Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme e kanë të vështirë të gjejnë rrugën për t’u zgjeruar në tregje të huaja për shkak të kufizimeve financiare.
Të paktën 33 për qind e bizneseve që konsiderohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme të anketuara nga Këshilli i Investimeve kanë vlerësuar këtë aspekt si pengesën e tyre kryesore për të zgjeruar eksportet.
“Burimet e kufizuara financiare dhe qasja në burimet e jashtme të financimit i pengojnë NMVM-të të ndërkombëtarizohen. Analizat tona konfirmojnë se edhe pse pozitivë ndaj ndërkombëtarizimit dhe integrimit në zinxhirin e vlerës, rreth 33% e të anketuarve perceptojnë burimet e kufizuara financiare si pengesën e parë në zgjerimin e aktiviteteve të kompanive të tyre drejt eksportit” thuhet në publikimin e Këshillit të investimeve që vjen nën tematikën “Ndërkombëtarizimi i ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”.
Në anketën e zhvilluar janë intervistuar biznese në sektorin fason, të turizmit apo bujqësisë perceptimet janë të ndryshme dhe variojnë në bazë të sektorëve. Sipas studimit 44% e kompanive që operojnë në prodhim dhe 35% e kompanive që operojnë në sektorin e turizmit theksuan burimet e kufizuara financiare si pengesën e parë të rëndësishme që kufizon aftësinë e tyre për t’u integruar në zinxhirin global të vlerës dhe për të eksportuar produktet e tyre.
Pengesa e dytë që bizneset renditin sa i takon zgjerimit të aktivitetit të kompanisë drejt eksporteve është madhësia e kompanisë dhe produktiviteti. Të paktën 20 për qind e kompanive ndajnë këtë mendim.
“Niveli i ulët i përvojës në eksport përcakton aksesin e kufizuar të shumicës së NMVM-ve në tregjet globale dhe zinxhirët e vlerës. 13% e të anketuarve theksojnë se përvoja në eksport e kompanive është pengesa e tretë e rëndësishme për të hyrë në tregjet ndërkombëtare.
Nivele të ulëta të certifikimit dhe përputhshmëria me standardet ndërkombëtare i bëjnë NMVM-të shqiptare më pak konkurruese në krahasim me kompanitë e huaja duke kufizuar mundësinë e tyre të integrimit në zinxhirët globalë të vlerës. Kjo pengesë është më mbizotëruese në industrinë përpunuese dhe bujqësi. Duke iu referuar konsultimeve me kompanitë e përpunimit të tekstilit, mungesa e mjeteve financiare kufizon aftësinë e tyre për të marrë certifikime dhe rrjedhimisht është e vështirë për ta që të marrin pjesë në panaire për të ekspozuar produktet e tyre dhe për të fituar klientë të mundshëm” nënvizon publikimi i Këshillit të Investimeve.
Tre pengesat e fundit për kompanitë cilësohen logjistika, lehtësimi i tregtisë dhe aksesi në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. /N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.