Flet menaxherja e shitjeve për programet software devPOS, Rezarta Hamzaj
Menaxherja e shitjeve dhe marketingut e kompanisë “Image & Communications Development sh.p.k.” (Dev.al), znj. Rezarta Hamzaj, shpjegoi për “Monitor” se përdorimi i aplikacioneve software mundësohet nëpërmjet abonimit vjetor, që për bizneset e vogla nis nga 3 euro në muaj. Kjo pagesë përfshin përditësimin e programit, mirëmbajtjen dhe asistencën që do t’u jepet subjekteve nga kompania.
Zgjidhja software redukton kostot për një supermarket që punon me disa kasa. Sipas znj. Hamzaj, kjo kategori do të paguajë një herë për software-n si biznes dhe një kosto sa rreth 50% e kostos fillestare për çdo pikë shitjeje shtesë. Sipas saj, pagesat për përdorimin e programit pritet të ndryshojnë, pasi do t’u jepet mundësia të operojnë në treg edhe prodhues të tjerë, nëpërmjet integrimit të aplikacionit me kompaninë e certifikuar.
Cili është roli i kompanisë suaj në procesin e fiskalizimit?
Ne jemi një nga kompanitë që ka prodhuar zgjidhje softwarike për procesin e fiskalizimit, të quajtur devPOS, e cila është certifikuar nga DPT dhe AKSHI, si në përputhje me standardet e specifikuara në ligj.
Nëse një biznes i vogël që kryen transaksion me para në dorë, si në rastin e një ushqimoreje, dyqan veshjesh, parukeri, bulmeti etj., çfarë do t’i rekomandonit, përshtatje e pajisjes ekzistuese fiskale (kasës), apo sistemin e ri që mbështetet në zgjidhjet software?
Ne jemi prodhues të software, dhe nuk jemi të paanshëm në këtë gjykim, por për shumë arsye do të rekomandonim zgjidhjen software. Më kryesoret:
a-Kosto më të ulëta. Zgjidhja jonë software nuk blihet, ajo ka vetëm një abonim vjetor, që për bizneset e vogla është një kosto shumë e ulët. Kjo zgjidhje ka nevojë për një kompjuter të thjeshtë dhe për një printer po ashtu të thjeshtë. Për subjektet që nuk kanë hapësirë apo nuk duan të shpenzojnë për kompjuter, ne kemi edhe një version mobile të sistemit, i cili punon në çdo pajisje me sistem operativ Android.
Ne do të sjellim shumë shpejt në treg edhe një pajisje smart me printer të integruar, kostoja e së cilës nuk do t’i kalojë 250 eurot. Për paketat mobile, por edhe për bizneset që do të përdorin kompjuter, por nuk duan të shpenzojnë për lidhje interneti, ne do të ofrojmë lidhje 4G të dedikuar me serverët tanë, me një kosto jo më të lartë se 40 euro në vit.
b- Teknologji e avancuar: zgjidhja software do të jetë në evolucion të vazhdueshëm. Ndryshe nga një pajisje fizike, që sa herë del një model i ri, duhet zëvendësuar, abonimi në zgjidhjen software mundëson të kesh në çdo kohë versionin e fundit të kësaj zgjidhjeje, pa shpenzuar asgjë. Për më tepër, ndryshe nga një pajisje me pak taste, një program kompjuterik është shumë më praktik për t’u përdorur dhe për t’u menaxhuar.
c- Opsione shtesë: ndryshe nga pajisjet fizike, zgjidhja software që ne kemi ndërtuar, përmban edhe opsione shtesë si menaxhimi i magazinave, inventarëve, gjenerimi i raporteve, etj., për të cilat nevojiten sisteme të veçanta, e me sistemin tonë bashkohen të gjitha në një. Gjithashtu, pajisja me zgjidhje softwarike mundëson edhe menaxhimin e faturave hyrëse nëpërmjet tij.
Sa do të jetë kostoja për përshtatjen e kasave aktuale me sistemin e ri të fiskalizimit dhe sa është nëse instalohen programet software, si investim fillestar?
Për kostot dhe mbi të gjitha mundësitë reale të përshtatjes duhen pyetur kompanitë që tregtojnë kasa fiskale. Për zgjidhjen tonë software, nuk ka investim fillestar. Ka vetëm një kosto vjetore abonimi që përfshin edhe mirëmbajtjen, përditësimet dhe suportin, dhe që fillon nga 3 euro në muaj për bizneset e vogla.
Po për ato biznese që i kanë të instaluar këto programe, sa është kostoja e azhurnimit të tyre me sistemin e ri?
Të gjitha kostot varen nga prodhuesit ose shitësit përkatës. Ne u kemi ofruar mundësinë prodhuesve të software-ve, që nuk janë të certifikuar për zgjidhjen e fiskalizimit, të integrojnë software-t e tyre me tonin në mënyrë që të mos dalin nga tregu.
Po për një supermarket që punon me 3-4 kasa, sa do të jetë kostoja për programet software?
Sot një biznes që ka 4 pika shitjeje, paguan 4 herë koston si të ishte 4 biznese të ndryshme. Me zgjidhjen që ne kemi nxjerrë në treg, ai paguan një herë për software-n si biznes, dhe një kosto sa rreth 50% e kostos fillestare për çdo pikë shitjeje shtesë. Pra, nëse 4 biznese për software-n tonë duhet të paguajnë 400 lekë, një biznes me 4 pika shitjeje, paguan e shumta 250 lekë, duke kursyer 150 lekë.
A ka një studim apo sondazh nga ju se çfarë po kërkon biznesi, është i interesuar për këto zgjedhje software apo do të vazhdojë me modelin e të punuarit me kasë?
Gjatë 15 muajve të fundit, gjatë të cilëve ne kemi punuar për krijimin e këtij sistemi, kemi bashkëpunuar me disa subjekte që na kanë orientuar mbi nevojat e tyre. Këto 6 javë që kur kemi dalë në treg, kemi folur me mbi 100 subjekte, tek të cilët shohim mbi të gjitha se ka një keqinformim për kostot e këtij ndryshimi. Për arsye nga më të ndryshmet, në këto 2 vjet biznesi është bombarduar me informacion që kostoja e këtij ndryshimi do të jetë midis 1000 dhe 2000 eurove, e shumë të pavërteta të tjera.
Kur njihen me koston reale, bizneset shfaqen të lehtësuara. Në lidhje me aspektin teknik të ndryshimit, jemi të befasuar edhe ne vetë me padurimin e shumë subjekteve për të kaluar te sistemi i ri. Po shohim që subjektet janë shumë entuziaste për opsionet shtesë të menaxhimit që ofron sistemi ynë.
Ndonëse afati maksimal për kalimin te sistemi i ri për pagesat me para në dorë është data 1 shtator e vitit të ardhshëm, prej 3 javësh ne kemi klientë që po përdorin sistemin e ri dhe me një seancë të vetme trajnimi, janë ambientuar me të pa asnjë vështirësi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.