Gazeta “Shqip”,Ard Kola/Në vitin 2009, qeveria shqiptare “bëri” bingo, duke shitur ARMO-n dhe OSSH-në, për afro 230 milionë euro. Procesi kishte nisur në vitin 2008, por paratë u derdhën në buxhet një vit më pas, kur Kryeministri Berisha zhvilloi fushatën elektorale më të madhe në vend, duke siguruar më tej mandatin e dytë qeverisës. Këto para shkuan kryesisht për “Rrugën e Kombit”, Durrës-Kukës dhe tri ditë para zgjedhjeve Kryeministri inauguroi tunelin që kishte kushtuar 280 milionë euro.
Sot, tre vjet më pas, ose gati një vit para zgjedhjeve parlamentare të 2013-s, qeveria po përgatit të njëjtin skenar. Në procesin e shitjes së pronave publike ndodhen “Albpetroli” dhe katër HEC-et, deri dje pronë e shtetit, me kapacitet prodhues 80 megavat. Për shitje kanë dalë mbi 500 prona publike, përfshi edhe ato të ushtrisë, por vetëm te dy të parët vëmendja e Kryeministrit është më e madhe, pasi nga rezultati i tyre varet fati i buxhetit dhe i faturës së zgjedhjeve të ardhshme.
Në lojë nuk janë pak, por të paktën 300 milionë euro, shuma e përafërt nga shitja e kompanisë së naftës dhe veprave energjetike, të cilat do të mbyllen këtë muaj, duke filluar nga dita e sotme, deri më 25 korrik.
Sikurse duket nga grafiku, proceset e privatizimeve janë përdorur si mekanizëm për të garantuar para, të cilat shkojnë për fushata rrugësh dhe projekte të ndryshme. Kështu duket edhe në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005, me 15 miliardë lekë të ardhura nga privatizimet dhe në fushatën e 2007-s për zgjedhjet lokale, ku u siguruan 14 miliardë lekë.
Ky vit konsiderohet i rëndësishëm, për shkak se përkon me kohën e krizës që po përjeton vendi. Qeveria u ka borxh të paktën 100 milionë euro kompanive private, ndërsa administrata nuk po shërben si duhet, për shkak të mungesës së stimulit shkaktuar nga kursimet e tepërta.
“Albpetroli” është kryefjala e privatizimeve të këtij viti, proces ky i nisur dy vjet më parë, por që pritet të finalizohet më 25 korrik. Për kompaninë kanë shprehur interes shoqëri të huaja dhe të njohura, ndërsa qeveria nuk ka ngurruar t’i bëjë reklamë duke ftuar arabë, kinez, europianë, e madje edhe nga Amerika Latine. Gazeta “Shqip” mëson së fundmi se javën e shkuar, paketa me aksionet e kompanisë shtetërore të naftës i janë prezantuar gjigantit serb të rafinerisë, NIS-it, ku rusët e “Gazprom”-it zotërojnë 51 për qind të aksioneve. Lajmi jepet nga burime jo zyrtare, kurse nga ministria nuk pranohet plotësisht. Nuk përbën lajmi i zgjerimit të “Gazprom”-it në Ballkan dhe daljen e tij në detin Adriatik përmes Shqipërisë dhe natyrshëm që blerja e “Albpetrolit” do të ishte një manovër e duhur, sikurse nuk përbën ndonjë sensacion interesi gjithnjë e më i madh i kompanive serbe për tregun energjetik në vendin tonë.
Kompania shqiptare e naftës shikohet nga qeveria si mjeti më i fortë për të siguruar faturën e fushatës elektorale, nga ku pritet të sigurohen të paktën 150 milionë euro, a ndoshta më shumë, për shkak të transferimit të disa të drejtave, përfshi edhe kërkim nafte dhe gazi në det. “Albpetroli” siguroi vitin e kaluar një total të ardhurash me vlerë 50 milionë euro, nga shitja e naftës bruto, kryesisht te kanadezët e “Bankers”, me çmim burse. Prodhimi vjetor i kompanisë arrin në 2.4 milionë metër kub, kurse vlera e aksioneve është llogaritur nga konsulentët e huaj 13.3 miliardë lekë ose rreth 90 milionë euro.
Kryeministri e ka parë shitjen e pronës publike si mjet që çon drejt liberalizimit të tregut
Skenari
Rishikimi i buxhetit, pas privatizimeve
Ministria e Financave e kishte një skenar, atë të rishikimit të buxhetit dhe prezantimit të paketës me ndryshime në qershor, por ka ndryshuar strategji. Në muajin korrik pritet të ndodhin ndryshime të mëdha në arkën e shtetit, pasi do të shiten prona strategjike në fushën energjetike, nga ku priten të arkëtohen të paktën 300 milionë euro.
