Është një pasdite e rrallë në kryeqytetin kinez, kur tymi nuk i ka bllokuar qiejt dhe një nga ekonomistët më të famshëm në Kinë është me humor të mirë, shkruan Abhhek Bhattacharya – editor për The Wall Street Journal Asia. Ekonomia është në telashe, teksa Partia Komuniste po shkon drejt transferimit të pushtetit, që ndodh një herë në dekadë, ndërkohë që po persekuton djalin e saj të dikurshëm të artë, Bo Xilai, me akuza kriminale. Investitorët e shqetësuar duan shenja se Pekini mbetet i angazhuar ndaj rritjes — dhe shenja që ata do të donin më shumë të shihnin është një stimul i madh Kejnsianist (I referohet teorive ekonomike të John Maynard Keynes, veçanërisht atyre teorive që bëjnë thirrje për programe fiskale dhe monetare, që synojnë të rrisin punësimin dhe të nxisin aktivitetin e biznesit.).
Zhang Weiying do të thoshte se ata gabohen rëndë. Ngadalësimi ekonomik, thotë ai me qetësi teksa pi çaj, është aktualisht një lajm i mirë që “e bën qeverinë të mendojë se ne duhet të ndryshojmë” drejt reformave dhe t’i rrimë larg fryrjes së flluskave të ekonomisë. Ne nuk jemi të gjithë kejnsianistë në Kinë, ngul këmbë ai.
Tre vjet më parë, kejnsianizmi ishte një politikë zyrtare. Kriza financiare e vitit 2008 bëri që Pekini të vështronte dështimin e tregut të lirë sipas “Konsensusit të Uashingtonit” dhe të promovonte “Modelin e Kinës” të ndërhyrjeve qeveritare. Kejnsianizimi u shkon për shtat statisticienëve modernistë dhe Pekini atëherë vuajti nga një rënie e eksporteve, ndaj qeveria alokoi 3.5 trilionë dollarë, ose rreth 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në hua bankare dhe shpenzime direkte.
Kolegët akademikë të z. Zhang ishin gjithë lëvdata për “Modelin e Kinës”, por në vitin 2009, ai mbante fjalime të titulluara “Varrosni kejnsianizmin”. Atëherë, ai ishte një administrator kryesor në Universitetin e Pekinit, ku tani ai jep lëndën e ekonomiksit dhe argumentonte se duke qenë se kriza financiare ishte shkaktuar nga paratë e lehta, nuk mund të zgjidhej në të njëjtën mënyrë. “Ekonomia aktuale është si një varësi nga droga dhe ilaçi që jepet nga doktori është morfina dhe si rrjedhojë, rezultati përfundimtar do të jetë shumë më i keq”, tha ai.
Ai u referohej ideve të fituesve të çmimit “Nobel”, Friedrich Hayek dhe Shkollës Austriake të Ekonomiksit, për të argumentuar se në rast se ekonomia nuk do të lejohej që të rregullohej vetë, shfryrja e vogël e Kinës do të ndiqej nga një më e madhe. Ai gjithashtu mbron idenë që duhet hequr dorë nga shtrembërimet ekzistuese, si p.sh monopolet që gëzojnë shumë ndërmarrje shtetërore në industri.
Por ato ishin ditët kur Kina po shndërrohej me shpejtësi në ekonominë e dytë më të madhe të botës (rritja gjatë një tremujori të 2010-s i kaloi 11% me bazë vjetore), ndaj institucionet nuk ia kishin shumë ngenë ta dëgjonin. “Kur unë kritikoja politikën e stimujve të qeverisë qendrore, shumë zyrtarë të lartë nuk ishin të kënaqur”, tha z. Zhang. Nuk ndihmoi as fakti që gjatë Forumit të fundit Ekonomik Global në Kinë, ai e quajti Komisionin e Reformave dhe Zhvillimit Kombëtar “një grup njerëzish të zgjuar që po bënin diçka me të vërtetë të trashë”.
