Zgjidhja softuerike për fiskalizimin, kushtet që do plotësojnë prodhuesit dhe mirëmbajtësit e programeve

02/12/2019 10:40 PM 0 komente

Fiskalizmi do të funksionojë si një sistem unik i cili do të ketë në bazë faturimin online dhe raportimin në kohë reale e me detaj të çdo transaksioni pranë Administratës Tatimore. Ky hap i cilësuar nga qeveria si revolucion përfshin në vetvete elementë kompleksë si dhe shumë palë të cilat do të jenë të angazhuar për të siguruar mbarëvajtjen. Një prej këtyre hallkave shumë të rëndësishme do të jenë kompanitë që prodhojnë dhe mirëmbajnë programet softuerike. Kështu përveç ligjit që aktualisht ka kaluar në Komisionin e Ekonomisë si dhe udhëzimit që është nxjerrë për konsultim, Ministria përgjegjëse ka publikuar edhe një vendim të dedikuar mbi kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes softuerike për procedurën e faturimit dhe fiskalzimit dhe procedurën dhe kriteret për regjistrimin e prodhuesve dhe mirëmbajtësve të programeve (softuer).

Kështu çdo tatimpagues duhet që nga variantet që ofrohen në treg të përdorë një prej zgjidhjeve të certifikuara të softuerit në formën e një aplikacioni individual, ose një sistemi kompjuterik të integruar, ose një aplikacion cloud që mundëson  krijimin e një fature shoqëruese, vlefshmërinë e operatorit që lëshon faturën, lëshimin dhe pranimin e faturave elektronike, dërgimin e sigurt të të dhënave në sistemin qendror, ruajtjen e të dhënave si dhe një sërë elementesh të tjerë.

Po kështu çdo prodhues duhet të regjistrohet në regjistrin e prodhuesve dhe të mirëmbajtësve që menaxhohet nga AKSHI dhe regjistrimi bëhet përmes e-albania. Ndër të tjera ata duhet të plotësojnë disa kushte të lidhura me punonjësit e certifikuar në aspekte si zhvillim mirëmbajtje server, zhvillim apo mirëmbajt rrjeti, zhvillim mirëmbajtje aplikacioni. “Shoqëria duhet të jetë aktive të paktën 1 (një) vit para paraqitjes së aplikimit të regjistrimit në Regjistër, dhe të dorëzojë dokumentacion ku vërteton se ka kryer zhvillime softuerike apo aplikacione të ngjashme me objektin e këtij Vendimi.  Të ketë realizuar mesatarisht jo më pak se 30.000.000 (tridhjetë milion) lekë qarkullim ne 3 vitet e fundit “thuhet në dokument.

Vendimi nënvizon edhe dokumentet që duhet të dorëzohen nga kompanitë e interesuara që nisin nga numri i identifikimit e deri tek vërtetimet për kryerje shërbimi në të njëjtin profil sin ë sektorin privat ashtu dhe atë publik.

Sipas të njëjtit vendim thuhet se pas aplikimit, AKSHI dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të verifikojnë të dhënat dhe dokumentacionin e paraqitur dhe vetë zgjidhjen e softuerit. Pas konfirmimit me sukses, AKSHI dhe DPT lëshojnë certifikatën e regjistrimit nëpërmjet portalit e-Albania. Certifikata do të përmbajë gjithashtu kodin e prodhuesit /mirëmbajtësit të zgjidhjes së softuerit dhe kodin e zgjidhjes së softuerit të regjistruar.

“Vetëm pasi prodhuesi/mirëmbajtësi i zgjidhjes së softuerit të marrë certifikatën e tij, ai do te regjistrohet ne regjistrin e ofruesit te shërbimit dhe mund të fillojë me ofrimin e produkteve/ shërbimeve të tij sipas këtij Vendimi në tregun e Republikës së Shqipërisë”.

Shoqëritë që do të certifikohen për prodhimin dhe mirëmbajtjen e zgjidhjeve softuerike, duhet të përmbushin të gjitha kërkesat si më sipër si dhe do të depozitojnë një garanci bankare ose nga shoqëritë e sigurimit në shumën 10,000,000 lekë në emër të DPT, e vlefshme për gjatë gjithë periudhës së regjistrimit duke filluar nga data e aplikimit për regjistrim në Regjistër.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of