Një koncept i ri në praktikë për shoqërinë shqiptare, i cili duket se po gjen gjithnjë e më shumë terren për t’u zhvilluar është zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes ndërmjetësimit. Sipas Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, ky skenar kursen kohë dhe kosto për individët, bizneset që kanë çështje civile, ndërsa ekspertët e fushës ligjore theksojnë se jo çdo rast mund të zgjidhet përmes ndërmjetësimit…
Nga Deada Hyka
Mosmarrëveshjet e shumta me natyrë familjare, civile apo tregtare, që vihen re në jetën e përditshme, prej kohësh kanë vënë në vështirësi institucionet e drejtësisë. Përballë numrit gjithnjë në rritje dhe pamundësisë së zgjidhjes në kohë të tyre, lind nevoja e zgjidhjeve alternative ndaj gjyqit, i cili sjell kosto të larta.
Nga një konflikt, jo domosdoshmërisht palët mund të dalin humbëse ose fitimtare. Ekziston edhe mundësia që gjithçka të përkthehet në avantazh dhe kjo falë procesit të ndërmjetësimit. Një koncept i ri në praktikë për shoqërinë shqiptare, por që duket se po gjen më shumë terren për t’u zhvilluar.
Largimi i mosmarrëveshjeve të vogla nga sallat e gjykatave është një prej synimeve themelore të Reformës në Drejtësi. Ligji për ndërmjetësimin ligjor ka për qëllim që këto përplasje të vogla gjyqësore, deri 1 milion lekë të zgjidhen në zyrat e ndërmjetësuesve dhe jo më në gjykata. Kreu i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve Ligjorë, Drita Avdyli, thotë se me ndryshimet ligjore synohet që të largohen nga sallat e gjykatave 70% e volumit të çështjeve. Kjo, jo vetëm do të ulë korrupsionin në gjykata, por edhe mbingarkesën e punës së gjyqtarëve.
Znj. Drita Avdyli thotë se ndërmjetësimi në konceptin modern është trajtimi i konflikteve ose mosmarrëveshjeve me natyra të ndryshme, si familjare, kontraktuale e penale, duke gjetur zgjidhje përmes komunikimit të palëve në konflikt me praninë e një ndërmjetësi që është i licencuar, i akredituar, dhe që ka aftësinë për të gjetur zgjidhje, pra me pak fjalë, është një formë alternative jashtë rrugëve gjyqësore. “Është një formë që ofron disa avantazhe në krahasim me trajtimin gjyqësor apo me arbitrazh, sepse kursen shumë kohë. Nëse një çështje në arbitrazh trajtohet për shumë muaj apo edhe vite, por nëse palët shkojnë në ndërmjetësim, çështja zgjidhet brenda disa seancave, që do të duan jo më shumë se një muaj kohë. Një tjetër epërsi ka të bëjë edhe me kursimin e parave, sepse në rastet e konflikteve pronësore apo kontraktuale, nuk kërkohet që të ndërpritet biznesi (siç ndodh nëse rasti shkon në gjykatë), asetet të ngrijnë e si rrjedhim, biznesi përballet me humbje të konsiderueshme” – thotë znj. Avdyli.
Për të dhënë disa detaje më tepër rreth punës së institucionit që drejton, znj. Avdyli thotë për “Monitor” se, ndërmjetësimi ofron zgjidhje shumë të shpejtë, deri në 5 seanca, të dy palët kanë një ndërmjetës dhe kohën që përfitojnë nga zgjidhja e shpejtë. Po ta konvertojmë në para ky është shumë domethënës.
“Avantazh tjetër është se nëse palët me Kontratë apo Marrëveshje me shkrim kanë parashikuar kushtin se Ndërmjetësimi do të jetë alternativa parë e zgjidhjes së Konfliktit, para asaj gjyqësore, gjykata nuk e merr në shqyrtim çështjen pa u zbatuar ky kusht, pra ti nuk i hyn kalvarit të gjatë të procesit gjyqësor. Duhet theksuar se, për komunitetin në nevojë, ndërmjetësimi është falas” – thotë znj. Avdyli.
