Burimet e humbura i kushtojnë bizneseve në Shqipëri miliona Euro cdo vit. Përdorimi i më pak burimeve në mënyrë eficiente nuk është thjesht një inisiative mjedisore, por është thjesht një praktikë e mirë biznesi. Programi për “Të Rinjtë në Biznes” si pjesë integrale e aktivitetit të Këshilla për Bizneset e Vogla të BERZH në partneritet me Qendrën Balance – një nga aktorët kryesorë për zhvillimin e aftësive të të rinjve në Shqipëri, realizoi një program për trajnimin e sipërmarrësve “Gjelbërimi i Sipërmarrjeve për sipërmarrësit e rinj në Shqipëri” (Greening Enterprises – for young entrepreneurs in Albania).
Ky program trajnimi përmirësoi aftësitë tek sipërmarrësit e rinj duke kontribuar në rritjen e njohurive mbi bizneset e gjelbëra. Programi ofroi instrumenta e teknika për identifikimin e masave për të përmirësuar performancën e biznesit të tyre përmes rritjes së fitimit, reduktimit të ndikimit në mjedis, ruajtjen e burimeve natyrore dhe përmirësimin e kapaciteteve organizacionale të stafit.
Angazhimi si kompani, dhe vecanërisht i drejtuesve të kompanisë është shumë i rëndësishëm pasi kështu cdo njeri në kompani e di që kjo është nje inisiativë serioze. Ky program trajnimi u ofroi 16 të rinjve sipërmarrës nga e gjithë Shqipëria, menaxherë ose pronarë të bizneseve në sektorët e bujqësisë, blegtorisë, bletarisë, agroturizmit, shërbimeve, përpunimit të bimëve mediciniale, riciklimit dhe artizanatit, mundësinë e diskutimeve në grup të rasteve praktike përgatitur nga sipërmarrësit rreth bizneseve të tyre gjatë të cilave ata ndanë eksperiencat konkrete ndërmjet tyre. Gjatë 8 sesioneve online, trajnerët e Qendrës Balance asistuan pjesëmarrësit në aplikimin e instrumentave të provuar të metodës gjermane për analizën e humbjeve, kostimin e tyre, identifikimin e shkaqeve, dhe zhvillimin e masave për ndryshim.
Në datën 16 shkurt 2022, 16 sipërmarrësit e rinj u çertifikuan në përfundim të 24 orë trajnimi online. Ata theksuan që trajnimi ndihmoi në rritjen njohurive lidhur me përmirësimin e performancës së biznesit të tyre duke njohur dhe reduktuar humbjet, dhe zbatuar masa me ndikimin në mjedis, organizatë, siguri dhe shëndet, dhe financat e kompanisë.
Menaxherët e Programit Këshilla për Bizneset e Vogla të BERZH në Shqipëri e Kosovë përgëzuan dhe përshëndetën sipërmarrësit për angazhimin dhe pjesëmarrjen aktive. Ato theksuan që BERZH nëpërmjet këtij programi, financuar nga Suedia, ka në fokus rritjen e njohurive dhe aftësive manaxhuese për rinjtë sipërmarrës, si dhe informuan që programi do të vijojë të ofrojë mbështetjen e tij me qëllim nxitjen dhe rritjen e përfshirjes së të rinjve në aktivitete biznesi.
Ky program po zbatohet nga Këshilla për Bizneset e Vogla të BERZH Shqipëri, me financim të Suedisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.