Në këto kushte, ministria e ka shtyrë miratimin e buxhetit me ndryshime për në muajin shtator, për t’i dhënë më shumë kohë llogaritjeve rreth bilancit në arkën e shtetit, nga ku shpresohen rregullime, kësaj here për mirë. Deri atëherë, të gjitha vendimet për rritje pagash dhe pensionesh do të miratohen me VKM, pa qenë nevoja e rishikimit.
2001 – Periudha kur socialistët marin mandatin e dytë qeverisës, me shitjen e licencave telefonike për 12 miliardë lekë te AMC dhe Vodafone
2004 – Një vit para zgjedhjeve parlamentare, qeveria socialiste arrin të shesë Bankën e Kursimeve për 15 miliardë lekë te austriakët e “Raiffeisen”
2007 – Është periudha e zgjdhjeve lokale, kur qeveria arrin të sigurojë shumën 14 miliardë lekë nga shitja e “Albtelecom” te turqit e “Çalik”
2009 – Periudha e artë e demokratëve, pasi me shitjen e ARMO-s dhe të OSSH-së për afro 25 miliardë lekë, sigurojnë mandatin e dytë qeverisës
Faktet
“Gazprom” – Kompania ruse zotëron 51% të aksioneve të rafinerisë serbe, NIS, e cila mësohet se ka shprehur interes për kompaninë shqiptare të prodhimit të naftës, “Albpetrol”, tashmë në privatizim
Korriku – Ky muaj konsiderohet tepër i rëndësishëm për fatet e mazhorancës qeverisëse, pasi nga shitja e kompanisë “Albpetrol” dhe të 4 HEC-eve shpresohet të arkëtohen të paktën 300 milionë euro
Inaugurimi – Në vitin 2009, qeveria “Berisha” mori mandatin e dytë, ku tri ditë para zgjedhjeve inauguroi tunelin e Kalimashit, me vlerë 280 milionë euro, paratë e të cilës u siguruan nga privatizimet
Proceset
Rasti i hotel “Dajtit” dhe i HEC-it Lanabregas për të dalë nga situata
Shitblerjet e shtetit brenda shtetit me pronat
Nga shitja e ish-hotel “Dajtit” te BSH-ja, qeveria siguroi për arkën e shtetit rreth 30 milionë euro
HEC-i i Lanabregas-it ka një kapacitet të instaluar prej 5 MW dhe një prodhim vjetor prej rreth 37 mijë MWh
Manovra – Manovra e pagesës për blerjen e hotelit ishte paradhënia e tatim-fitimit
Lajmi se Banka e Shqipërisë do të blinte hotel “Dajtin” për 30 milionë euro ishte i pari për nga lloji i informacionit dhe natyrshëm nuk kaloi me bujë, ku madje nuk munguan as akuzat për favorizime dhe blerje mandatesh për guvernatorin.
Ky proces përkoi në verën e 2010-s, një vit para zgjedhjes së guvernatorit Fullani dhe të fushatës së madhe për krerët e bashkive, sidomos atë të Tiranës. Ish-hotel “Dajti” pozicionohet në qendër të Tiranës, fare pranë Kryeministrisë dhe ankandet për ta rigjallëruar kishin dështuar. Kështu të paktën ishte shprehur zyrtarisht qeveria. Vlera e objektit nuk mund të thuash me saktësi se sa kushtonte, por debati u shtri në pjesën e të drejtës së shtetit për t’ia shitur pronën një institucioni, po shtetëror. Guvernatori e konsideroi një proces normal në kushtet kur banka po shikonte sakaq për truall në shërbim të godinës së re, ndërsa ministri i Financave deklaroi se shitja ishte një sukses i madh, pasi në arkën e shtetit u futën valutë 30 milionë euro. Në fakt këto para ishin paradhënie e fitimit që derdh banka si taksë te shteti dhe në kohë krize ky veprim u duk si nevojë për para nga ana e qeverisë.
Dy vjet më pas, regjistrohet rasti i dytë, kur hidrocentrali i Lanabregasit, po në Tiranë, pronë e KESH-it, pra aset shtetëror, i shitet Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Tiranë, për 15 milionë euro. Ashtu si rasti i parë, prona kaloi nga një ent shtetëror te një tjetër në këmbim të një çmimi me valutë. Shitja u krye nga Ministria e Ekonomisë për llogari të buxhetit, kurse Ndërmarrja e Ujësjellësit mori borxh te bankat për të siguruar shumën. Ky proces kaloi pa shumë transparencë dhe u nda veç nga objektet e tjera, 4 HEC-et Ulëz, Shkopet, Bistrica I dhe Bistrica II, të cilat pritet të shiten këto ditë në ankand të hapur. Hidrocentrali Lanabregas ka një kapacitet të instaluar prej 5 MW dhe një prodhim vjetor prej rreth 37 mijë MWh
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.