Zgjerojmë aktivitetin dhe mbështetjen për ekonominë

22/01/2021 10:05 PM 0 komente

Intervistë me Dritan Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Tirana Bank

 

Dritan Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Tirana Bank, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se, sektori bankar arriti të reagojë mirë ndaj efekteve të krizës dhe ndikimi i saj ishte më i vogël nga sa parashikohej. Megjithatë, ai shprehet se mundësia e rritjes së kredive të këqija është sfida kryesore për bankat në vitin 2021.

Sipas z. Mustafa, kjo mund të kërkojë që masat lehtësuese të miratuara nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar të zgjaten më tej në kohë. Lidhur me perspektivën e rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare, ai thotë se ky proces do të varet edhe nga politikat mbështetëse të qeverisë për sektorin privat.

 

Si do ta vlerësonit performancën e sektorit bankar në vitin 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ishin ato më të prekshme?

Në vitin 2020, pandemia ka shkaktuar situatë krize me natyrë globale, origjina e së cilës nuk ishin arsye ekonomike apo financiare, por gjithsesi ka krijuar impakt të dukshëm në treguesit makroekonomikë të çdo vendi, përfshirë ekonominë tonë.

Brenda një kohe relativisht të shkurtër, pandemia adresoi një situatë të jashtëzakonshme për sektorin bankar, në drejtim të çështjeve të ofrimit të masave mbrojtëse dhe të sigurisë së shëndetit të stafit dhe të klientëve, të përshtatjes me rregullat kufizuese për të ofruar shërbime ndaj klientëve, të aspekteve të rëndësishme operacionale, organizative, si dhe të përshtatjes së infrastrukturës, etj.

Pavarësisht nga sfidat, në vlerësimin tim, sektori bankar u përshtat shumë shpejt me situatën, për të ruajtur nivelin e shërbimit dhe qëndrueshmërinë dhe mbështetjen ndaj klientëve. Ky është një tregues i rëndësishëm, që sektori bankar në Shqipëri mbetet sektori më i rregulluar dhe dinamik, si dhe një aktor i rëndësishëm në qëndrueshmërinë e zhvillimit të ekonomisë lokale.

Të gjithë aktorët ekonomikë, janë përballur me sfida të veçanta, të cilat qartësisht kanë ndikuar në jetën ekonomike të vendit, nivelin e investimeve dhe të remitancave, sjelljen dhe kërkesën konsumatore për produkte dhe shërbime, lëvizshmërinë dhe dinamikën e biznesit, etj. Aktivitetet kryesore të ndikuara nga kriza mbeten tregtia dhe turizmi (veçanërisht biznesi i vogël/i mesëm), shtylla të rëndësishme të zhvillimit të ekonomisë lokale.

Sektori bankar në tërësi ka përjetuar efektet negative të këtyre zhvillimeve në vitin 2020, gjithsesi me impakt relativisht më të vogël sesa vlerësohej në fillesat e krizës. Koordinimi i hapave midis Qeverisë Shqiptare, Bankës së Shqipërisë dhe sistemit bankar, në drejtim të mbështetjes financiare të ofruar, lehtësimin e përkohshëm të ngarkesës financiare për kredimarrësit (në përputhje me moratoriumet e kredive, të aplikuara në tremujorin e dytë dhe të tretë, së bashku me mundësitë për ristrukturim të detyrimeve të kredive (në përputhje me lehtësimet e ofruara në zbatim të kuadrit rregullator), kanë mundësuar përballimin e vështirësive financiare të shkaktuara nga pandemia, garantimin e jetës ekonomike, si dhe mbështetjen për rivitalizim të konsumit dhe të investimeve.

Ndërhyrjet e kryera nga Qeveria Shqiptare, në formën e ndihmave direkte financiare dhe ofrimin e garancive shtetërore për financimet e akorduara nga sistemi bankar në favor të bizneseve të prekura nga kriza e shkaktuar nga pandemia, sigurisht konsiderohen mbështetje e rëndësishme për rigjallërimin e situatës ekonomike.

Sektori bankar ka vijuar rritjen në vitin 2020, por me një trend rritës më të vogël krahasuar me vitet e fundit, ndërkohë që vijon të mbetet i mirëkapitalizuar dhe me situatë likuiditeti të shëndetshme. Raportohet rritje e likuiditetit në banka, e ndikuar kryesisht nga ndryshimi i sjelljes konsumatore në periudhën e pandemisë, që ka ndikuar në uljen e konsumit dhe të investimeve, për këtë arsye më shumë kursime dhe likuiditet në formën e depozitave në sistemin bankar.

Gjithashtu, këtë vit, pamundësia e emigrantëve apo turistëve të huaj për të vizituar vendin tonë, ka ndikuar që më pak likuiditet apo remitanca të depërtojnë në sektorin bankar. Rritja neto e kreditimit vlerësohet e vogël krahasuar me vitet e kaluara. Bankat kanë qenë më të kujdesshme për kreditimin e sektorit privat, nisur nga vlerësimet për një nivel më të lartë të riskut të shkaktuar nga efektet negative në ekonomi.

