Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të dielën ka vizituar Aeroportin e Prishtinës për të siguruar ambient të sigurt për ardhje dhe vajtje të bashkatdhetarëve. Ai ka treguar se inspektorët dhe policia kanë vazhduar inspektimin edhe në pishina, qendra tregtare e kafiteri.
Zemaj ka thënë që janë gjobitur dhe mbyllur, të gjitha bizneset që nuk i kanë respektuar masat kundër Covid-19.
“Për të siguruar ambient të sigurt për ardhje dhe vajtje të bashkatdhetarëve, së bashku me inspektorët dhe drejtues të Policisë së Kosovës, sot kam vizituar Aeroportin e Prishtinës! Ndërkohë, inspektorët dhe policia kanë vazhduar inspektimin edhe në pishina, qendra tregtare e kafeteri. Janë gjobitur dhe mbyllur, të gjitha bizneset që nuk i kanë respektuar masat kundër Covid-19”, thotë ministri i Shëndetësisë.
Ministri Zemaj ka paralajmëruar gjithashtu ashpërsim të masave.
“Ashpërsimi i zbatimit të masave do të vazhdojë. Nuk do të lejojmë që nga të papërgjegjshmit të dëmtohen jeta dhe ekonomia e të gjithëve”, ka shkruar Zemaj.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se 13 persona me koronavirus kanë vdekur dhe gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 245 raste të reja me këtë virus, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Rastet e reja me koronavirus, dalin pas testimit të 468 mostrave.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë arrin në 249, ndërkaq një ditë më parë kjo shifër ishte 236.
Që prej 13 marsit, kur u shënuan rastet e para me COVID-19 në Kosovë janë regjistruar 8,799 raste me koronavirus.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë shëruar edhe 133 pacientë duke bërë që numri i përgjithshëm i të shëruarve të arrijë në 4,863. Raste aktive ndërkaq janë 3,687.
Policia e Kosovës ka treguar se gjatë 24 orëve të fundit, ka arrestuar persona që nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit dhe po ashtu ka mbyllur lokale.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës ka ndaluar të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare private, si dhe grumbullimin e më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe e të tjera.
Sipas masave të reja, pishinave të hapura u është ndaluar aktiviteti, por kjo masë nuk vlen për pishinat e mbyllura, të cilat mund të punojnë, në përputhje me rekomandimet e Manualit të Ministrisë së Shëndetësisë për luftën kundër koronavirusit.
Sipas vendimit të qeverisë të datës 28 korrik, lokalet e gastronomisë e kanë të ndaluar që të punojnë pas orës 22:30 deri në orën 5:00.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.