Çmimet e ulura në tregun ndërkombëtar dhe masat shtrënguese që po ndërmerren së fundi nga qeveria pritet ta tkurrin aktivitetin minerar në vend. Disa miniera paralajmërojnë mbylljen, ndërsa investimet duken të vështira në këtë kohë krize. Deri më tani, nxjerrja dhe eksporti u rritën. Vitin e ardhshëm, rezerva në vend të eksportit
Ditë të vështira po vijnë për industrinë minerare të kromit e bakrit. Një sektor që u “dha bukë” mijëra familjeve minatore në zona ku biznese të tjera nuk mbërrijnë, rrezikon të tkurret e madje disa prej minierave të mbyllen tërësisht. Kjo nuk është vetëm pasojë e masave të shtrënguara së fundi nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, por edhe të një faktori që një treg i vogël si Shqipëria nuk e “korrigjon” dot: çmimet e shitjes në botë.
Përfaqësues të industrisë së nxjerrjes dhe pasurimit të xeherorëve tregojnë se çmimi gjatë këtij viti ka rënë në mënyrë të vazhdueshme si për mineralin e kromit, edhe atë të bakrit.
Nazmi Kumanova, administrator i kompanisë së nxjerrjes dhe pasurimit të bakrit “Beralb”, tregon për “Monitor”, se nga fillimi i vitit, çmimi për koncentratin e bakrit ka rënë mbi 30%. Nga rreth 1600 dollarë për ton në fillim të vitit, aktualisht u duhet ta dërgojnë në tregun më të madh aziatik (Kinën) për 1100 dollarë. Ndërsa kjo luhatje çmimi lidhet me bursën aziatike, në tregun e Londrës, çmimi i bakrit të pastër shënoi rënie prej rreth 10%. Me po këtë vlerë ra edhe çmimi i mineralit të kromit.
Sipas Kumanovës, “kjo situatë është kritike për minierat e bakrit, pasi mund të shkojmë deri në mbyllje të ndonjë prej minierave. Madje, në muajin shkurt kemi planifikuar të mbyllim një nga minierat në Lakrosh”.
Luhatja e çmimeve nuk është risi për industrinë, por ndjeshmëria e sipërmarrjes në këtë periudhë është kritike, pasi përveçse vjen në një kohë krize financiare, e gjen industrinë të saporingritur dhe ende pa “themele” të forta. Kumanova kujton se kompania e bakrit, edhe gjatë viteve 2005–2006 ka punuar për të krijuar rezerva, të cilat u shitën një vit më vonë, në 2007-n. Por kushtet për të krijuar rezerva, për t’i tregtuar kur çmimi të jetë më i favorshëm, nuk janë më të njëjtat. “Beralb” ka bërë investime në pasurimin e mineralit të bakrit dhe kapaciteti i prodhimit është shumë më i lartë se atëherë. Për më tepër edhe orientimi drejt kredive, për të prodhuar e krijuar rezerva duket një mision i pamundur, pasi vlerat e shpenzimeve për nxjerrjen e mineraleve janë të mëdha e rrjedhimisht, edhe kostot e huasë. Gjithsesi, prodhuesit e bakrit duan të shohin më larg e të tregojnë se do të vazhdojnë me planet e tyre të zgjerimit pasi janë në pritje të 4 lejeve minerare, për të cilat parashikojnë të investojnë 2.5 milionë dollarë.
Edhe prodhuesit e kromit nuk e kanë frenuar aktivitetin deri më tani. Sipas të dhënave të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, vetëm në Bulqizë, nxjerrja e mineralit të kromit në dhjetë muaj ishte 143 mijë tonë, ndërsa vitin e kaluar në total u nxorën 148.6 mijë tonë mineral kromi.
Bien çmimet
Tregtia, deri më tani pozitive, pritet ulje
Tregtarët e mineraleve tregojnë se deri më tani nuk e kanë frenuar eksportin për shkak të çmimit të ulët, por lajmërojnë se nëse çmimi do të vazhdojë të bjerë më tej, do t’u japin prioritet krijimit të rezervave për aq hapësirë sa do të munden.
Deri vitin e kaluar duket se çmimi ka qenë në favor të industrisë. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, vlera e eksportit ka ardhur në rritje, ndërkohë që sasia e dërguar jashtë u tkurr ndjeshëm rreth një vit më parë. Mineralet (xeherorë) të eksportuara gjatë vitit 2012 ishin 660 mijë tonë ose 34% më pak se një vit më parë. Në të njëjtën kohë, vlera e eksportit në total ishte 11.3 miliardë lekë, ose 3% më shumë se në 2011-n.
