Flet Stefan Çipa, drejtor i përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave
Cilat janë programet sociale të strehimit të parashikuara me ligjin e ri?
Duke ju falënderuar për interesimin e shfaqur mbi zhvillimin e kësaj interviste, si fillim dëshiroj t’iu bëj të ditur se Enti Kombëtar i Banesave është themeluar me VKM-në nr. 198, datë 04.05.1993 “Për krijimin e Entit Kombëtar të Banesave”, i ndryshuar, dhe objekti i tij është: Financimi, ndërtimi dhe shitja e banesave në kushtet e konkurrencës së lirë, për sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme për vazhdimin e veprimtarisë, për mbështetjen e politikave sociale të strehimit dhe për sigurimin e banesave me kosto të ulët.
Në këtë kuadër, EKB ka qenë një faktor zbutës i nevojave për strehim të shtresave të ndryshme sociale, brenda kompetencave të kornizës ligjore. Ligji i ri nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”, ka si objekt përcaktimin e rregullave dhe procedurave administrative për mënyrat e planifikimit, sigurimit, administrimit dhe të shpërndarjes së programeve sociale për strehimin, me qëllim krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, duke u mbështetur në aftësitë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe në ndihmën e institucioneve shtetërore përgjegjëse.
Ligji i ri ka shtuar në 6 numrin e programeve sociale të strehimit nga 3 që parashikonte ligji i vjetër. Konkretisht, programet sociale të strehimit janë: a) programi i banesave sociale me qira, në vijim BSQ; b) programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri; c) programi i banesave me kosto të ulët, në vijim BKU; ç) programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; d) programi për krijimin e banesave të përkohshme; dh) programi i banesave të specializuara.
Sa përfitojnë realisht të pastrehët dhe si do të ndihmohen grupe të tjera, si çifte të reja apo familje me aftësi të ulëta pagese?
Përzgjedhja dhe miratimi i familjeve përfituese, në një nga programet e strehimit social, është një funksion dhe atribut i organeve të vetëqeverisjes vendore. Konkretisht, bashkitë ngarkohen që sipas sistemit të pikëzimit të përzgjedhin familjet që aplikojnë për t’u trajtuar me strehim sipas programeve përkatëse, të cilat miratohen me Vendime të Këshillit Bashkiak. Njësitë e vetëqeverisjes vendore kujdesen që familjet dhe individët, të cilët nuk kualifikohen si përfitues në njërin program, të kenë mundësi për të kaluar dhe për të përfituar në një program tjetër strehimi social, kur plotësojnë kushtet ligjore. Kriteret e përzgjedhjes së familjeve përfituese bazohen në kushtet familjare, sociale, të strehimit dhe ekonomike, ku për secilën nga këto nënndarje, nga ana e legjislacionit, janë përcaktuar kategoritë prioritare.
Ligji i ri ka si qëllim kryesor adresimin e nevojave të ndryshme për strehim dhe në këtë linjë, është zgjeruar dhe shtuar grup targeti i përfituesve nga programet sociale, ku përparësi do t’i jepet edhe kategorisë së viktimave të trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit; anëtarëve të komunitetit rom e egjiptian; të miturve në konflikt me ligjin sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, pas ekzekutimit të dënimit; vajzave nëna, etj. Në këtë kuadër, dëshiroj të përmend se nga viti 1993 deri më 2018 kanë përfituar strehim nëpërmjet EKB-së rreth 16.067 familje të kategorizuara sipas programeve të ndryshme.
Sot, Enti Kombëtar i Banesave operon në fushën e ndërtimit të banesave me kosto të ulët, në ato njësi të vetëqeverisjes vendore ku ofrohen sheshe të lira ndërtimi dhe ku kostoja e ndërtimit është më e ulët se kostoja e blerjes në treg të lirë. Familjet përfituese që trajtohen me strehim në këto banesa miratohen me Vendim të Këshillit Bashkiak përkatës.
Cilat janë projektvendimet e hartuara që do të ndihmojnë në zbatimin e ligjit?
