Shqiptarët këtë vit po depozitojnë mesatarisht çdo muaj mbi 19 milionë Euro automatikisht në bankomate.
Statistikat e Bankë së Shqipërisë tregojnë se përdorimi i depozitimit cash në ATM po rritet me ritme të shpejtë. Për 6-mujorin 2022, vlera mesatare e depozitave në ATM ishte rreth 2.26 miliardë Lekë. Volumi mujor i depozitimeve në ATM është rritur me 36% krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e përdorimit është e prekshme edhe në numër transaksionesh. Këtë vit, po kryhen mesatarisht 43 mijë depozitime në ATM çdo muaj, në rritje me 9% krahasuar me mesataren e vitit 2021.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve që mundësojnë depozitimin e parasë cash në vitet e fundit po rritet me ritme të shpejta. Në fund të muajit qershor, numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash arriti në 289. Që nga fillimi i vitit, numri i këtyre pajisjeve është rritur me 17%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja shënon nivelin 27%. Rreth 35% e ATM-ve të sektorit bankar aktualisht mundëson edhe shërbimin e depozitimit të parasë cash.
Përdorimi i shërbimit të depozitimit të parasë cash në ATM është shumë i rëndësishëm për të shmangur fluksin dhe radhët e klientëve në sportelet e bankave. Veprimet cash në arkë përbëjnë edhe pjesën më të madhe të veprimeve ditore në degët dhe agjencitë bankare. Problemi i radhëve në sportelet e bankave u bë më i prekshëm se kurrë në fazën e parë të pandemisë, edhe për shkak të kufizimit të orareve të punës dhe operacioneve me staf të reduktuar. Zhvendosja e këtyre veprimeve në terminalet automatike ATM është një lehtësi e madhe për bankat dhe për klientët, sepse kursen kohë dhe krijon hapësira që sportelet të përdoren vetëm për ato shërbime që nuk mund të kryhen në mënyrë të automatizuar.
Statistikat tregojnë se, në terma mesatarë, depozitimet cash në bankomate përbëjnë rreth 16% të shumës së tërheqjeve të parasë cash prej tyre. Depozitimi i parasë në ATM megjithatë ka disa kufizime, të lidhura me llojin e llogarisë dhe me limitin e shumës që mund të depozitohet. Depozitimi i parasë cash në ATM mund të bëhet kryesisht në llogaritë rrjedhëse të lidhura me një kartë bankare, ndërsa derdhjet në depozita me afat apo llogari kursimi duhet bërë ende në sportele. Megjithatë, dixhitalizimi dhe automatizimi i mëtejshëm i shërbimeve bankare pritet të zgjerojë hapësirat edhe për zgjerimin e spektrit të derdhjeve që mund të kryhen automatikisht në ATM.
Shqipëria ngelet një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash në transaksionet ekonomike, për shkak të një kulture të trashëguar, një niveli ende të pamjaftueshëm të edukimit financiar dhe informalitetit. Aplikimi i pagesave me kartë ose me kanale të tjera elektronike është në rritje, por ende larg nivelit të ekonmive më të zhvilluara.
Përdorimi më masiv i këtyre kanaleve do të kufizonte daljen e parasë fizike nga sistemi bankar. Por, në kushtet kur cash ngelet ende mbizotërues, zgjidhjet që automatizojnë veprimet në para fizike me bankat ngelen të rëndësishme për kursyer kohë dhe për të ulur kostot e transaksioneve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.