Së fundmi, stimujt e Pekinit kanë ushqyer një lulëzim fals investimesh që fryu flluskat e aktiveve — dhe morfina u reduktua ndërkohë që kur qeveria shtrëngoi rripin. Zyrtarët pretendojnë se ekonomia u rrit me 7.6% me bazë vjetore midis prillit dhe qershorit të këtij viti. Skeptikët mendojnë se numri real është afër 4%. (Një institut kërkimor në Londër tha se është 1%). Ndërkohë, industritë e dominuara, ose të favorizuara nga shteti, si çeliku ose energjia diellore, po vuajnë nga mbi kapaciteti. Sasi të panumërta me bakër raportohet të kenë mbetur në depo, duke bllokuar hapësirat dhe duke demonstruar termin e Hayek për “keqinvestimet”.
Me fjalë të tjera, stimuli ishte një ndihmë e dobët, sipas teorive austriake të z. Zhang. Dhe madhësia e dështimit ka bërë që papritmas njerëzit të fillonin t’i kushtonin atij vëmendje. “Politikat kejnsianiste nuk sollën atë që pritej”, thotë ai, kështu që “gjithnjë e më shumë njerëz po e kuptojnë se… kur qeveria kryen investime në diçka që është e padobishme, atëherë do të vijë recesioni”.
Zyrtarët kinezë nuk e trajtojnë më z. Zhang si një njeri pa vlerë. Ai thotë se zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë i pohojnë atij se u pëlqen që të lexojnë artikujt e tij. Ministri të tjera dhe qeveri lokale, përfshirë ato në provincat e Henan dhe Liaoning, e ftojnë atë të flasë. Ai thotë se kur shkroi kohët e fundit një artikull që vlerëson ekonomistin e ndjerë Murray Rothbard, sekretari i Partisë Komuniste të Shangait — një aparatçik i nivelit të lartë — i tha atij se e pëlqeu artikullin.
A mundet që simpatia austriake të arrijë deri në kupolat më të larta zyrtare të qeverisë kineze? Muajin e kaluar, Kryeministri Wen Jiabao e quajti stimulin një “përgjigje shkencore” ndaj krizës dhe u përpoq që të hidhte poshtë akuzën se vendi “pagoi një çmim të tepruar” për të. Ai ngjante si dikush që ishte i detyruar të mbrohej ndaj sfiduesve të brendshëm që kishin lexuar Hayek — apo Zhang Weiying.
Z. Zhang nuk u identifikua me shkollën austriake deri në 2008-n, kur ai paraqiti një punim në konferencën e ekonomiksit në Çikago dhe dikush i tha atij se ai dukej si një ndihmës i Hayek. Ai tha se gjithmonë kishte menduar në këtë mënyrë.
52-vjeçari lindi në provincat rurale të Shangait në Kinën Qendrore. Në një vend ku zyrtarët e partive dhe mamatë e rrepta konkurrojnë që t’u bëjnë lavazh truri të rinjve, ai ia doli që t’i shmangte të dyja këto.
“Zonat rurale nuk janë aq të ndotura nga ideologjitë e partive”, thotë ai. “Prindërit e mi ishin të pashkolluar”, shton ai dhe kur filloi të arsimohej, ata nuk mund të kuptonin idetë që ai sillte nga shkolla. “Kjo nënkupton se ata nuk ndërhynin kurrë”.
Z. Zhang ka ndjekur rrugën e tij që kur ishte një student në ekonomiks në Shangai. Ai shkroi një artikull në gazetë në vitin 1983, duke argumentuar se paratë nuk ishin djall. Për këtë krim, kritikët nga kampet ende të fuqishme antikapitaliste iu vërsulën atij. Kishte një rrezik që ai të mos merrte diplomë, por “për fat të mirë, klima politike e Kinës ndryshoi brenda një periudhe të shkurtër kohore”.
