Emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, sot vjen në Prishtinë. Ai bashkë me drejtuesin e Korporatës së Financave Zhvillimore, Adam Boehler dhe zyrtarë tjerë amerikanë do të takohen me kryeministrin Avdullah Hoti dhe biznesmenë kosovarë.
Në Kosovë sot do të qëndrojë një delegacion i qeverisë amerikane i kryesuar nga Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC).
Pjesë e këtij delegacioni do të jetë edhe dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Në njoftim të DFC-së, theksohet se çështjet të cilat do të diskutohen kryesisht kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal si dhe në Lindje të Mesme.
Kjo vizitë në Kosovë do të ndodhë pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Kryeministria ka konfirmuar se delegacioni i qeverisë amerikane do të takohet në Prishtinë me kreun e Qeverisë, Avdullah Hoti.
“Më 21 shtator 2020, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA” thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Grenell, të dielën mbrëma, përmes Twitterit ka deklaruar se implementimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet i administratës së presidentit Trump.
“Implementimi i marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një top-prioritet për administratën Trump. Shihemi në Prishtinë dhe Beograd këtë javë”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.
DFC pritet që bashkë me Bankën amerikane për Eksport-Import të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.
Ndryshe, Boehler së bashku me udhëheqësen e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, më 15 shtator kanë nënshkruar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes.
“Autostrada e Paqes do të nxisë zhvillim ekonomik dhe integrim rajonal, duke lidhur Nishin me Prishtinën. Po ashtu, do të shërbejë si simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re dhe transformuese të këtyre dy vendeve fqinje”, kishte thënë Boelher.
Nga Prishtina, delegacioni amerikan pritet të udhëtojë në Beograd, ku DFC do të hapë zyrën e vet.
Kryeministri Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.
Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.