Dobësia strukturore ekonomike e Ballkanit Perëndimor, me shumë mundësi do të shndërrohet në një problem politik, por BE-ja, deri më tani, nuk e ka trajtuar në mënyrën e duhur çështjen e politikës së zgjerimit
Sipas një studimi të kohëve të fundit të kryer nga Banka Botërore, ekonomive të Ballkanit Perëndimor do t’i duhet të rriten me ritme vjetore prej së paku 6%, nëse duan që të përputhen me mesataren e BE-së deri në fund të viteve 2030. Pas rreth një dekade pa kurrfarë rritjeje, të dhënat aktuale me vështirësi të madhe e kalojnë 3%, shumë të ulëta në krahasim me targetin e vendosur.
Megjithatë, një nivel i krahasueshëm i PBB-së për frymë është ai që do të duhej për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Përkundrazi, hendeku po rritet, gjë kjo që po e ekspozon edhe më shumë rajonin ndaj tundimeve populiste, nacionaliste dhe rrymave të tjera antieuropiane.
Politika e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor ka qenë një histori dështimi. Dhe një fakt i tillë duhet të pranohet, edhe nëse Brukseli do të theksojë hapjen e kapitujve të rinj negociues me Malin e Zi dhe Serbinë, ose Samitin e katërt të Ballkanit Perëndimor, duke sjellë së bashku anëtarët kryesorë të BE-së me kandidatët e pranimit në Trieste më 12 korrik (si pjesë e Procesit të Berlinit).
Të shumtë janë ata në rajonin e Ballkanit që bien dakord me dyshimin se Brukseli tregon interes vetëm kur krizat lokale kërcënojnë vetë Bashkimin Europian, si çështja e emigracionit, si një ndër burimet kryesore të krimit të organizuar dhe terrorizmit islamik, apo konfliktin e Perëndimit me Moskën.
Konsensusi i Uashingtonit dështoi plotësisht
Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë zbatuar gjerësisht reformat themelore të kërkuara nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nën të ashtuquajturin “Konsensus i Uashingtonit”. Ata i kanë hapur tregjet e tyre ndaj Bashkimit Europian, privatizuan dhe liberalizuan ekonomitë e tyre dhe vendosën politika shtrënguese.
Ideja që fshihet pas Konsensusit të Uashingtonit ka të bëjë me reformat, në përputhje me miratimin gradual të ligjeve, parimeve dhe aktiviteteve të BE-së, për të krijuar ekonomi të tregut dhe për të hapur rrugën për anëtarësimin në BE.
“Dora e padukshme” e tregut mund të shihet në punën e bërë këtu, por jo në mënyrën e parashikuar në planet e tranzicionit. Në shumë raste, nepotizmi dhe administrata e dobët publike ndalojnë shtrirjen politike dhe ekonomike në të njëjtën linjë me Bashkimin Europian.
Kjo është trashëgimia e hidhur e politikave të gabuara të privatizimit të viteve 1990, kur ndërmarrjet kolektive fillimisht u nacionalizuan dhe më pas kaluan në duart e disa manjatëve, mbi të gjitha politikisht të lidhur me njëri-tjetrin. Që prej asaj kohe, ekonomitë janë shkatërruar, me rastet gjyqësore ende në proces e sipër të gjigantëve të tillë si Agrokor-i në Kroaci dhe Delta në Serbi, që janë vetëm maja e ajsbergut.
Por pengesa më e madhe janë marrëdhëniet strukturore ekonomike të rajonit me BE-në. Marrëdhëniet financiare dhe tregtare, pozicioni gjeografik dhe lidhjet politike e bëjnë Ballkanin Perëndimor de facto një pjesë të BE-së, por me shumë mangësi dhe pa të drejta vote.
Dhe nuk ka asnjë shenjë rimëkëmbjeje: industritë pothuajse po zhduken, të paafta për të përballuar konkurrencën e Bashkimit Europian; Borxhi i jashtëm po rritet dhe papunësia vazhdon të mbetet e lartë, me pothuajse gjysmën e të rinjve nën 30 vjeç të papunë. Në vend të kësaj, po zhvillohet një sistem i fryrë i administratës dhe shërbimeve, me një intensitet të ulët të krijimit të vlerës. Investimet janë gjithashtu të papërshtatshme, veçanërisht në arsim, në kërkime dhe zhvillim.
