Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z.Elton Haxhi, në kuadër të zbatimit të Planit Operacional Stop Informalitetit, inspektoi disa subjekte në zonën e plazhit të Shëngjinit, i shoqëruar edhe nga drejtues të Hetimit Tatimor Rajoni Verior.
Nga informacionet e referuara nga strukturat e Hetimit Tatimor, një pjesë e konsiderueshme e tatimpaguesve të mëdhenj, të cilët janë vizituar gjatë kësaj periudhe, kanë rezultuar me shkelje të legjislacionit.
“Është një tregues jo pozitiv, por që shërben për të ndërgjegjësuar pjesën tjetër të tatimpaguesve, si edhe ata që janë konstatuar me shkelje. Plani Operacional do të vazhdojë të zbatohet dhe efektet e tij po ndihen. Kemi shtim të ndjeshëm të numrit të kuponëve të prerë, rritje të xhiros, si dhe të subjekteve të reja që janë regjistruar në muajin korrik, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka tregon se kemi pasur ndikim në përputhshmërinë me legjislacionin tatimor”, tha zv/ministri Haxhi.
Sipas drejtorit të Hetimit Tatimor Rajoni Verior z. Agim Shimaj në muajin korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një shtim prej 166 biznesesh më shumë, kryesisht në njësitë akomoduese dhe bar-restorante.
“Gjithashtu, kemi xhiro të shtuar krahasuar me të njëjtën periudhë. Nga një përllogaritje paraprake janë rreth 136 milionë lekë më shumë sesa viti i kaluar dhe 130,000 kuponë të lëshuar më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë”, tha z.Shimaj.
Për zbatimin e Planit Operacional Stop Informalitetit, strukturat e Hetimit Tatimor janë duke bashkëpunuar edhe me institucione të tjera ligj zbatuese dhe kjo ka sjelle rritje të efektivitetit, si dhe ndërgjegjësimin e subjekteve për detyrimet që ata kanë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.