Dy kompanitë më të mëdha të tregut të telefonisë celulare janë gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës në fund të janarit, por vetëm tani janë zbuluar arsyet e këtij vendimi. Vodafone dhe Telekom Albania duhet të paguajnë nga 0.02% të xhiros së vitit paraardhës si gjobë të vendosur prej Konkurrencës. Respektivisht Vodafone duhet të paguajë mbi 3 milionë lekë ndërkohë që Telekom-i rreth 1.8 milionë lekë.
Referuar vendimit të Komisionit të Konkurrencës, arsyeja për masën lidhet me mosdhënien e informacionit të kërkuar nga kompanitë, lidhur me bërjen publike të kostos për njësi për çdo shërbim të ofruar nga kompanitë. E përjashtuar nga kjo masë ka qenë Albtelecom.
Shkaku i gjobitjes
Në shtator të vitit të kaluar, Konkurrenca mbylli një hetim paraprak në tregun e telefonisë celulare, ku mes të tjerave bënte edhe një seri rekomandimesh. Një ndër to lidhej me bërjen publike të kostos për njësi për çdo shërbim të ofruar nga kompanitë e tregut të telefonisë celulare dhe afati i fundit i përmbushjes së këtij detyrimi ishte 90 ditë.
“Ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregun e telefonisë celulare, ‘Vodafone Albania’ SHA dhe ‘Telekom Albania’ SHA, deri në datë 21 dhjetor 2017, kur dhe mbaron afati i vendosur nga Komisioni i Konkurrencës për zbatimin e detyrimit sipas pikës 3 të Vendimit Nr. 475, datë 21.09.2017, nuk kanë depozituar asnjë informacion pranë Autoritetit të Konkurrencës lidhur me masat e marra për aplikimin dhe publikimin e çmimit për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) që përmbajnë paketat standard”, thuhet në vendimin e Konkurrencës të zbardhur nga “Monitor”.
E vetmja që duket se ka bërë një përpjekje për të gjetur një zgjidhje pas rekomandimit ka qenë kompania Albtelecom, e cila ka njoftuar pranë Konkurrencës se ka pajtuar një konsulent. Por pavarësisht përpjekjeve në fund as Albtelecom nuk ka arritur të përmbushë detyrimin. Duke qenë se situata përkoi edhe me mbylljen e Plus dhe kalimin e frekuencave të kësaj të fundit tek Telekom dhe Vodafone, Albtelecom ka argumentuar se në pozicionimin e ri në treg është shumë modest në raport me kompanitë e mëdha që kishin 80% të tregut.
Në fund të dhjetorit 2017 ndaj dy kompanive të tjera është kërkuar informacion për rekomandimin e publikimit të kostos për njësi dhe në janar janë thirrur në një seancë dëgjimore ku asnjëra prej tyre nuk është paraqitur.
Konkurrenca ka monitoruar edhe faqet përkatëse të internetit të kompanive celulare duke kërkuar publikimin e çmimeve për njësi por asnjëra prej tyre nuk i ka bërë transparente.
I gjendur në kushtet e refuzimit për dhënie informacioni, Komisioni i Konkurrencës ka gjetur si zgjidhje gjobën, e cila sipas ligjit mund të shkojë deri në 10% të xhiros së vitit paraardhës financiar, por që në fund ka vlerësuar se masa duhet të ishte vetëm 0.02% e xhiros.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.