Në vitin 2020, Tirana Bank ka realizuar një performancë të shëndetshme në drejtim të rritjes së aktivitetit, rritjes së qëndrueshme të depozitave dhe të portofolit të investimeve, duke shfrytëzuar bazën e gjerë të klientëve, si dhe sinergjitë komerciale të zhvillimit me partnerët dhe bashkëpunëtorët e bankës sonë dhe të grupit ekonomik ku bëjmë pjesë. Banka vijon të raportojë rezultate pozitive financiare të qëndrueshme.

 

Efektet

Sektori bankar në tërësi ka përjetuar efektet negative të këtyre zhvillimeve në vitin 2020, gjithsesi me impakt relativisht më të vogël sesa vlerësohej në fillesat e krizës. Koordinimi i hapave midis Qeverisë Shqiptare, Bankës së Shqipërisë dhe sistemit bankar, kanë mundësuar përballimin e vështirësive financiare të shkaktuara nga pandemia, garantimin e jetës ekonomike, si dhe mbështetjen për rivitalizim të konsumit dhe të investimeve

 

Cilat do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2021? Besoni se do të ketë rritje të raportit të kredive me probleme dhe sa mund të ndikojë ky faktor në perspektivat e rritjes së biznesit?

Kohëzgjatja e pandemisë mund të konsiderohet edhe si një rrezik lidhur me impaktet negative në ekonomi, sidomos në kushtet kur autoritetet shtetërore do të jenë të detyruara të rivendosin kufizime, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër, në qarkullimin e individëve dhe ushtrimin e aktiviteteve të biznesit për shkak të pandemisë.

Në kushtet e një vale të dytë apo të tretë të pandemisë në vitin 2021, ekonomia jonë, në përputhje me trendin global do të vazhdojë të karakterizohet nga kërkesa e zvogëluar konsumatore për mallra dhe shërbime dhe rrjedhimisht, edhe performancë më e dobët ekonomike dhe financiare nga ofruesit e mallrave dhe shërbimeve.

Biznesi i vogël dhe i mesëm, kryesisht në fushën e tregtisë dhe shërbimeve, duke përfshirë edhe turizmin, mbeten potencialisht më të rrezikuarat nga këto zhvillime negative.

Mundësia e rritjes së kredive të këqija do të përfaqësojë edhe sfidën kryesore për sistemin bankar në vitin 2021, sidomos në kushtet e një pandemie të zgjatur në kohë. Në të tilla rrethana, kërkesat për ristrukturim të kredive mund të jenë në rritje, me impakt të shtuar në riklasifikimin e kredive dhe rrjedhimisht, në rezultatet financiare, si dhe në strukturën e kapitalit të bankave.

Për këto arsye, mund të jetë e nevojshme adoptimi për një periudhë kohe të caktuar i një qasje fleksibël nga Banka e Shqipërisë, në lidhje me zbatimin e kërkesave rregullative për këto kategori kredish. Për sistemin bankar, pandemia ka adresuar edhe çështje të ndryshimeve të sjelljes konsumatore, apo të nevojës për të përshpejtuar zhvillime teknologjike dhe infrastrukturore për të reduktuar impaktet negative në drejtim të cilësisë së shërbimit.

Investime të mëtejshme në fushën e teknologjisë, sikurse dhe rritja e penetrimit të shërbimeve online ndaj klientëve, e cila për rrjedhojë mund të sjellë ndryshime në modelin e biznesit dhe të ofrimit të shërbimeve ndaj klientëve nga ana e bankave, do të përbëjnë sfida të rëndësishme për periudhat në vijim. Në këtë drejtim, Tirana Bank ka ndërmarrë një proces transformimi, aktualisht në fazë të rëndësishme të realizimit, në drejtim të modernizimit të infrastrukturës operacionale dhe të sistemeve të teknologjisë së informacionit.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2021? Prisni një rimëkëmbje të shpejtë apo efektet e pandemisë së COVID-19 do të vazhdojnë të jenë të forta?

Në rrethanat e një situate pandemike të zgjatur në kohë, mbetet e rëndësishme të kuptojmë çfarë instrumentesh mbështetëse planifikon dhe do të zbatojë në vijim Qeveria Shqiptare, për të mundësuar rigjallërimin e jetës ekonomike në tërësi, duke mbështetur në mënyrë direkte apo indirekte, ecurinë e biznesit, si dhe të konsumit të individëve dhe familjeve në veçanti.

Vlerësimet që kryhen nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, thuajse të gjitha konvergojnë në pritshmëritë për një trend pozitiv të zhvillimeve ekonomike në tregun lokal dhe rajon në vitin 2021, edhe pse e paqartë ende se në cilën periudhë të vitit do të mund të shohim rikthim në zhvillime pozitive. Gjithsesi, gjykoj që, sektori bankar do të vijojë të përballet me sfidat dhe pasojat ekonomike të pandemisë, të gërshetuara edhe me impaktin e mundshëm nga kuadri kompleks rregullativ dhe i standardeve financiare të raportimit.

Tirana Bank vijon t’i përmbahet objektivit strategjik të rritjes së mëtejshme të aktivitetit, me një përqasje dinamike, por edhe të kujdesshme në drejtim të mundësive për zhvillim, si dhe ndaj risqeve që karakterizojnë tregun lokal.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of