Zgjedhjet pa mbarim të Amerikës

09/01/2021 10:04 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Numërimi i fundit, deri në disfatën e Donald Trump. Presidenti ka pësuar humbje në gjykata dhe në votën popullore, por iu afrua fitores në mënyrë të paparashikueshme, shkruan The Economist

 

Katër vjet më parë, demokratët u ankuan se Donald Trump e siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale, falë avantazheve mjaft të ngushta në tre shtete, çka do të thotë se vetëm 77,774 votues bënë diferencën në rezultatin e zgjedhjeve. Këtë herë, pavarësisht se demokratët arritën një fitore të madhe në votën popullore, diferenca e Kolegjit Elektoral ishte edhe më e ngushtë.

Rezultatet përfundimtare të certifikuara tregojnë se, nëse vetëm 43,560 votues, ose 0,03% e totalit, në tre shtete (Arizona, Georgia dhe Wisconsin) do të kishin ndryshuar mendje, atëherë do të kishte pasur një barazim në Kolegjin Elektoral. Rezultati do të ishte vendosur nga një zgjedhje e rrallë, më pak mazhoritare, në Dhomën e Përfaqësuesve, ndoshta në favor të zotit Trump – dhe kështu demokratët do të kishin humbur presidencën për të tretën herë në 20 vjet, pavarësisht fitimit të votës popullore.

Sidoqoftë, ky skenar i tmerrshëm për demokratët është shmangur në mënyrë të ngushtë. Të gjitha shtetet, përveç Wisconsin, i finalizuan rezultatet e tyre deri më 8 dhjetor. Më 14 dhjetor, Kolegji Elektoral do të mblidhet dhe do të zgjedhë Joe Biden si presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara. Do ta bëjë këtë me një diferencë 306 dhe 232 vota elektorale. Pikërisht me këtë diferencë elektorale fitoi zoti Trump katër vjet më parë, rezultat të cilin atëherë ai e quajti “të jashtëzakonshëm” dhe tani e quan një mashtrim të pastër.

Tabloja e plotë e zgjedhjeve është shfaqur ngadalë. Në mbrëmjen e 3 nëntorit, zoti Trump fitoi shtetin kyç të Floridës me një lehtësi të paparashikueshme. Ai kishte rezultate paraprake më të forta se sa parashikohej në Georgia dhe North Carolina.

Në vend që të kryesonte me 10% në votën popullore, siç kishin parashikuar disa sondazhe, zoti Biden dukej se ishte thuajse në barazim me presidentin natën e zgjedhjeve në numrin e votave totale – me një diferencë të ngushtë prej 1.5%, ose vetëm 1.9 milionë vota. Duke pasur parasysh përparësinë e natyrshme të Kolegjit Elektoral për republikanët, demokratët ripërjetuan kujtimet traumatike të humbjes në dukje të paimagjinueshme të Hillary Clinton ndaj Trump, në zgjedhjet e vitit 2016.

Por, në fund, doli se diferenca e rezultatit të votës popullore nuk ishte aspak e ngushtë (shih grafikun). Tabloja e zgjedhjeve ndryshoi pjesërisht për shkak të numërimit tradicionalisht të ngadaltë të votave në bastionet e forta të Partisë Demokrate, si Kalifornia dhe Nju Jorku, dhe gjithashtu për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të amerikanëve (kryesisht me prirje demokrate) që votuan me postë në këto zgjedhje, për shkak të pandemisë Covid-19. Diferenca e votave popullore për zotin Biden është rritur deri në 4.5%, ose më shumë se 7 milionë amerikanë.

 

 

Kjo është më tepër se marzhi i Hillary Clinton prej 2.1%. Sidoqoftë, demokratët çuditërisht iu afruan humbjes së zgjedhjeve si rezultat i rregullave të Kolegjit Elektoral të Amerikës, të cilat fryjnë vlerën e shteteve të vogla, tipike me prirje republikane dhe i ndajnë votat sipas parimit “fituesi i merr të gjitha”.

Presidenti vazhdon ta mohojë humbjen, duke refuzuar të pranojë fatin e tij. Ekipi i tij ligjor, deri tani, ka shënuar një rekord mbresëlënës me një fitore dhe gati 50 humbje ligjore, në përpjekjen don kishoteske për të rrëzuar rezultatin, duke sfiduar rezultatet e zgjedhjeve në gjykatat shtetërore dhe federale.

Më 8 dhjetor, zoti Trump mori lajmin e hidhur se Gjykata e Lartë, tek e cila ai “po mbështetej” për të vëzhguar fletët e votimit dhe për t’i dhënë një mandat të dytë presidencial, kishte hedhur poshtë një padi të pazakontë, ku ekipi i Trump kërkonte të ndryshonte rezultatin e humbjes së tij në Pensilvani.

Paditësit kërkuan të hidheshin poshtë të gjitha fletët e votimit me postë në këtë shtet, gjë që do të kishte eliminuar votat e 2.6 milionë votuesve. Verdikti ishte shumë i thatë: një urdhër gjyqësor i gjatë vetëm një fjali dhe i lëshuar vetëm 34 minuta pasi paditësit, një grup prej tetë republikanësh të Pensilvanisë, paraqitën deklaratën e fundit. Asnjë gjyqtar nuk kishte mospajtim me vendimin.

Sado e pavlefshme që ishte kjo padi, ajo tërhoqi mbështetjen e 23 republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe senatorit Ted Cruz, i cili kishte ofruar të argumentonte çështjen para gjykatës. Dhe gjithsesi, kjo padi e refuzuar prerazi, nuk e fiton çmimin e padisë më të çuditshme dhe antidemokratike. Ky nder, në fakt, i takon shtetit të Teksasit, i cili paditi katër shtete të tjera – Georgia, Michigan, Pennsylvania dhe Wisconsin – në një përpjekje për të hedhur poshtë fitoret e zotit Biden ditën kur shteteve iu kërkua të finalizonin rezultatet e tyre.

Gjykata e Lartë do ta shqyrtojë këtë kërkesë vërtet qesharake, me të njëjtin ton si përpjekjen e fundit të dështuar republikane. Sipas fjalëve të Rick Hasen, profesor i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë në Irvine, ky veprim është thjesht “një njoftim për shtyp i maskuar si proces gjyqësor”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of