Arkeologët në Mbretërinë e Bashkuar zbuluan të enjten një mozaik të mrekullueshëm të periudhës romake, që përshkruan betejën e famshme mes dy protagonistëve të Luftës së Trojës: Akili dhe Hektori.
Vepra e artit me përmasa 11 dhe thuajse 7 metra u zbulua në kontenë e Rutland, në Anglinë Qendrore, gjatë gërmimeve të ndërlikuara të një kompleksi vilash, të përbëra nga disa struktura dhe ndërtesa të tjera që datojnë në shekullin III ose IV pas Krishtit.
Duncan Wilson, drejtues i Historic England, e cilësoi zbulimin “të jashtëzakonshëm”. Historic England është një ent publik që ndihmon njerëzit të kujdesen, t’i gëzohen dhe të vlerësojnë mjedisin historik të Anglisë. Histotic England këshilloi që siti të mbrohet përkohësisht nga Departamenti për Dixhitalizimin, Kulturën, Median dhe Sportin.
John Thomas, nga Universiteti i Leicester, tha për Press Association se “mozaiku i periudhës romake ishte zbulimi më emocionues në Mbretërinë e Bashkuar në shekullin e fundit” dhe “një shembull i ruajtur mjaft mirë i një vile në tërësinë e saj”
Ai shtoi se personi që ka kërkuar realizimin e kësaj vepre arti kishte, në mënyrë të qartë “njohuri për klasikët … dhe para për të kërkuar një vepër kaq të detajuar”
Mozaiku i gjetur në fushën e një fermeri në Rutland është vetëm një nga pak të tillë në gjithë Europën – sipas arkeologëve të Universitetit të Leicester që e zbuluan. Mozaikë të tillë janë përdorur në ndërtesa private dhe publike në të gjithë perandorinë romake. Imazhet shpesh përfaqësojnë historinë dhe mitologjinë. Në vilën e zbuluar u gjetën gjithashtu edhe mbetje njerëzore.
Jim Irvine, djali i pronarit të tokës Brian Naylor, bëri zbulimin fillestar pasi vuri re një “qeramikë të pazakontë” në një shëtitje gjatë lockdown të vitit 2020 dhe kontaktoi ekipin arkeologjik në Këshillin e Qarkut Leicestershire. Ai tha: “Familja ime e kultivon këtë tokë prej 50 apo 60 vjetësh. Të shohësh diçka që ka mbetur e paprekur për rreth 1700 vjet është e pabesueshme”.