Grafiku 1 Ecuria e eksportit të mineraleve të ngurta
Eksportet vazhduan të rriten edhe këtë vit, pavarësisht uljes së çmimit. Por, për të siguruar rritje prej gati 40% të vlerës së eksportit, industrisë iu desh të dyfishojë sasitë e mallrave të dërguara jashtë. Sipas të dhënave të doganave, në dhjetë muaj eksportuam 981 mijë tonë minerale nga 517 mijë tonë të dërguara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë që vlera e eksportit arriti në 12.5 miliardë lekë.
Grafiku 2 Ecuria e eksportit dy vitet e fundit (mijë tonë)
Grafiku 3 Ecuria e eksportit dy vitet e fundit (mld lekë)
Bulqiza, rezervat më të mëdha
Pesha e mineraleve fillon të ringrihet, pas pezullimeve të viteve ‘90. Prodhimi i ferrokromit, modeli i eksportit të vlefshëm
Bulqiza është vendburimi më i madh i kromit. Falë rezervave në këtë vend renditemi të katërtit në botë për rezervat e kromit, ndërsa cilësia s’ka të krahasuar, aq sa specialistë të fushës tregojnë se në tregun kinez, minerali i kromit të eksportuar nga Shqipëria përzihet me minerale të tjera kromi për t’u dhënë atyre cilësi. Sipas të dhënave zyrtare, në thellësitë e minierës më të madhe në vend, blloku i rezervave arrin në 4 milionë tonë kromë, ndërsa deri më sot janë nxjerrë rreth 13 milionë tonë krom. Lejet e shfrytëzimit në zonën e Bulqizës janë rreth 130, ndërsa në total, në të gjithë vendin lejet e dhëna i kalojnë 900.
Xeherorët janë produkti që mbajtën lidhjen tonë me botën e jashtme edhe gjatë ekonomisë së centralizuar. Të ardhurat nga eksporti arrinin të siguronin rreth 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në atë kohë. Për afro 50 vjet, sektori minerar kryesonte në zhvillimin ekonomik dhe ka furnizuar me lëndë të para industritë e produkteve përfundimtare, ku përfshiheshin prodhimi i çelikut dhe i metaleve e produktet metalurgjike me vlerë të shtuar për eksport. Nga studimet e bëra në këtë sektor, rezulton se, pavarësisht nga roli që kanë pasur, në fillim të viteve ‘80, veprimtaritë minerare zinin një pjesë relativisht të vogël (<2%) të produktit neto të lëndëve. Veprimtaritë minerare përfaqësonin 3% të punësimit të përgjithshëm, një shifër modeste kjo. Në vitet ‘80, pesha e mineraleve kundrejt produktit neto të lëndëve u dyfishua nëpërmjet eksporteve të produkteve kryesore ose gjysmë të gatshme. Vlera e shitjeve jashtë vendit, sipas një studimi të Bankës Botërore, u rrit nga rreth 50 milionë dollarë amerikanë në vitin 1980, në gati 140 milionë dollarë amerikanë në vitin 1989. Duke pasur parasysh amullinë më të gjerë ekonomike, brenda pjesës që zinte industria në eksportet e përgjithshme, veprimtaritë minerare e kalonin shifrën 37% në vitet kulmore 1988 dhe 1989. Në këtë periudhë, kromi, bakri dhe nikeli përbënin rreth 80% të eksporteve të përgjithshme shqiptare (sipas vlerës). Produktet e kromit ishin produktet kryesore të eksportit, vlera e të cilave llogaritej në rreth 89 milionë dollarë amerikanë. Produktet e bakrit renditeshin të dytët me afro 26 milionë dollarë amerikanë, ndërsa eksportet e nikelit arrinin deri në më pak sesa 6 milionë dollarë amerikanë në vitin 1989 (dollarë nominalë = 1989).
E pas një “zbehje” të tregtisë në periudhën 1990-2000, vlera e mineraleve, veçanërisht kromit, filloi të rritet, me rivënien në funksion të uzinës së ferro-kromit në Elbasan. Aty punojnë dy furra dhe prodhojnë 3 mijë tonë ferrokrom në muaj. Me këtë proces, vlera e prodhimit në vend rritet gjashtë herë, pasi një ton krom në bursë tregtohet me 200 dollarë, ndërsa një ton ferrokrom e kalon vlerën e 1350 dollarëve. Kjo është një kundërpërgjigje ndaj problemit të vazhdueshëm të eksporteve tona të papërpunuara, veçanërisht kur bëhet fjalë për burime të shtershme natyrore si mineralet. Specialistë të fushës mendojnë se një praktikë e tillë duhet të zgjerohet edhe tek mineralet e tjera, përfshirë mineralet e lëngshme si nafta krudo. Proces që për vlerat e larta të investimeve, nuk mund të bëhet pa politika të forta mbështetëse, aq më tepër në një periudhë kur çmimet në treg për mineralet kanë shënuar rënie.
