‘Rrugëtimi’ i Kryeministrit italian Matteo Renzi për të reformuar një prej ekonomive më të ngadala të Evropës po kërcënohet nga një rënie e mprehtë në mbështetjen e votuesve si pasojë e skandaleve të vazhdueshme të korrupsionit dhe krizës së imigracionit.
Popullariteti personal i Renzi ka rënë 33 pikë përqindje gjatë vitit të kaluar, sipas anketuesit Demos, pavarësisht tentativës për t’iu rikthyer rritjes pas tre vitesh recesion.
Oratori 40-vjeçari rrëzoi paraardhësin e tij në një grusht shteti partiak 16 muaj më parë, duke premtuar për ti kthyer një fytyrë të re politikës së lodhur e të korrutpuar italiane dhe të ri-organizonte nga themelet institucionet joefikase.
Popullariteti i Renzi-t u rrit dhe ai pritej të dominonte gjerësisht politikën italiane për vitet në vijim. Por pas rezultateve më të dobët se sa priteshin për kandidatët e tij në votimet e fundit rajonale dhe komunale, kundërshtarët e brendshëm në Partinë e tij Demokratike (PD) po forcohen dhe opozita po fiton terren.
Ekzistojnë opinione të ndryshme mbi rëndësinë e reformave të Renzi-t të ndërmarra deri më tani, të cilat janë fokusuar mbi tregun e punës dhe rregullat votimit.
Por, me fashitjen e vlerësimeve ndaj tij dhe shumicën e tij parlamentare gjithnjë e më të dobët, ai ka të ngjarë të ta ketë të vështirë të përballet me kundërshtimin e ashpër ndaj planeve të tij për të riparuar sistemin arsimor dhe një administratë publike sklerotike.