Udhëheqësja e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni ka shpallur fitoren në zgjedhjet e Italisë dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministrja e parë femër në vend.
Zonja Meloni pritet të formojë qeverinë më të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kjo do të alarmojë pjesën më të madhe të Europës pasi Italia është ekonomia e tretë më e madhe e Bashkimit Europian.
Duke folur pas votimit, Meloni tha se partia e saj Fratelli d’Italia do të “qeveriste për të gjithë” dhe nuk do të tradhtonte besimin e njerëzve.
“Italianët kanë dërguar një mesazh të qartë në drejtim të një qeverie të djathtë nën drejtimin e Fratelli d’Italia” u tha ajo gazetarëve në Romë, duke mbajtur lart një tabelë ku shkruhej “Faleminderit Itali”.
Më shumë se 50 milionë italianë votuan të dielën për parlamentin e ri. Fratelli d’Italia arriti të marrë më shumë vota, se partia Lega dhe Forza Italia së bashku, me një rezultat 26%. Kurse rivalët politikë të majtë dhe të qendrës nuk u bashkuan në këto zgjedhje. Aleanca zgjedhore e socialdemokratëve nën ish-kryeministrin Enrico Leta me partitë e majta dhe Të Gjelbrit dilnin në prognoza me rreth 25,5% të votave. Socialdemokratët e Letas e pranuan humbjen të dielën dhe bënë të ditur, se do të kalojnë në opozitë. Në zgjedhjet e së dielës (25.09.22) Lëvizja Pesë Yjet arriti të marrë vetëm 13,5 deri në 17,5% të votave.
Aleanca e kampit të djathtë të zonjës Meloni – e cila përfshin gjithashtu partinë Lega e ekstremit të djathtë të Matteo Salvinit dhe qendrën e djathtë të ish kryeministrit Silvio Berlusconi, Forza Italia – do të marrë kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Deputetëve, me rreth 44% të votave.
Suksesi dramatik i partisë së saj në votim fshehu faktin se aleatët e saj performuan dobët, me partinë e Salvinit që ra nën 9%, dhe Forza Italia edhe më poshtë.
Vendimi se kush do të bëhet lideri i ardhshëm i Italisë i takon presidentit Sergio Mattarella dhe kjo do të marrë kohë.
Edhe pse Giorgia Meloni ka punuar shumë për të zbutur imazhin e saj, duke theksuar mbështetjen e saj për Ukrainën dhe duke zbehur retorikën anti-BE, ajo drejton një parti të rrënjosur në një lëvizje të pasluftës që u ngrit nga ish-funksionarë të diktatorit, Benito Musolini./ BBC