Zgjedhjet e shëmtuara amerikane, kundërshtimi i rezultatit në nëntor mund të jetë i rrezikshëm

03/10/2020 10:00 PM 0 komente

Dita e Punës shënon fillimin e fazës më të rëndësishme të zgjedhjeve presidenciale amerikane. Dhe këto zgjedhje pritet të jenë vërtet të shëmtuara, shkruan The Economist.

Mbështetësit e presidentit po përplasen me protestuesit e Black Lives Matter në Portland, Oregon. Donald Trump udhëtoi në Kenosha, Wisconsin, për të pozuar në foto para ndërtesave të djegura, një javë pasi policia qëlloi dhe paralizoi një afro-amerikan të paarmatosur dhe një nga mbështetësit e presidentit qëlloi dhe vrau dy demonstrues, ndoshta në vetëmbrojtje.

Duke ndjekur tashmë prej kohësh një strategji që kërkon të përfitojë nga frika e trazirave, presidenti ka interes ta nxisë këtë frikë. Shumë amerikanë shqetësohen se nëntori nuk do të sjellë një ushtrim të butë të demokracisë, por mosmarrëveshje të dhunshme dhe një krizë kushtetuese.

A është kjo një hiperbolë? Amerika ka pasur zgjedhje të dhunshme dhe të kontestuara edhe në të kaluarën. Në vitin 1968, kandidati për president Bobby Kennedy u vra. Në vitin 1912, Teddy Roosevelt u qëllua në kraharor, ndërsa po mbante një fjalim në Wisconsin. (Ai e mbaroi fjalimin para se të nisej për në spital dhe mbijetoi.) Historianët ende debatojnë se kush i fitoi me të vërtetë zgjedhjet e vitit 1876.

Megjithatë, humbësit gjithmonë e kanë pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale – madje edhe në mes të luftës civile. Kjo rrjedhë e vazhdueshme tregon se pesimistët duhet të tregohen të matur. Sidoqoftë, ekziston një rrezik i vërtetë që gjërat të shkojnë për keq në nëntor.

 

Rreziqet

Në një vend demokratik, për të siguruar transferimin paqësor të pushtetit, është e nevojshme që kandidatët humbës dhe shumica e mbështetësve të tyre, të pranojnë humbjen. Kur rezultati i zgjedhjeve është i qartë, kjo është e lehtë: humbësit mund ta urrejnë atë, por në fund e pranojnë dhe fillojnë të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme. Kur rezultati është i paqartë, nevojitet një sistem rezervë. Rezultatet e kontestuara të zgjedhjeve janë të rralla në demokracitë e pjekura perëndimore, por ka raste kur ndodhin.

Në vitin 2006, në Itali, Silvio Berluskoni humbi me një diferencë të ngushtë dhe pretendoi pa prova, se kishte pasur mashtrime të mëdha në zgjedhje. Gjykata e Lartë e vendit e hodhi poshtë pretendimin e tij dhe zoti Berluskoni u dorëzua me ngurrim. Në vitin 2000, zgjedhjet presidenciale të Amerikës u vendosën në Gjykatën e Lartë pas kontestimit të rinumërimeve në Florida. Në të dyja rastet, dekretet nga gjyqtarët ishin të mjaftueshme për t’i dhënë fund debatit dhe për ta lënë vendin të ecte përpara.

Në rastin e një fitoreje të madhe për zotin Trump ose Joe Biden, rreth gjysma e amerikanëve do të mbeten të zhgënjyer. Shumë demokratë e shohin zotin Trump si një kërcënim për demokracinë. Nëse ai fiton sërish, miliona prej tyre do të zhgënjehen pa masë. Në të kundërt, mes republikanëve, zoti Trump ende gëzon një nivel vlerësimi prej 87%.

Nëse ai humbet, shumë do të ankohen se pala tjetër mashtroi në zgjedhje. Por kjo nuk ka gjasa të pengojë transferimin e qetë të pushtetit nëse marzhi i fitores është i madh. Nëse zoti Trump do të humbte me tetë pikë, siç tregojnë aktualisht sondazhet, është praktikisht e pamundur të kundërshtohet rezultati në mënyrë bindëse – pavarësisht se ai mund ta provojë, duke nxitur trazira të mëtejshme.

Nëse rezultati i zgjedhjeve është shumë më i ngushtë, gjërat mund të bëhen edhe më të shëmtuara. Sistemi amerikan është i pazakontë në shkallën e pushtetit që u jep mbështetësve republikanë dhe demokratë për të administruar zgjedhjet.

