nëse vlerësimi do të bëhej duke përdorur çmimet mesatare të eksportit prodhimi i brendshëm do të ishte raportuar në 25.5 miliardë lekë (ekuivalent me 243 milionë USD) në vitin 2013 dhe 24.1 miliardë lekë (ekuivalente me 229 milionë USD) në vitin 2014. Megjithatë, për shkak se KESH shet prodhimin e saj me çmim të rregulluar, shitjet nga sektori nuk i kalojnë 11 miliardë lekë (ekuivalent me 106 milionë dollarë) në vitin 2013 dhe në 9.6 miliardë lekë (ekuivalente me 91.5 milionë dollarë) në vitin 2014.

Shteti shqiptar subvencionon sektorin e energjisë përmes çmimeve të rregullimit të gjenerimit të energjisë, transmetimin dhe shpërndarjes. Ky fakt shpjegon kontributin relativisht të ulët të sektorit në PBB, rreth 2%.

Në vitin 2013, 45% e energjisë ishte humbur në rrjet për shkak të kushteve të saj të dobëta teknike dhe lidhjet informale në sistem. Në vitin 2014, humbjet ranë në 37.8% si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të qeverisë shqiptare dhe kompanisë së shpërndarjes të energjisë – OSHEE.

 

Eksportet

Eksportet nga sektori nxjerrës janë rritur ndjeshëm me mbi 100% në tre vitet e fundit.

Në vitin 2013, eksportet nga sektori nxjerrës arritën në 96.7 miliardë lekë ose 39% të totalit të eksporteve. Kjo përqindje ka rënë në vitin 2014 në 32% të totalit të eksporteve ose 82.2 miliardë lekë. Nafta mbetet kontribuuesi kryesor me 73% të totalit të eksporteve nga industria nxjerrëse në vitin 2013 dhe në 68% në vitin 2014. Nafta e papërpunuar u eksportua kryesisht në Itali, Spanjë dhe Maltë. Ndërsa Kina ishte blerësi kryesor i mineraleve të kromit dhe bakrit prodhuar në vend.

 

Punësimi

Kontributi i industrisë nxjerrëse në punësimin total në vend është pothuajse i papërfillshëm. AKBN raporton se kompanitë e licencuara në sektorët e naftës, gazit dhe minerar, kanë punësuar në total më pak se 1% të totalit të fuqisë punëtore të regjistruar në vend në vitin 2013 dhe 2014.

Monitor 715

Monitor 715

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of