Argjentina ka shumë të përbashkëta me tregjet e djeshme të vendeve në zhvillim, por shumë pak me tregjet e sotme
Deficiti i lartë, inflacioni i theksuar, monedha vendase në rënie, rritja e normave të interesit, rënia e rezervave dhe një kthesë modeste në drejtim të FMN-së. Argjentina, mesa duket, po përjeton një krizë financiare klasike të tregjeve në zhvillim, e cila arriti kulmin me vendimin e fundit të qeverisë javën së kaluar, ku kërkohej një hua nga fondi, një institucion që i frikësohet Argjentinës pothuajse po aq sa edhe Argjentina frikësohet prej tij, shkruan The Economist.
Vendi nuk po përjeton krizën e së kaluarës, sepse Argjentina ka sot një qeveri reformiste, e cila synon kryesisht të bëjë gjënë e duhur, në vend të administratave populiste që e kanë dëmtuar këtë vend në të kaluarën. Por gjithsesi problemet e saj mbeten reale.
Të shumtë janë ata që pyesin veten nëse do të kenë mundësi të përhapen në tregje të tjera në zhvillim. Ekzistojnë edhe disa ekonomi të cilat ndajnë një ose dy prej problemeve të saj më të rëndësishme. Por fatmirësisht, asnjë ekonomi tjetër nuk ka të gjitha problemet e saj.
Norma e inflacionit të Argjentinës, e cila tejkalon 25%, duket se i përket një bote të humbur. Në mesin e disa prej ekonomive të rëndësishme, si në Egjipt, Nigeri dhe Turqi, Venezuela është në një tjetër planet. Tani ajo është nën objektivin e qeverisë në Brazil, Kinë dhe Rusi (ndër të tjera) dhe nën objektivin e qeverisë në Tajlandë. Autoritetet monetare të këtyre vendeve e kanë fituar tashmë betejën për stabilitetin e çmimeve, me të cilën Argjentina është duke luftuar.
Në disa ekonomi në zhvillim, duke përfshirë Brazilin, Egjiptin dhe Indinë, financat e qeverisë janë në nivele më të këqija sesa në Argjentinë. Sipas FMN-së, deficiti fiskal i Brazilit parashikohet të tejkalojë 8% të PBB këtë vit, krahasuar me një deficit të përgjithshëm prej 5.5% për Argjentinën. Por, edhe pse qeveritë e këtyre vendeve po shpenzojnë më shumë para sesa ato kanë mundësi, sektorët privatë po ia dalin më së miri.
Për këtë arsye, deficitet e mëdha fiskale të këtyre shteteve nuk janë përkthyer në deficite të njëpasnjëshme të llogarisë rrjedhëse të pjesës tjetër të botës. Edhe pse shumë tregje në zhvillim kanë borxhe të larta, ata nuk ndjekin modelin e vjetër të Argjentinës për të marrë hua në monedhat e vendeve të tjera.
Sipas Institutit të Financave Ndërkombëtare, pothuajse 64% e borxhit të kombinuar të Argjentinës (ndërmjet borxhit qeveritar dhe të korporatave) janë të shprehura në dollarë dhe në monedha të tjera të huaja. Ndër tregjet e mëdha në zhvillim, vetëm Turqia me 56% mund të krahasohet me një nivel të tillë. Ndërsa Tailanda dhe Brazili e kanë 17% dhe 16% secili.
“Hapini rrugë”
Inflacioni i ulët, deficitet modeste të llogarisë rrjedhëse dhe borxhi i kufizuar në valutë të huaj janë disa nga elementet që i diferencojnë nga tregjet e sotme në zhvillim nga pesoja dhe nga e kaluara. Por këto elemente nuk i bëjnë ata imunë ndaj forcave financiare që kanë goditur peson. Të gjitha ekonomitë në zhvillim, madje edhe disa prej më të mëdhave, duhet të vazhdojnë të kenë si referencë Rezervën Federale me rritjen e bonove amerikane të thesarit, dhe forcimin e dollarit. Në shumë raste, normat e interesit të tyre afatgjata janë të ndjeshme ndaj bankës qendrore amerikane, po aq sa janë edhe ndaj bankës së tyre. Por sjelljet e tyre të reja u japin vendeve në zhvillim më shumë hapësirë për kryerjen e manovrave të ndryshme.
Ata mund të lehtësojnë normat e interesit në qoftë se kostot e huamarrjes rriten shumë. Dhe në rast rrjedhjeje kapitali, ata mund të lejojnë që monedhat e tyre të bien pa shkaktuar turbullira në ekonomi. Kjo për shkak se ato nuk duhet të shqetësohen se një rritje e menjëhershme në çmimet e importit do të përkthehet në një inflacion të vazhdueshëm ose që një kurs këmbimi më i dobët do t’i bëjë borxhet e dollarit të pamundura për t’u shlyer. Këto dallime ndërmjet Argjentinës dhe grupit të tregjeve të tjera në zhvillim nuk kanë kaluar pa u vënë re.
Por në përpjekjet e shumta në luftën kundër inflacionit, deficitit, borxhit ndaj dollarit dhe zhvlerësimit, ekonomia e Argjentinës i ngjan më shumë një tregu klasik të vendeve në zhvillim në krahasim me ato vende që etiketohen si të tillë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.