Në mesin e viteve 1980, kur partinë e drejtonte Deng Xiaoping, zyrtarët po lëviznin drejt liberalizimit të ekonomisë. Megjithatë ata ishin disi të çorientuar. Pas dekadash ekonomie të planifikuar, thotë z. Zhang, “çmimi i gjithçkaje ishte i shtrembëruar” dhe zgjidhja e qeverisë ishte “të krijonte një qendër kërkimore për çmimet me një kompjuter të madh… dhe të rregullonte çmimet në bazë të llogaritjeve të tij”. Pa dyshim, “ata nuk arritën që të marrin asnjë rezultat”.
Kjo i dha z. Zhang mundësinë e parë. Në temën e tij të diplomimit, ai mori në konsideratë mundësinë e një sistemi çmimesh që mbetej i kontrolluar nga qeveria dhe pjesa tjetër t’i lihej tregut, me industritë që do të lëvizin gradualisht nga pista e parë në të dytën. Ai u la mbresa politikëbërësve me këtë ide në një konferencë të vitit 1984, dhe ata e mbështetën këtë ide, duke i dhënë z. Zhang një punë në Komisionin Shtetëror për Reformimin e Sistemit Ekonomik. Aty ai u ndie i kufizuar vetëm në politikëbërje. Burokratët rrallë kapin majat, thotë ai. “Të bësh politika është një proces politik… një kompromis”.
Duke kërkuar për një botë ku nuk i duhej që të bënte kompromise, ai shkoi në Oksford, ku studioi për doktoraturë në ekonomiks. Kur u kthye në Kinë në vitin 1994, ai bashkëthemeloi Qendrën Kineze për Kërkime Ekonomike në Universitetin e Pekinit, institucioni më i vjetër modern i vendit i të mësuarit të nivelit të lartë.
Z. Zhang thotë se ai parapëlqen mjedisin akademik të ideve sesa politikat, por dhe këtu ai qëndron larg. Ndryshe nga klani kinez i ekonomistëve të reformuar që e shohin veten si teknokratë, që i qëndrojnë larg shtetit që kontrollon gjithçka, z. Zhang mendon në terma moralë më të ngurtë. Në një fjalim gjatë këtij viti, ai solli në vëmendje Aristotelin dhe Thomas Aquinas për të argumentuar se ka një gjë të tillë si ligji natyror dhe se e drejta e pronësisë ka kaluar prioritare ndaj sovranitetit.
Liria e tij për të folur lidhet me aftësinë për të pranuar dështimet, dhe këtu qëndron tërheqja e z. Zhang për Hayek. Austriakët shfaqin pakënaqësi edhe ndaj bankave qendrore që përpiqen të manipulojnë kërkesën, për shkak se ashtu siç pohon z. Zhang, “kur bën një gabim, duhet të marrësh përsipër një përgjegjësi”,
“Në rast se ju vuani sot, është një vuajtje e vogël. Por në rast se nuk e kaloni këtë vuajtje sot, nesër ju do të vuani shumë më tepër”. Ajo që duhet të bëjë një ekonomist, thotë ai, “është që t’u tregojë njerëzve të vërtetën”.
Liderët duhet ta bëjnë këtë gjithashtu dhe ai flet me entuziazëm rreth fundit të viteve 1990, kur kriza ekonomike aziatike e nxiti partinë që të privatizonte kompanitë shtetërore, edhe pse kjo la 20 milionë vetë të papunë.
Në atë kohë, rryma intelektuale po shkonte drejt drejtimit të z. Zhang. Televizioni CCTV, nën kontrollin e shtetit, e shpalli atë “Ekonomisti i vitit” në vitin 2002, dhe ai kujton se në Universitetin e Pekinit “e gjithë kultura ishte gjithashtu e orientuar drejt reformave”. Ai u caktua asistent president i universitetit atë vit dhe më vonë dekan i Shkollës së Menaxhimit të Guanghua, ku ai nxiti reformat.
Reforma rezultoi e suksesshme, por reformuesi u kryqëzua. Të vjetrit u revoltuan, ndërkohë që akuzat që vinin në dyshim besnikërinë e z. Zhang qarkulluan nëpër internet. Ai u detyrua që të dorëhiqej nga posti në Guanghua në 2010-n.