Siç theksova edhe në fillim të intervistës, Enti Kombëtar i Banesave është një institucion ligjzbatues i politikave sociale të strehimit. Pra, në këtë kuadër, EKB u ftua që të merrte pjesë në sesionin e parë të takimit konsultativ mbi projekt-aktet në zbatim të Ligjit nr.22/2018. Projektvendimet janë hartuar si drafte nga grupi i punës, i ngritur pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me mbështetjen e Zyrës së PNUD Albania, nëpërmjet projektit “Leave no one behind”, të OKB-së, si dhe asistencën e projektit “ROMACTED” të Këshillit të Europës.
Parashikohet që, në zbatim të ligjit të ri, të nxirren 26 akte të reja nënligjore. Ndërkohë që po vijojnë diskutimet dhe puna për trajtimin dhe zgjidhjen e mënyrës sesi do të zbatohen nga ana procedurale, ligjore dhe sociale risitë që sjellin programet sociale të strehimit, referuar dhe në zbatim të parimeve dhe kuadrit ligjor të Ligjit nr. 22/2018. Gjithashtu, dua të përmend se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, në nenin 77 “Dispozita kalimtare”, është parashikuar miratimi i disa akteve nënligjore, të cilat zgjidhin njëherë e mirë problemet e mbartura ndër vite të EKB-së.
Si do të funksionojë blerja e banesave sociale në treg?
Ligji nr.22/2018 ofron si mundësi blerjen e banesave sociale në treg në rastin kur ndërtimi i banesave të reja kushton më shumë sesa vlera e banesave në treg. Banesa sociale mund të blihet nga tregu, përjashtimisht, kur vlera e banesës në treg është më e lartë se kostoja e ndërtimit, vetëm kur: vërtetohen kushte emergjente për strehim; njësia e vetëqeverisjes vendore nuk disponon truall për ndërtim banesash të reja.
Në këtë kuadër, një alternativë e re që parashikon ligji i ri është edhe neni 23 “Pronari Social”, çka do të thotë se çdo subjekt privat apo publik, që investon në banesa sociale apo disponon banesa për t’i dhënë me qira për familjet në nevojë, regjistrohet pranë njësive të vetëqeverisjes vendore.
Por jemi ende në pritje të përfundimit dhe miratimit të VKM-së përkatëse, e cila do të përcaktojë procedurat dhe mënyrat e zbatimit të këtij programi. Referuar pyetjes suaj do të ndalem pak edhe te roli i Entit Kombëtar të Banesave, për adresimin e nevojave për një strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme financiare, nëpërmjet realizimit të investimeve në ndërtimin e banesave me kosto të ulët.
Nisma e EKB-së për bashkëveprim institucional me bashkitë ishte një risi që në një hark kohor 5-vjeçar mundësoi nënshkrimin e 8 marrëveshjeve të bashkëpunimit me Bashkitë Gramsh, Berat, Lushnjë, Fier, Librazhd, Korçë, Pukë, Durrës për ndërtimin me fondet e vetë Entit të 351 të apartamenteve të reja. Njëkohësisht, po planifikojmë mundësinë e realizimit të investimeve të reja në Vlorë dhe Kuçovë.
Në qytetin e Korçës ka përfunduar ndërtimi i dy objekteve të banimit me kosto të ulët dhe eficiencë energjie. Çfarë vëmendje do të kenë në vijim banesat ekologjike?
Konstruksioni i banesave me teknologjinë e eficiencës së energjisë (veshja kapot e godinës dhe sistemi dopio vetratë) është aplikuar në të gjitha objektet e reja të ndërtuara nga viti 2014 e në vijim. Lidhur me interesimin tuaj për investimin e EKB-së në Korçë, dua të ndalem pak te historiku i saj, e cila ishte një nismë e ndërmarrë në bashkëpunim me PNUD për financimin e një projekti pilot dhe organizimin e një konkursi projektimi.
Aktualisht, ka përfunduar ndërtimi i dy godinave të banimit, konkretisht godina nr. 1 me 18 apartamente dhe godina nr. 2 me 56 apartamente. Qëllimi i këtij lloj konstruksioni është: Përmirësimi i performancës energjetike të banesave ndikon: në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve; në reduktimin e harxhimit të energjisë për ngrohje e ftohje; një jetëgjatësi më të madhe të ndërtesës; në kosto më të ulët të mirëmbajtjeje; në reduktimin e emetimeve të gazit karbonik (CO2).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.