Më shumë se një vit pasi shpalli falimentimin, prodhuesi i çelikut Kurum, një prej kompanive më të mëdha në vend, ka gati planin e riorganizimit. Pas disa shtyrjes dhe ndryshimesh, Gjykata e Tiranës e ka miratuar këtë plan në fillim të muajit korrik.
Plani ka në themel të tij dy lloj veprimesh juridiko-ligjore: 1) shtyrjen e afatit të ekzekutimit;2) riskedulimin e pagesave nëpërmjet rishikimit të normës së interesit për të dy grupet kryesore të falimentimit.
Plani i Riorganizimit i paraqitur synon shmangien e likuidimit me transaksione të ndërlikuara financiare dhe ligjore të tilla si shkëmbimi i borxhit me kapital apo kombinimi i këtyre me transaksione të tjera financiare, heqje dorë nga të drejtat mbi sende, ndarje apo grupim aktiviteti. Nëpërmjet planit është synuar moscenimi i kreditorëve të siguruar me përjashtim të rishikimit të normës së interesave dhe afateve të shlyerjes sipas parashikimeve të specifikuara në plan.
Plani i riorganizimit në tërësi synon të paraqesë një rregullim të marrëdhënieve debitor-kreditore (tashmë të prishura për shkak të gjendjes së paaftësi paguese të debitorit ) duke marrë në konsideratë si përcaktimet e ligjit “Për falimentimin”, po ashtu edhe principet bazë të instituteve të posaçme juridike të rregulluara Kodi Civil, parashikimet e ligjit “Për barrët siguruese”; “Për sistemin e pagesave” Legjislacionin Tregtar, Ligjin Bankar, Ligjin “Për titujt” dhe në tërësi legjislacionin e detyrueshëm për zbatim.
Sistemi i Mbikëqyrjes dhe Kontrollit, që parashikohet nga plani i veprimit parashikon që:
– Të gjitha transaksionet me vlerë mbi njëzet milionë lekë të miratohen nga mbikëqyrësi i falimentimit për gjithë periudhën e zbatimit të planit të Riorganizimit.
– Tepricat e fluksit të rrjedhjes së parasë (Cash Flow) që eventualisht do të rezultojnë në fund të çdo viti financiar në një vlerë më të madhe se një milion Euro të shpërndahen në një mënyrë “pro rata” (shuma e akumuluar ndahet propocionalisht ndërmjet kreditorëve në raport me vlerën e kredisë së secilit kreditor), duke i dhënë përparësi kreditorëve në siguruar, kundrejt mos aplikimit të penaliteteve të parapagimit nga kreditorët për
pagesa më të hershme.
Të ardhurat nga shitja e energjisë do të kanalizohen në një llogari bankare të hapur posaçërisht për këtë qëllim, prej nga ku do të kryhet me përparësi ripagimi i kreditorëve të siguruar.
Aksionri i vetëm sipas planit ka hequr dorë nga e drejta e shpërndarjes së fitimeve potenciale përgjatë gjithë periudhës së planit, fitim i cili sipas planit do të shkojë për rritje kapitali dhe rezerva.
HEC-et në pronësi të shoqërisë do të funksionojnë si njësi kostoje më vete. Shoqëria merr përsipër që të përgatisë raporte aktiviteti dhe financiare tre mujore për aktivitetin e energjisë elektrike ku HEC-et do të operojnë si njësi kostoje më vete dhe likuidimet neto nga aktiviteti do të drejtohen në llogarinë e posaçme në favor të kreditorëve të siguruar në llogarinë e hapur për këtë qëllim në BKT. Raportimi i pasqyrave financiare tre mujore të tyre do të jetë i certifikuar, i identifikueshëm më vete, (ad interim) në aspektin thelbësor dhe përfshirë formalisht në raportin periodik tre mujor të shoqërisë debitore.
Borxhet
Në prill të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës përcaktoi zyrtarisht se cilët do të jenë kreditorët që do të njihen si të tillë nga procesi i falimentimit për riorganizimin e Kurum, një prej eksportuesve më të mëdhenj në vend.
Janë rreth 230 milionë euro borxhe që kompania Kurum, e cila shpalli kërkesën për faliment me qëllim ristrukturimi në shkurt 2016, u ka të tretëve, kryesisht banka vendase dhe të huaja. Rreth 18% e kësaj shume, apo 42 milionë euro, është kredi e marrë në bankat shqiptare dhe rreth 600 mijë euro ndaj furnitorëve në Shqipëri. Pjesa tjetër është hua e marrë në bankat ndërkombëtare (IFC dhe Banka e Detit të Zi dhe bankat turke).
Janë rreth 27 subjekte që u është njohur pretendimi, ndërsa është përjashtuar nga kjo e drejtë për shumën e rreth 149 milionë lekëve, IFC-ja.
Kreditori më i madh është Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) me 55 milionë euro, por kjo kredi është e siguruar.
Më pas vjen Banka e Detit të Zi, me 30.5 milionë euro, edhe këto të siguruara. Nga bankat vendase, kreditori më i madh është Raiffeisen, me 21 milionë euro, nga të cilat vetëm 5.2 mln euro janë të siguruara.
I dyti është Banka Kombëtare Tregtare, ndaj të cilit Kurum ka një hua të pashlyer prej rreth 10.2 milionë eurosh, gjysma e së cilës është e siguruar.
Më pas janë Societe Generale me 5 milionë euro, NBG me 3.6 milionë euro dhe Pro Credit me 500 mijë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.