Ekspertja: Ndërmjetësimi nuk zgjidh gjithçka
Msa. Av. Denisa Daka dhe anëtare e Këshillit të Dhomës së Avokatëve, thotë për “Monitor” se, në Shqipëri konfliktet janë të mprehta e të egra e kultura e dialogut e mirëkuptimit është në nivele të pakonsiderueshme e për këtë arsye e dhjetëra të tjera në radhë, qytetarët shohin si mundësi reale, të sigurt dhe efikase zgjidhjen e çështjeve në rrugë gjyqësore.
Megjithatë, sipas saj, Ligji “Për ndërmjetësimin e zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve”, ishte një risi për sa u përket mundësive dhe alternativave për zgjidhjen e konflikteve jashtë gjyqësisht ndërmjet palëve.
“Nëpërmjet një personi të tretë, palët kanë të drejtë të kërkojnë zgjidhje për konfliktin, duke shprehur vullnetin e tyre në marrëveshjet përkatëse, me kusht që ky i fundit të mos bjerë ndesh me ligjin. Ndërmjetësit janë të paanshëm dhe neutralë në raport me palët, ndërsa ndryshe nga gjykata nuk kanë të drejtën e vendimmarrjes apo autoritetin për t’iu imponuar zgjidhjen e ofruar prej tyre subjekteve përkatëse” – thotë Msa.Av. Daka.
Detyra e ndërmjetësit, shton më tej ekspertja – nuk është të marrë vendime, por të asistojë dhe të ofrojë mundësi për zgjidhjen e konfliktit, ndërsa kjo e fundit është në dorë të palëve në çdo rast.
“Ndërmjetësi nuk mund të luajë kësisoj rolin e gjykatësit apo të japë drejtësi, por ka kompetencë për të ndërtuar një proces komunikimi, dialogu dhe negocimi, duke i orientuar në çdo rast palët drejt zgjidhjes më të mirë. E në çdo rast kur nuk ka dakordësi mes palëve apo marrëveshja mes tyre është e pamundur për t’u arritur, zgjidhja e vetme mbetet rruga gjyqësore” – përfundon ekspertja ligjore.
SHIFRA
Gjatë katër viteve, rreth 10 mijë persona kanë preferuar të mos u drejtohen gjykatave për të zgjidhur konfliktet e tyre, por t’i zgjidhin përmes ndërmjetësimit.
Bëhet fjalë për mosmarrëveshje të tilla që nga mosrespektimi i kontratave të punës, për markat tregtare, deri te çështjet me të dëmtuar akuzues, kryesisht për veprën e shpifjes dhe rrahjes.
“Janë të pronave që janë më shumicë, pastaj për çështje tregtare, pune dhe civile. Ne jemi pjesë e Kodit të Procedurës Civile dhe gjykatat duhet t’i orientojnë palët te ndërmjetësimi para se të nisë procesi” – thotë Drita Avdyli, kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit.
6 VITE NË TREG
Pas një periudhe të gjatë procedurash ka nisur nga puna Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, komisioni i licencimit ka dhënë licenca për 143 persona si ndërmjetës nga të cilët 141 persona fizikë dhe 2 persona juridikë. Ndërkohë që pjesa tjetër e ndërmjetësve që kanë kaluar fazën e licencimit nga Komisioni, duhet të vijojnë me përmbushjen e kritereve të tjera të vendosura nga ligji, me qëllim që të ushtrojnë veprimtarinë e ndërmjetësit dhe për pasojë, të jenë anëtarë të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve. Neni 4 i këtij ligji ka specifikuar në mënyrë të qartë se Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve licencon subjektet e interesuara për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit, të cilat regjistrohen, si persona fizikë ose juridikë, në organet kompetente dhe në organet tatimore, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Mbledhja e parë e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve zgjodhi si kryetare znj. Drita Avdyli. Me këtë institucion, qytetarët kanë një alternativë të re të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, atë të ndërmjetësimit jashtëgjyqësor, nga një ekip profesionistësh.
Në Shqipëri, tregu i ndërmjetësve nuk është shumë i zhvilluar, por megjithatë numri i operatorëve në të është rritur, po ashtu edhe interesi i tyre. Masat e marra për funksionimin e këtij institucioni tregojnë se ka më shumë siguri për të vepruar në këtë treg dhe për ta përdorur atë në funksion dhe në mbështetje të ekonomisë.