Çfarë po ndodh me minierat
Nga 39 subjekte të kontrolluara, merren masa për 29 prej tyre. Kushtet për rifillim: shlyerja e detyrimeve ndaj qeverisë dhe realizimi i investimeve të parashikuara në kontrata.
Siç kishte premtuar gjatë fushatës elektorale, qeveria e majtë ka filluar të rishikojë koncesionet e dhëna në sektorin e minierave. Por, kontrollet nuk ndalen këtu, pasi grupet e inspektimit nga ministria po shikojnë edhe mbi gjendjen teknike të minierave dhe bilancet financiare të kompanive. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, kontrolli në terren ka mbi një muaj që ka filluar. Fokusi i inspektimeve ishte pikërisht zona “më e nxehtë” e pasur me mineralin e kromit, por edhe me shumë aksidente në punë. Siç duket edhe nga rezultatet e kontrolleve të raportuara, pjesa më e madhe e kompanive që operojnë në këtë fushë kanë probleme, si të karakterit teknik, edhe financiar. Ministri Damian Gjiknuri bëri të ditur pak ditë më parë se janë kontrolluar 39 subjekte vetëm në zonën e Bulqizës dhe janë marrë masa për 29 prej tyre. Këto të fundit janë kompani që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj shtetit, që nuk kanë realizuar planin e investimeve, ose operojnë në kushte të pasigurta teknike. Për më problematiket, vendimi ka qenë i menjëhershëm. “Për arsye të mosrespektimit të kushteve të përcaktuara në lejet minerare pezullohen në shfrytëzimin e rezervave minerare 17 leje me afat të pacaktuar, deri në realizimin e detyrimeve të përcaktuara nga grupi i kontrollit”, thuhet në konkluzionet e ministrisë. Vendimi ka vajtur më tej, me “revokim të pjesshëm të 5 lejeve minerare për përdorim të pjesshëm të sipërfaqes së mineralit në zonë të rrezikshme”. Për të gjitha kompanitë për të cilat janë marrë masa, afati i lënë në dispozicion nga Ministria e Energjisë përfundoi në fund të javës së kaluar, ndaj sot, shumë prej tyre (ato që nuk janë vënë në lëvizje për të përmbushur kushtet, rrezikojnë të mbyllen.
Përjashtim nuk bën as koncesionari më i madh në këtë zonë. Pas inspektimeve, ministria vendosi pezullim të pjesshëm të punimeve në shfrytëzimin e rezervave minerare, në zonën koncesionare të kompanisë Albchrome deri në realizimin e Programit të Investimeve për a) hapjen e traverbangeve të Klosit dhe b) thellimin e pusit 9 deri në nivelin XX. Menjëherë pasi kompania bëri të ditur se ka pezulluar aktivitetin e nënkontraktorit të saj në zonën D të minierës, deri në realizimin e investimeve. Pezullimi i aktivitetit u shoqërua me protestat e mbi 50 minatorëve të kësaj miniere. Reagim i pritshëm ky nga drejtuesit e qeverisë. Por, ministri i Energjisë është i ndërgjegjshëm që masa të tilla shoqërohen me probleme, ku duket se protestat e punëtorëve janë ato më të thjeshtat për t’u zgjidhur. Gjatë prezantimit të masave të marra në këtë sektor, ministri theksoi se “industria minerare nuk mund të mbyllet me një të rënë të lapsit, sepse rrezikohen galeritë dhe rrezikohet prodhimi i minierës, sidomos kur bëhet fjalë për galeritë e thellësisë. Ndaj, mendoj se duhen shtrënguar kompanitë të realizojnë detyrimet, duke u krijuar mundësinë edhe vetë atyre, nëse e kanë seriozisht, për t’i shfrytëzuar galeritë dhe për ta shtuar prodhimin e kromit”.
Masat e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë
Merren masa për 29 leje minerare
Pezullim i pjesshëm për 17 leje
Revokimi i pjesshëm për 5 leje minerare
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.