Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se gjatë muajit shkurt vaksina anti-covid do të arrijë në Kosovë. Ai ka thënë se procesi i përgatitjes për ardhjen e vaksinave ka përfunduar.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë të hënën se vaksinat kundër koronavirusit do të arrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji.
Sipas tij, procesi i përgatitjes për ardhje të vaksinave ka përfunduar, që nënkupton planin e imunizimit dhe sigurimin e zinxhirit të ftohjes.
“Tash jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina anti-covid do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensve në qendrat e mjekësisë familjare”, ka thënë Zemaj, pa përmendur ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
Ai ka paralajmëruar edhe nisjen e fushatave vetëdijësuese, sepse siç ka thënë Zemaj ky proces ka tendencë të përballet me teori të konspiracionit në Kosovë, si edhe në shumë vende tjera të botës.
“Fondin e kemi prej 40 milionësh të siguruara nga taksat. Për rastet e reja të variantit të Covidit, ne ju kemi informuar, ata janë raste të kontaktit dhe janë drejt shërimit”, ka thënë ai.
Zemaj ka përmendur se problemet me sigurim të vaksinës janë evidente në gjithë Evropën, mirëpo ka shpresuar se kompanitë me të cilat ka negociuar Kosova, do ta mbajnë premtimin.
Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Megjithatë, kompania amerikane, Pfizer nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Zyrtarët e saj kanë thënë vetëm se janë në diskutime për këtë çështje dhe se negociatat janë konfidenciale.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi të dielën, se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, gjashtë pacientë kanë vdekur dhe janë regjistruar 287 raste të reja me COVID-19.
Që prej 13 marsit të vitit 2020, e deri më 31 janar 2021, Kosova ka regjistruar 60.218 raste me COVID-19. Prej tyre, 1.498 pacientë kanë vdekur dhe 52.437 janë shëruar. Raste aktive janë 6.283.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.