Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Vendimi u prit me protesta dhe vendosje të barrikadave afër pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Pas 10 dite palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.
Grupi punues me ekspertë nga Kosova dhe nga Serbia do të takohen sot në Bruksel për çështjen e targave të automjeteve.
Zëdhënësi për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë këto grupe punuese do të punojnë në takime të rregullta për të gjetur zgjidhjen.
“Takimi i parë i grupit punues me ekspertë nga të dyja palët do të mbahet më 21 tetor 2021. Grupi punues synon të gjejë një zgjidhje të përhershme për këtë çështje dhe pritet të takohet rregullisht”.
Ai gjithashtu ka treguar se takimet në kuadër të dialogut nga kryenegociatorët dhe atyre të nivelit më të lartë do të vazhdojnë në mënyrë të pavarur nga grupi punues dhe për datën e mbajtjes së tyre do të njoftohet në një kohë të përshtatshme.
“Duhet të theksohet se takimi i grupit punues nuk është në nivelin e kryenegociatorëve, por në nivelin e ekspertëve”.
Kurse, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se gjatë takimit do të shqyrtohen variantet e mundshme për një zgjidhje të përhershme.
Sipas tij, janë tri parime kryesore në të cilat do të bazohet kjo mbledhje.
“Në këtë mbledhje do të shqyrtohen opsionet për një zgjidhje të përhershme duke u bazuar në tre parime kryesore: i) zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, ii) të jetë e aplikueshme dhe të aplikohet për të dy palët, iii) dhe nëse njëra palë bllokon arritjen e një zgjidhje të përbashkët apo nuk zbaton atë që është dakorduar atëherë ajo është palë bllokuese e dialogut”, tha Kryeziu.
Ndërkaq, emrat e personave që e përbëjnë këtë grup punues nuk janë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës.
Për takimin e sotëm ka folur edhe shefi i palës serbe në dialogun teknik, Petar Petkoviq, i cili tha se do të jetë takim siç është rënë dakord në marrëveshjen e nënshkruar më 30 shtator.
“Ne po fillojmë me takimin e parë në të cilin do të diskutohet gjithçka e nevojshme për funksionimin e grupit punues, e cila është e nevojshme për të arritur një propozim për një zgjidhje që duhet të miratohet në një nivel të lartë më vonë”.
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.
Situata u shtensionua pas arritjes së marrëveshjes tripikëshe mes Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga BE-ja. Pika e tretë e kësaj marrëveshje është takimi i grupit punues mes dy shteteve.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të formojnë një grup punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.