Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Partia që drejtohet nga Albin Kurti, dhe që udhëheq Qeverinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti ta ruajë frymën e fitores nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit edhe në nivel lokal.
Ky subjekt nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë, edhe pse në disa doli forcë e parë. Kandidatët e kësaj partie do të shkojnë në balotazh në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Gjakovë.
Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar pesë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Lipjan dhe Pejë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan dhe Suharekë.
Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.
Ndërsa në balotazh do të shkojnë 21 komuna.
Në Prishtinë në raundin e dytë gara do të jetë mes kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosjes(LVV), Arben Vitia dhe kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama.
Gjakova në balotazh shkon me kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini dhe kandidatja e Vetëvendosjes(LVV), Mimoza Kusari-Lila.
Balotazh shkon edhe Komuna e Gjilanit. Në garë janë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje(LVV), Alban Hyseni dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri.
Edhe në Podujevë në garë do të jenë kandidatët e LDK-së dhe LVV-së.
Komuna tjera që do të shkojnë në balotazh janë; Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (Partia Socialdemorate -LVV), Prizreni (LVV-PDK), Vitia (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK) dhe Mamusha (Partia Demokratike Turqve të Kosovës –KDTP dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës – KATP), Gllogoci (PDK dhe Demokratët për Drenasin – DD), Kllokoti (Lista Serbe- Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS), Istog (LDK-AAK), Shtimja (PDK-LVV) dhe Rahoveci (AAK-LVV), Obiliqi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin – IQO dhe LVV), Fushë Kosova (LDK-LVV), si dhe Kaçaniku (PDK-LVV).
Nga 1 milion e 885 mijë e 448 persona, në këto zgjedhje kanë votuar 799 mijë 960 qytetarë apo të drejtën e tyre e kanë shfrytëzuar 42.50 për qind e qytetarëve.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, numrin më të madh të komunave, tetë prej tyre, e pati fituar Lidhja Demokratike e Kosovës. Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, pati fituar në shtatë komuna, Partia Demokratike e Kosovës në pesë komuna, Lëvizja Vetëvendosje në tri komuna, Aleanca për Kosovën e Re dhe Nisma patën fituar nga një komunë, si dhe dy kandidatë të pavarur fituan në dy komuna. Lista Serbe pati fituar në të 10 komunat e banuara me shumicë serbe, si dhe Partia Demokratike Turqve të Kosovës në një komunë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.