Italia ka nisur një projekt për të ndihmuar turistët që të zbulojnë atraksionet më pak të njohura të vendit.
Nisma “Viaggio Italiano” (Udhëtim italian) synon të joshë vizitorët përtej vendeve tradicionale turistike, si Firence dhe Venecia.
Në vend që të promovojë vendet më të njohura, kjo skemë synon të prezantojë udhëtarët me fshatrat e vegjël dhe destinacionet rurale të vendit.
Kjo është pjesë e një programi më të madh për ta bërë turizmin më të qëndrueshëm dhe për të përhapur përfitimet e tij në mënyrë më të barabartë në të gjithë vendin.
Si po ndryshon turizmi në Itali?
Fushata e re e turizmit, e zhvilluar në bashkëpunim me të gjitha rajonet e vendit së bashku me Ministrinë Italiane të Turizmit dhe Bordin Kombëtar të Turizmit, fokusohet te praktikat e ngadalta të turizmit.
Maria Elena Rossi, kryetarja e bordit të turizmit, shpjegon se fushata nxjerr në pah tre aspekte kryesore të Italisë: fshatrat e saj, peizazhet dhe rrugët e shumta për ecje.
“Të tre këto fusha kanë të bëjnë me mënyra të ndryshme për të njohur vendin dhe për ta përjetuar atë nëpërmjet turizmit të ngadaltë dhe turizmit aktiv,” thotë Rossi.
Synimi është t’u tregohet vizitorëve se si mund të përjetojnë atë që mund të ofrojë Italia përmes aktiviteteve në natyrë, të tilla si ecja dhe çiklizmi.
Fushata ka mbledhur së bashku dhe ka dixhitalizuar qindra itinerare, duke e vënë theksin te atraksionet rurale, te fshatrat e vegjël dhe tek ushqimi dhe vera tradicionale.
Ku janë rrugët më të mira në Itali për ecje dhe çiklizëm?
Fushata turistike paraqet mënyra të qëndrueshme dhe aktive për të eksploruar vendin dhe peizazhet e tij, duke përfshirë më shumë se 100 rrugë për ecje që janë krijuar tashmë në Itali.
Këto shtigje kalojnë nëpër disa nga peizazhet më spektakolare të vendit, të tilla si Dolomitet në veri apo bregdeti i thyer në jug. Disa prej tyre ndjekin shtigje historike, të tilla si rrugët e pelegrinazhit apo shtigjet e banditëve.
Projekti do të krijojë gjithashtu mundësi të reja për çiklizëm, për ecje dhe për lundrim në shumë rajone të Italisë. Këto pritet të përfundojnë deri në fund të vitit.
Via del Mare do t’u japë udhëtarëve mundësinë për të eksploruar vijën bregdetare të Italisë nëpërmjet itinerareve të lundrimit. Rrugët do të lidhin porte të ndryshme dhe vende turistike nëpër rajonet e Italisë.
Vie del Bike do të lidhë rajonet me rrugë biçikletash, ndërsa Shtigjet e Ecjes Nordike do t’i japin mundësi udhëtarëve që të eksplorojnë fshatrat në këmbë.
Cilat janë fshatrat më të bukur të Italisë?
Një pjesë e nismës do të fokusohet në “borghi” të Italisë, fshatrat e vegjël piktoreskë të vendosur në të gjithë vendin.
Harta interaktive në faqen e internetit të Viaggio Italiano tregon vendndodhjet dhe ofron informacion për rreth 1,000 fshatra dhe atraksionet e tyre kulturore.
Harta tregon se si turistët mund të përjetojnë disa nga përvojat më autentike të Italisë, të tilla si produktet ushqimore unike apo festivale lokale, në fshatrat e saj.
Si e ka ndryshuar pandemia udhëtimin në Itali?
Kjo fushatë e re vjen në një kohë kur Italia po mendon se si ta bëjë turizmin më të menaxhueshëm. Rossi shpjegon se projekti u nis tre vite më parë, si reagim ndaj problemeve të mbiturizmit në Itali.
“Kjo ishte pjesë e planit strategjik të Ministrisë së Kulturës dhe të Turizmit për të lidhur më mirë zonat e njohura me ato më pak të njohura,” thotë Rossi.
Ndërprerja dyvjeçare në numrin normal të vizitorëve ka vënë në pah akoma më shumë problemet e turizmit në Itali.
Me numrin e turistëve që tani po kthehet në nivelet ku ndodhej përpara fillimit të pandemisë, pikat e nxehta të vizitorëve në Itali e kanë përsëri të vështirë të përballojnë valën e turistëve.
Disa destinacione kanë vendosur kufizime për të frenuar numrin e vizitorëve. Venecia po shqyrton një sistem biletash dhe një tarifë hyrjeje, ndërsa Bregu i Amalfit po kufizon numrin e automjeteve që lëvizin përgjatë rrugës së saj të famshme bregdetare në sezonin e pikut.
Galeria e njohur Uffizi e Firences miratoi një skemë të ngjashme me Viaggio Italiano, duke shpërndarë veprat e saj nëpër Toskanë.
Disa nga veprat e saj të artit janë zhvendosur në galeri dhe në atraksione të tjera të rajonit, për të lehtësuar mbipopullimin e kësaj galerie dhe për t’i nxitur vizitorët që të dalin edhe jashtë Firences.
A po udhëtojnë njerëzit ndryshe pas pandemisë?
Nisma e Viaggio Italiano gjithashtu përkon me një ndryshim në mënyrën se si njerëzit zgjedhin të udhëtojnë në Itali.
Shumë udhëtarë po kërkojnë përvoja më të ngadalta dhe më gjithëpërfshirëse në Itali. Disa vizitorë po i shmangen gjithashtu hoteleve të qytetit dhe po zgjedhin të qëndrojnë në vende më rurale, duke favorizuar akomodimin në fshatra të vegjël dhe agroturizmin. / Euronews