Një pjesë e madhe e telasheve erdhi nga politikat e brendshme të kampusit, por ai gjithashtu thotë se mjedisi në përgjithësi ndryshoi. Universitetet e Kinës janë një produkt i një ekonomie të planifikuar, ndaj “në rast se i gjithë vendi ishte në një proces të mirë reformash, njerëzit si unë nuk duhet të trajtoheshin në atë mënyrë”.
Çfarë ndodhi? Liderët e Kinës, Hu Jintao dhe Wen Jiabao, në pushtet që prej vitit 2002, i kthyen mbrapsht reformat. Rritja e pabarazisë ishte justifikimi fillestar për favorizimin e sektorit publik dhe, ka dyshime se rritja e lartë i bindi shpejt politikëbërësit që të vazhdonin në atë rrugë. Slogani i ri në Pekin ishte “guo jin, min tui” (shteti përparon, sektori privat tërhiqet).
Kur shpërtheu kriza financiare, Pekini kapi shansin që të ecte dhe më tej me sektorin shtetëror. Rezultatet e varfra ekonomike janë tashmë të dukshme, por z. Zhang thotë se dekada e fundit ka parë gjithashtu probleme sociale dramatike, që kanë ndikuar në shndërrimin e klimës së opinionit. Njerëzit kanë parë burokratët që kanë shpërndarë burimet te kompanitë shtetërore dhe miqtë e tyre dhe perceptimet popullore për korrupsionin dhe pabarazinë janë rritur. Larg një krize tregjesh, thotë ai, Pekini po përballet me një krizë të shtetit.
Për këtë arsye, z. Zhang ka shpresë për reformat. Ai propozon rifillimin e privatizimit, që thotë se është më i lehtë për t’u bërë tani, duke qenë se disa nga kompanitë janë të listuara në bursa. Radhën e ka rishikimi i sistemit financiar, duke qenë se kompanitë shtetërore i përdorin bankat si makina tërheqje parash dhe u heqin sipërmarrësve mundësinë për hua formale.
A mund të presim një liberalizim të tillë, pasi liderët e rinj të vijnë në fuqi në mes të nëntorit? Ai thotë se sekretari i partisë së Guangdong, Wang Yang, është një “reformues i vërtetë”. Por, ai pranon se politika kineze është një kuti e zezë.
A ka ndonjë mundësi që Pekini t’i rikthehet një tjetër stimuli për të nxitur Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB)? “Sigurisht gjërat mund të shkojnë për më keq. Por mund të ketë gjithashtu mundësi të mira”. thotë ai. Ajo që ai di është se mënyra e të menduarit të njerëzve ka ndryshuar. Vetëm që ndikimi është i nënkuptuar, jo i qartë, në Kinën pa demokraci.
Z. Zhang është optimist për shkak se ai mendon se 30 vite hapjeje kanë shndërruar pritshmëritë. “Ne kemi shumë besim” në tregjet sot, dhe për këtë arsye dekada e fundit, kur ka pasur një kthesë kundër tregjeve, i ka irrituar njerëzit. Protestat masive kundër marrjes së tokës dhe demonstrime të tjera kundër qeveritare tani arrijnë në 180,000, sipas të dhënave të hartuara nga Universiteti Tsinghua në Pekin. Është vështirë që të injorohen këto protesta — dhe në mënyrë të fuqishme ato janë një thirrje morale për tregje të lira.
“Ne qeniet njerëzore gjithmonë kërkojmë lumturi”, thotë z. Zhang. “Tani ka dy rrugë. Mund ta bëni veten të lumtur, duke i bërë të tjerët të palumtur. Unë e quaj këtë logjika e grabitjes. Mënyra tjetër është të bëni veten të lumtur, duke bërë të tjerët të lumtur, kjo është logjika e tregut. Cilën mënyrë do të preferonit?”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.