Zëvendësimi nga teknologjia, numri i transfertave bankare në degë ra për të gjashtin vit radhazi

29/03/2021 11:00 AM 0 komente

Transfertat bankare në degë pësuan rënie për të gjashtin vit radhazi vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i transfertave bankare në formë letër vitin e kaluar zbriti në 5.4 milionë për vitin 2020, nga 5.6 milionë që kishin qenë një vit më parë.

Ulja e numrit të veprimeve në degë erdhi nga klientët biznes, ndërsa për individët transfertat bankare në degë shënuan sërish një rritje të lehtë. Ulja e numrit të veprimeve në degë është një tendencë afatgjatë, që lidhet me zëvendësimin gradual të një pjese të veprimeve përmes kanaleve në distancë.

Gjithmonë sipas Bankës së Shqipërisë, numri i transfertave bankare në formë jo-letër vitin e kaluar arriti në 4.12 milionë, nga 3.62 milionë që kishin qenë një vit më parë. Kanali dominues për veprimet në distancë ngelet internet banking, me 67% të veprimeve totale, i ndjekur nga mobile banking me afërsisht 30%. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në fund të vitit 2020 në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33%. Përdorimi i internet banking është rritur për të dymbëdhjetin vit radhazi, ndërkohë që vetëm në harkun e pesë viteve të fundit, numri i llogarive të aksesueshme nga interneti është katërfishuar.

Vitin e kaluar, nga rreth 9.5 milionë transferta krediti të realizuara nga klientët e bankave tregtare shqiptare, rreth 43% ishin transferta të urdhëruara në distancë, nga 38.5% që kishte qenë pesha e këtyre transfertave një vit më parë. Shifrat tregojnë se pandemia dhe kufizimet i kanë dhënë një shtysë edhe më të fortë rritjes së përdorimit të shërbimeve bankare nëpërmjet kanaleve teknologjike. Veç masave kufizuese, promovimi i kanaleve bankare në distancë u nxit akoma më shumë pas shpërthimit të pandemisë, i nxitur më tej edhe nga masat rregullative të Bankës së Shqipërisë, që gjatë mbylljes së ekonomisë pezulloi komisionet për pagesat ndërbankare. Ndërkohë, me ndryshimet e përhershme rregullative të miratuara në mesin e vitit, u përcaktua se komisionet për transfertat nëpërmjet internetit duhet të jenë të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen në sportelet e bankave. Transfertat e vogla deri në shumën e 20 mijë lekëve do të kryhen pa asnjë komision.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of