Kjo gjë krijon një situatë ku është e pamundur të prodhohen mallra dhe shërbime të mjaftueshme për eksport dhe madje ku është e pamundur të ruhet edhe infrastruktura ekzistuese siç janë rrugët kryesore që lidhin vendet jugore të BE-së, Turqinë dhe Lindjen e Mesme me qendrën e BE-së. Faktorët nxitës të emigracionit vazhdojnë të mbeten të forta, njerëzit më të trajnuar, më të kualifikuar dhe më të motivuar drejt qendrës së BE-së.
Borxhi i jashtëm i rajonit dhe të gjitha pasojat e tij padyshim që rrjedhin nga deficiti tregtar që arrin në 98 miliardë euro që këto ekonomi të vogla të hapura grumbulluan midis 2005 dhe 2016. Në mënyrë që të ulnin deficitin, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë huazuar shuma të mëdha jashtë vendit, përsëri kryesisht nga bankat e BE-së.
Këta, nga ana tjetër, kontrollojnë pjesën më të madhe të sektorit bankar të rajonit, në mënyrë që të përfitojnë si nga huadhënia e tyre ndaj këtyre shteteve, ashtu edhe nga bizneset dhe konsumatorët e rajonit. Në një situatë të tillë, integrimi i mëtejshëm i BE-së nuk ofron asnjë tërheqje për qytetarët e rajonit. Fati i fqinjëve të tyre grekë nënvizon dyshimet nëse modeli aktual i BE-së është i drejtë edhe për ta.
Nga integrimi i Ballkanit Perëndimor, ai që mund të përfitojë është vetë Bashkimi Europian.
Ajo që kandidatët për anëtarësim në BE të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë emergjente është një perspektivë zhvillimi dhe më shumë investime publike për të dyfishuar ritmet e rritjes vjetore në të paktën 6%. Për këtë qëllim, atyre u duhet dhënë akses në fondet strukturore të BE-së, t’u lejohet pjesëmarrja në mekanizmat e stabilitetit financiar të BE-së dhe të trajtohen në të gjitha aspektet e tjera si pjesë e projektit të integrimit europian.
Është në interesat e veta ekonomike të BE-së që ta bëjë rajonin më tërheqës si për tregtinë ashtu edhe investimet, dhe për t’i dhënë mbështetjen e saj në fushën e transportit, energjisë dhe rrjeteve dixhitale. Kjo gjithashtu do të zvogëlonte presionin e emigracionit.
Përfitimet potenciale politike janë të dukshme: Një forcim i sigurisë rajonale në Europën Juglindore do të nxiste qëndrimin e BE-së në një epokë të re të gjeopolitikës. Modeli i demokracisë së BE-së mund të fitojë një kontratë të re të jetës, duke kufizuar ndikimin e aktorëve të tjerë si Rusia, Turqia, shtetet islame, si dhe administratën e çrregullt të Trump-it.
Tani është koha për të përgatitur një rikonstruksion të politikës drejt Europës Juglindore. BE-ja hyn në një cikël të ri institucional në 2019-n me zgjedhjet për Parlamentin Europian, një Komision të ri dhe një buxhet të ri të BE-së. Ndërsa nga ana tjetër, Brexit mund të krijojë hapësira për politika strukturore dhe kohezioni më aktive.
Objektivi i ri i BE-27 duhet të jetë integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Zhvillimi dhe suksesi i modelit ekonomik dhe social atje do të nxiste besueshmërinë e BE-së si një aktor strategjik dhe i aftë për të krijuar një standard të krahasueshëm jetese në të gjithë Europën.
Tobias Flessenkemper kryeson projektin e Ballkanit në Qendrën Ndërkombëtare të Formimit Europian (CIFE), në Nisë. Dušan Reljić kryeson zyrën e Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) në Bruksel. SWP këshillon qeverinë gjermane dhe Parlamentin për të gjitha çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Këtë artikull do ta gjeni edhe në website e SWP në kategorinë “Point of View”.
Përfituesit
Nga integrimi i Ballkanit Perëndimor, ai që mund të përfitojë është vetë Bashkimi Europian
Ajo që kandidatët për anëtarësim në BE të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë emergjente është një perspektivë zhvillimi dhe më shumë investime publike për të dyfishuar ritmet e rritjes vjetore në të paktën 6%. Për këtë qëllim, atyre u duhet dhënë akses në fondet strukturore të BE-së, t’u lejohet pjesëmarrja në mekanizmat e stabilitetit financiar të BE-së dhe të trajtohen në të gjitha aspektet e tjera si pjesë e projektit të integrimit europian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.