Vendime si, kush hiqet nga listat e votuesve kur ato përditësohen, modeli i fletëve të votimit, ku duhet të ndodhen qendrat e votimit, nëse lejohet votimi i parakohshëm dhe sa njerëz duhet të jenë të pranishëm për të dëshmuar një votim me postë – procese që në demokracitë e tjera të pjekura lihen në duart e komisioneve të paanshme – në Amerikë, vendosen nga njerëz të deklaruar si demokratë ose republikanë. Nëse rezultati është i ngushtë, kjo çon në diskutime të ashpra dhe përfundon nëpër gjykata të kryesuara nga gjyqtarë, të cilët gjithashtu janë emëruar nga guvernatorë dhe presidentë republikanë ose demokratë.

 

 

Dobësitë ligjore

Sikur kjo të mos ishte mjaft shqetësuese, Covid-19 mund të nxjerrë në pah edhe më tepër dobësitë ligjore. Tashmë, nga fushatat janë ngritur më shumë se 200 procese gjyqësore të lidhura me Covid-19. Provat nga zgjedhjet paraprake të partive tregojnë se, megjithëse disa shtete si Wisconsin, zhvilluan zgjedhje relativisht të rregullta duke u përballur me pengesat e virusit, të tjerë nuk ia dolën mbanë. Në Nju Jork, votat postare vazhduan të numëroheshin disa javë pas ditës së zgjedhjeve paraprake. Në nëntor, disa shtete të luhatshme, si Miçigan, do të eksperimentojnë për herë të parë me votimin me postë.

Nëse zgjedhjet janë me rezultat të ngushtë dhe ditën e votimit ka vonesa në numërimin e fletëve të votimit, mund të krijohet përshtypja sikur zoti Trump po fiton në disa shtete kyçe. Më pas, ai mund të pretendojë fitoren para daljes së rezultateve, siç bëri në Florida në zgjedhjet e ndërmjetme në vitin 2018. Ndërkohë, teksa numërohen më shumë vota postare, rezultati mund të zhvendoset në favor të zotit Biden. Kështu, Amerika do të kishte dy kandidatë që pretendonin fitoren.

Në shumë shtete, mosmarrëveshjet zgjedhore mund të përfundojnë duke u shqyrtuar në gjykata. Në këtë rast, me siguri do të shpërthenin protestat, disa prej tyre të armatosura. Presidenti mund të thërrasë rojet kombëtare, siç kërcënoi se do të bënte këtë verë, ose të dërgojë agjentë federalë në qytetet demokrate, për t’u përballur me turmat e protestuesve, siç ndodhi në Portland.

Tashmë, pas kaq kohësh, është e lehtë të harrosh efektet e rënda që pati kontestimi i zgjedhjeve presidenciale në vitin 2000. Dhe kjo mosmarrëveshje ndodhi në një kohë kur vetëbesimi amerikan ishte në pikën më të lartë, pra, para 11 shtatorit, para ngritjes së Kinës si superfuqi, para se të luftoheshin zgjedhjet nëpër mediat sociale, dhe kur zgjedhja ishte midis dy politikanëve që sipas standardeve aktuale, do të konsideroheshin centristë të moderuar.

Tani imagjinoni sikur rinumërimi në Florida të zhvillohej në disa shtete, pasi një epidemi u ka marrë jetën 200,000 amerikanëve dhe në një kohë kur presidenti në detyrë shihet si i paligjshëm dhe i urryer nga një numër shumë i madh votuesish, ndërsa nga ana tjetër, me miliona të tjerë janë të bindur se pavarësisht nga provat, lideri i tyre do të kishte fituar pa diskutim, po të mos ishin kryer mashtrime të mëdha zgjedhore.

Nëse zoti Trump do të humbiste votën popullore dhe do të fitonte në kolegjin elektoral, siç ndodhi në vitin 2016, pothuajse 40% e demokratëve thonë se zgjedhjet duhet të zhvillohen sërish. Kjo nuk duhet bërë. Nëse ai do të humbiste presidencën, pothuajse 30% e republikanëve mendojnë se do të ishte e drejtë që zoti Trump të mos largohej nga detyra nëse do të kishte pretendime për votime të paligjshme në masë – akuza që Trump i ka hedhur që tani në lidhje me votimin postar. As kjo nuk është e drejtë.

Këto zgjedhje kanë kaq shumë peshë – për Amerikën dhe për pjesën tjetër të botës – saqë zyrtarët shtetërorë duhet të bëjnë gjithçka për t’u siguruar që ato të ecin sa më normalisht, duke mos harruar se duhet të tregojnë besnikëri ndaj kushtetutës, jo ndaj partisë së tyre. Edhe një fitore e madhe zgjedhore do të shoqërohet nga tensione. Në rast të një rezultati të ngushtë, Amerika mund të mos jetë në gjendje të marrë pëlqimin e humbësve. Dhe pa të, demokracitë janë në telashe të mëdha.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of