Ministria e Financave: Aplikimi i referencave, 0.5% në buxhet. Nuk vlen më
Qeveria ka përgatitur vendimin që shfuqizon VKM nr. 285, datë 04.05.2007 “Për përcaktimin e pagës referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale, sipas nomenklaturës së veprimtarisë ekonomike, për të punësuarit në sektorin jopublik, që kryejnë punë, të pakualifikuara e të kualifikuara, si dhe për personelin drejtues e tekniko-ekonomik të tyre”.
“Monitor” ka siguruar një kopje të vendimit, bashkë me relacionin shpjegues mbi efektet e referencës te pagat dhe efektet në buxhet nga ndryshimi i procedurës. Vendimi pritet të hyjë shumë shpejt në fuqi, me publikimin në Fletoren Zyrtare, ndërsa për qeverinë do të jetë një shans më shumë për të përmirësuar renditjen në raportin e Bankës Botërore “Doing Bussines”, i cili pritet të publikohet në vjeshtën e këtij viti.
Sipas Ministrisë së Financave, projekti i miratuar së fundmi, propozon shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 285, datë 4.5.2007, i cili ka mbetur i pandryshuar që nga ai vit kur ka hyrë në fuqi dhe kështu e ka humbur kuptimin e zbatimit “pasi nuk janë reflektuar ndryshimet e ndodhura ndër vite në nivelin e pagës minimale, bazë kjo për punët e pakualifikuara, si dhe për të reflektuar këto ndryshime në pagat e grupeve të tjera të punonjësve, të ndara në vendim sipas funksioneve dhe kualifikimit”.
Efektet e referencave
Vendosja e referencës mbi paga, paralel me aplikimin e taksës së sheshtë, prej 10 përqindësh, i solli buxhetit të shtetit në vitin 2007, të ardhura nga TAP-i, rreth 70 për qind më shumë, në raport me një vit më parë, kur rritja nuk shkonte më shumë se 15 për qind.
“Vlerësojmë se zbatimi i këtij vendimi ka pasur ndikim shumë të ndjeshëm në rritjen e nivelit të pagave të deklaruara nga subjektet, duke i përafruar ato me pagat reale të punonjësve”, thotë ministri i Financave, Ridvan Bode, në relacionin që shoqëron projektvendimin.
Në lidhje me zbatimin e VKM-së për pagat referuese, nga analiza e realizuar nga administrata tatimore në sistem, si dhe nga zbulimet e kontrollit, rezulton se vetëm 0.5 për qind e të ardhurave nga kontributet janë me rivlerësim page (zbulime nga kontrolli 2011) dhe në raport me fondin e pagave 0.14 për qind dhe 0.6 për qind në numër subjektesh.
“Dhe nga testimet e muajve mars dhe qershor 2011 rezulton se shtesat nga rivlerësimi i fondit të pagave rezultojnë 0.09 – 0.13 për qind”, saktëson Ministria e Financave. Nga përllogaritjet, mbi mesataren mujore të të ardhurave nga TAP, del një ndikim nga referencat, jo më e madhe se 25 milionë lekë/muaj.
Efektet te renditja e BB-së
Efektet nga shfuqizimi i këtij vendimi, përveç të tjerash, deri në njëfarë mase, do të kompensoheshin nëpërmjet rritjes së transparencës ndaj të punësuarve, duke bërë të mundur që nëpërmjet kodit personal të shohin online pagën mujore mbi të cilën i është llogaritur dhe paguar kontributi nga punëdhënësi. “Ky proces, mendojmë se do të mund të realizohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore me deklarimin e listë-pagesës nëpërmjet formës elektronike”, thotë Ministria e Financave.
Por kjo është njëra anë e ndikimeve në ekonominë shqiptare, pasi shkaku i vërtetë, për të cilin qeveria shqiptare po punon fort, lidhet me raportet e Bankës Botërore sa i takon kushteve të të bërit biznes në Shqipëri. Ky fakt pranohet nga vetë ministri.
“Një arsye tjetër e rëndësishme e propozimit të shfuqizimit te VKM nr. 285 është raporti vjetor ‘Doing Business’, i komisionuar nga Banka Botërore, i cili vlerëson situatën e të bërit biznes në vende të ndryshme të botës, për indikatorin ‘Paying Taxes’ për Raportin për Shqipërinë”, thotë ministria.
BB në llogaritjen e normës së kontributeve kalkulon se rëndesa e taksave për një biznes është 22.5 për qind dhe e jo 16.7 për qind, baza aktuale sipas ligjit “Për kontributet shoqërore”. Në analizën e BB-së, del përfundimi se me një normë shumë të lartë tatimi real për kontributet prej 22.5 përqindësh, si rezultat i aplikimit të çmimeve të referencës në Shqipëri, ka pasoja për biznesin.
Pikërisht, shfuqizimi i këtij vendimi do të sillte për qeverinë dhe ekonominë shqiptare një vlerësim më realist nga BB për indikatorin e “Paying Taxes” për Shqipërinë.
Të ardhurat nga taksa
Të ardhurat nga tatimi mbi pagën, vitin e kaluar u rritën me 3.4 për qind në raport me vitin 2010, por si plan mbetën afër nivelit të 95 përqindëshit. Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP), konsiderohet një taksë me shumë peshë për buxhetin e shtetit dhe aktualisht është kthyer në objekt debati politik mes PS dhe PD sa i takon shkallës tatimore, prej 10 përqindësh, nga e përshkallëzuar që ishte para 2007-s.
Në vitin 2007, kur hyri në fuqi sistemi i ri i shkallës tatimore 10 për qind (taksa e sheshtë), bashkë me referencat mbi paga, të ardhurat u rritën me gati 70 për qind, rekord më vete, por gradualisht trendi rritës nisi të ulej çdo vit.
Në total, të ardhurat, sipas statistikave zyrtare nga Ministria e Financave ishin rreth 28 miliardë lekë, ku natyrshëm sektorët publikë dhe privatë kanë kontributin më të madh.
Edhe pse dihet që pagat në privat janë më të larta dhe me shumë të punësuar, të ardhurat nga ky sektor janë gati të njëjta si me të punësuarit në shtet, ku numri nuk shkon më shumë se 100 mijë. Shumë punonjës në privat nuk e deklarojnë ende pagën e plotë te tatimet, për shkak se detyrimi për të paguar nga llogaritja e 10 përqindëshit del i lartë dhe preferojnë që një pjesë ta marrin në bankë dhe diferencën në dorë.
Në shtet, pra te punonjësit e administratës publike, tatimet kanë mundur të mbledhin afro 8.8 miliardë lekë, me një rritje në raport me 2010-n në masën 4.2 për qind, kurse në privat, arkëtimet regjistruan një nivel prej 8.9 miliardë lekësh, ose 11.5 për qind më shumë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.