Instituti i Ndërmjetësimit, i krijuar në vitin 1999, nuk ka pasur një traditë të konsoliduar, që të garantonte profesionalizmin dhe efektivitetin e procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve jashtë dyerve të gjykatave. Sot palët kanë një mundësi tjetër, mundësinë që me vullnetin e tyre të lirë të zgjedhin një prej jush, për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet tyre.
Ligji
Më 17 maj 2018, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Ligjin nr. 26/2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10385, datë 24.02.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve” (“Ligji”). Ligji u publikua në Fletoren Zyrtare nr. 85, datë 12.06.2018 dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë pas publikimit. Ligjvënësi ka parashikuar disa risi në Ligj, më të rëndësishmet ndër to janë paraqitur më poshtë. Struktura e Ligjit ka ndryshuar duke shtuar dy nene të reja, përkatësisht një nen të dedikuar për “Objektin e ligjit” dhe tjetri lidhur më “Përkufizimet”. Procesi i licencimit është ndryshuar thellësisht dhe nenet 4 e 5 janë të tërësisht të rishkruara. Sipas ndryshimeve të fundit të këtyre neneve, ndërmjetësi i cili duhet të jetë shtetas shqiptar të paktën 28 vjeç, duhet të përmbushë kushtet e mëposhtme për të aplikuar për licencë: Organi përgjegjës për licencimin është Ministria e Drejtësisë, e cila, brenda 45 ditëve nga data e aplikimit lëshon licencën për personin e interesuar. Pas marrjes së licencës dhe regjistrimit në Regjistrin e Ndërmjetësve, ndërmjetësi mund të ushtrojë aktivitetin e tij si person fizik, ose si person juridik. Në rast se ndërmjetësi nuk e ushtron aktivitetin për 2 vite të njëpasnjëshme, licenca përkatëse do të hiqet dhe ndërmjetësi do të çregjistrohet nga Regjistri i Ndërmjetësve. Në mënyrë që të vlerësohet ushtrimi i aktivitetit, do të merren në konsideratë të dhëna nga autoritetet tatimore, ekzistenca e çështjeve të trajtuara, si dhe trajnimet e vazhdueshme. Një risi e këtij Ligji është neni 6/1, i quajtur “Ankimi”, i cili u jep të drejtën ndërmjetësve të ankimojnë në gjykatën kompetente të çështjeve administrative brenda 45 ditëve vendimin mbi refuzimin e licencës, ose urdhrin e ministrit të Drejtësisë për vendosjen e masës disiplinore për heqjen e licencës. Masat disiplinore ndaj ndërmjetësuesve jepen nga Bordi Disiplinor, i cili është i përbërë nga 5 anëtarë, 4 prej të cilëve janë të zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Ndërmjetësve dhe 1 nga Ministria e Drejtësisë, me afat 5-vjeçar. Bordi Disiplinor, në mënyrë proporcionale me llojin dhe seriozitetin e shkeljes, vendos mbi masat disiplinore, të cilat mund të jenë si më poshtë: Vërejtje me shkrim; Urdhëron ndërmjetësit për të kryer trajnim vazhdues shtesë, përfshirë trajnim në etikë dhe/ose trajnim në një fushë të veçantë të ndërmjetësimit; Vendos gjobë nga 50.000 lekë deri në 300.000 lekë; Pezullon përkohësisht aktivitetin për një periudhë deri në një vit; Në raste të posaçme të parashikuara nga Ligji, Bordi Disiplinor ka të drejtë t’i propozojë Ministrisë së Drejtësisë heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit. Dispozita të tjera të Ligjit kanë të bëjnë me detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë, Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit, Mbledhjes së Përgjithshme të Ndërmjetësve, kriteret e përzgjedhjes dhe detyrat e Kryetarit të Dhomës, si dhe shpenzimet e procedurës së ndërmjetësimit, të cilat, në rast se nuk parashikohet ndryshe me marrëveshje, do të paguhen në mënyrë proporcionale nga palët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.