Zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore për kandidatët që garojnë për një vend në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Fushata për zgjedhje të parakohshme zgjat vetëm 10 ditë. Në zgjedhjet e 14 shkurtit do të marrin pjesë 28 subjekte politike. Në garë për kryeministër janë Enver Hoxhaj nga PDK, Albin Kurti i LVV dhe Avdullah Hoti nga LDK .
Fushata për zgjedhjet e parakohshme 2021 në Kosovë ka filluar sot zyrtarisht dhe do të vazhdojë deri më 12 shkurt.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, ku në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë.
Në këto zgjedhje janë 143.006 votues më pak sesa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 dhe kjo ka ndodhur pasi që është bërë pastrimi i listave nga personat e vdekur dhe nga ata me dokumente të UNMIK-ut.
Në listë janë mbi 102 mijë votues nga diaspora, që janë verifikuar gjatë ditëve të kaluara.
Qytetarët që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 deri më 12 shkurt për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
Ndërkaq, identifikimi i personave të cilët janë të infektuar me coronavirus do të fillojë sot më 2 shkurt nga KQZ-ja dhe do të zgjasë deri më 11 shkurt. KQZ-ja do të dërgojë ekipe mobile te personat të cilët shprehin vullnetin për të votuar nëpër adresat e tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte partia e parë që hapi fushatën menjëherë pas fillimit të afatit zyrtar mbrëmë në mesnatë, përmes një video-materiali, në të cilin kandidati për kryeministër Avdullah Hoti shpalosi zotimet dhe prioritetet e tij në mandatin qeverisës.
Vetëvendosje kandidat për kryeministër në garën e 14 shkurtit ka Albin Kurtin, i cili gjatë shpalosjes së programit qeverisës tha se ai është bartës i listës, pavarësisht se KQZ e ka lënë jashtë duke zbatuar kështu aktgjykimin e Kushtetueses se në garën zgjedhore nuk kanë të drejtë pjesëmarrjeje personat e dënuar për vepra të ndryshme penale në tri vjetët e fundit.
Listës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i prin Enver Hoxhaj që kandidon për postin e kryeministrit.
Listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i prin Ramush Haradinaj, i cili nuk synon postin e kryeministrit, por atë të presidentit të vendit.
Nisma Socialdemokrate kandidat për kryeministër ka Fatmir Limajn.
Për procesin zgjedhor tashmë janë angazhuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Prokuroria, Policia e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
KQZ-ja, që është institucioni përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, konsideron se janë arritur kapacitetet e mjaftueshme për ta mbikëqyrur dhe organizuar vetë procesin zgjedhor.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se ky institucion bart barrën kryesore të organizimit të zgjedhjeve.
Daka shtoi se organizimi i zgjedhjeve nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin ndërinstitucional.
“Jemi të vetëdijshëm që bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për ti shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Qëllimi ynë është që zgjedhjet të mbahen në përputhje me ligjin dhe të reagojmë kur cenohet integriteti i zgjedhjeve dhe e drejta e votës”, ka thënë Daka.
Ajo ka shtuar se KQZ është angazhuar vazhdimisht për organizim të zgjedhjeve të besueshme dhe me standard të lartë.
Laura Pula, koordinatore nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se sistemi prokurorial është angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë për qytetarët e Kosovës.
Pula ka thënë se janë angazhuar 88 prokurorë dhe 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial për këtë proces zgjedhor.
Kryesuesi i Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani ka thënë se PZAP ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për kryerjen e të gjitha aktiviteteve që janë në mandatin e PZAP-së
Ai ka bërë të ditur se të gjithë anëtarët e PZAP dhe stafi i sekretariatit janë të gatshëm për shqyrtimin e të gjitha ankesave dhe apeleve që dalin nga këto zgjedhje.
Sylejmani gjithashtu tha se PZAP do të punojë me orar të zgjatur.
Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se KGJK është mobilizuar për këtë proces zgjedhor.
Ajo ka bërë të ditur se KGJK ka angazhuar 30 gjyqtarë në nivel vendi për ditën e zgjedhjeve të cilët do të jenë kujdestar dhe do tu përgjigjen të gjitha kërkesave eventuale që vijnë nga Prokuroria.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka bërë të ditur se pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, policia ka hartuar një plan operativ.
Ai gjatë konferencës së përbashkët me përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurori e Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Komisioni i Pavarur i Medieve dhe OJQ, ka garantuar se qytetarët do të jenë të sigurt në ditën e zgjedhjeve
Për të garuar në këto zgjedhje është regjistruar edhe subjekti politik më i madhi i serbëve të Kosovës, Lista Serbe dhe parti të tjera të pakicave të tjera. 10 ulëse janë të rezervuara vetëm për përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ndërsa 10 vende tjera për pakicat tjera në Kosovë.
Bashkimi Evropian ka pret që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe të jenë transparente e gjithëpërfshirëse.
Ndryshe, gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsej 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1079.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.