Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme. Mbajtja e zgjedhjeve do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 5 milionë e 651 mijë e 76 euro.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt, pasi Qeveria Hoti u rrëzua sepse sipas Kushtetueses vota e Etem Arifit ishte e pavlefshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një mbledhje të mbajtur ka njoftuar se certifikimi i partive politike do të nis nga nesër dhe do të zgjasë deri më 21 janar.
“Aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 janar dhe përfundon më 16 janar 2021. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 1 shkurt 2021.
KQZ ka vendosur që fushata zgjedhore të jetë nga 3 deri më 12 shkurt.
“Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 shkurt dhe përfundon më 12 shkurt 2021”, është thënë në mbledhje të KQZ-së.
Periudha e votimit me postë fillon më 2 shkurt dhe përfundon 24 orë para zgjedhjeve.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se janë të detyruar të fillojnë përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
“Shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve do të kemi reformë zgjedhore dhe do të adresohen të gjitha çështjet. Ky është plani operacional dhe këto afate do të jenë të qasshme në faqen e KQZ-së posa të aprovohen në këtë mbledhje”, ka thënë ajo. “Jemi të detyruar të fillojmë përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve do të kemi reforma zgjedhore dhe do të adresohen të gjitha çështjet”.
Daka ka bërë me dije se për këto zgjedhje janë paraparë të shpenzohen 5 milionë e 560 mijë euro.
“Ky është plani operacional dhe këto afate do të jenë të qasshme në faqen e KQZ-së, posa të aprovohen në këtë mbledhje. 5 milionë e 560 mijë do të jetë projeksionbuxheti, por nuk do të thotë që i gjithi do të harxhohet. Shumë shpejt do t’ia bëjmë kërkesën Qeverisë për alokimin e këtyre mjeteve”.
Ndryshe, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar që zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të mbahen më 14 shkurt.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se “duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”
Shpallja e datës së zgjedhjeve pason publikimin e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që konstatoi se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte bërë në mënyrë jokushtetuse.
Kjo për shkak se për Qeverinë Hoti kishte votuar Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një dënim të formës së prerë, për veprën penale “mashtrim me subvencione” me dënim prej më shumë se një viti./Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.