Udhëheqësi aktual i Francës, Emmanuel Macron dhe kundërshtarja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen po shkojnë në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit, sipas parashikimeve, pas votimit të raundit të parë të dielën, shkruan Reuters.
Macron mori 28.1-29.5% të votave në raundin e parë ndërsa Le Pen fitoi 23.3-24.4%, sipas vlerësimeve të veçanta nga anketuesit Ifop, OpinionWay, Elabe dhe Ipsos.
Ky rezultat i mundshëm po çon drejt një dueli midis një liberali ekonomik me një këndvështrim globalist, që ka Macron dhe një nacionalisteje ekonomike thellësisht euroskeptike, e cila, deri sa filloi lufta në Ukrainë, ishte një admiruese e hapur e presidentit rus Vladimir Putin.
Kandidatja socialiste Anne Hidalgo, e cila u rendit sipas parashikimeve në vendin e nëntë me pak më pak se 2% të votave, mbështeti Macron. “Që Franca të mos bjerë në urrejtje ndaj të gjithëve kundër të gjithëve, ju bëj thirrje solemnisht të votoni më 24 prill kundër ekstremit të djathtë të Marine Le Pen”, tha ajo.
Kandidatja konservatore Valerie Pecresse tha gjithashtu se ajo do të votonte për Macron, duke paralajmëruar “pasoja katastrofike” nëse ai nuk fitonte balotazhin. Por kandidati rival i ekstremit të djathtë Eric Zemmour do t’u bëjë thirrje mbështetësve të tij që të votojnë Le Pen, tha për BFM TV Marion Marechal – e cila është një aleate e Zemmour dhe mbesës së Le Pen.
Prej dy dekadash, asnjë kandidat nuk ka fituar dy mandate presidenciale radhazi.
Gati një muaj më parë, Macron dukej pothuajse i sigurt se do ta fitonte madatin e dytë, duke pasur rezultat të mirë në sondazhe të larta falë rritjes së fortë ekonomike, një opozite të fragmentuar dhe rolit të tij shtetar në përpjekjen për të shmangur luftën në krahun lindor të Europës.
Por ai pagoi një çmim për hyrjen e vonuar në fushatë gjatë së cilës ai shmangu udhëtimet në Francën provinciale, duke mbajtur një miting të vetëm të madh jashtë Parisit. Edhe një plan për t’i bërë njerëzit të punojnë më gjatë rezultoi gjithashtu jopopullor.
Në të kundërt, Le Pen për muaj të tërë vizitoi qytete dhe fshatra në të gjithë Francën, duke u fokusuar në çështjet e kostos së jetesës që shqetësojnë miliona njerëz dhe duke prekur zemërimin ndaj elitës politike.