Disa vjet më parë, sipërmarrësit i kthyen sytë nga bujqësia, kryesisht në fermat blegtorale. Zhgënjimi erdhi shumë shpejt. Shumë prej fermave të mëdha, tashmë janë mbyllur dhe mesa duket, edhe fati i të tjerave do të jetë i njëjtë. Kompanitë e mëdha agropërpunuese po mbështeten te lënda e parë që vjen nga importi, i cili shënoi rritje në 5-mujorin e parë. Shqiptarët i paguajnë prodhimet shtazore bazë shumë më shtrenjtë se rajoni
Nga Ledina Loga
Astriti merret me përpunimin e qumështit në një nga zonat e Malësisë së Tiranës që pas viteve ‘90. Ai e nis punën në baxhon e përpunimit të djathit më 1 maj dhe e mbyll në fund të tetorit. Të gjithë prodhimin e shet gjatë periudhës së dimrit në qytetin e Tiranës dhe, me të ardhurat, mban familjen. Ai nuk është optimist këtë vit, pasi nga maji dhe deri më tani, sasitë ditore të qumështit të siguruar kanë qenë më të ulëta se një vit më parë. Këtë sezon pune, ai siguron nga fshatarët një mesatare prej 5 kuintalë litër qumësht, në një ditë, ndërsa një vit më parë siguronte rreth 14-15 kuintalë në një ditë, gati 3 herë më pak.
Me qumështin ai prodhon nënproduktet, ku më kryesori është djathi. Për një kilogram djathë, ai thotë se duhen mesatarisht 5 litra qumësht. I pyetur për arsyet kryesore pse po siguron kaq pak qumësht këtë vit, Astriti shpjegon se vit pas viti, çobanët po pakësojnë tufat e bagëtive. Malësia e Tiranës përfshin Malin me Gropa, me lartësi mbi 1800 metra, Bizën dhe Martaneshin, ku prej klimës rriten kryesisht bagëti të imta dhe të leshta. Për shkak të vështirësive, shpjegon dhe Astriti, individët po humbasin interesin të merren me blegtori. Një pjesë kanë zbritur në zonat e urbanizuara, për një jetë më të mirë, ndërsa pjesa tjetër po pakëson tufat. Nëse situata do të vijojë kështu, atij do t’i duhet që shumë shpejt të kërkojë për një punë tjetër.
Ismail Beka, nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe ekspert në çështjet e bujqësisë, që në fillim paralajmëroi se investimet në blegtori në disa raste nuk u menduan mirë. Në shumë raste, u ndërtua një kompleks blegtoral me 200-500 lopë, apo 500-1000 bagëti të imta brenda një kompleksi stallash pa tokë bujqësore. Disa vjet më parë ai paralajmëroi që investimet e mëdha po përqendroheshin në investime moderne të ndërtesave të stallave, nëpërmjet importit të racave të bagëtive me kapacitete të larta prodhuese nga vendet europiane, u instaluan sistemet moderne të mjeljes, por ndërkohë që i gjithë ushqimi për mbarështimin e tyre duhej të blihej nga importi me kosto të lartë.
Sot, Beka jep argumentet në lidhje me tkurrjen e blegtorisë në stane. “Ata që dalin në stane e kanë jetën shumë të vështirë, apo njëlloj të vështirë sa ç’e kanë pasur gjithë jetën e tyre, pra nuk kanë pasur përmirësim cilësor apo mbështetje, përkundrazi janë vënë disa kushte të cilat nuk i lejojnë që ai të përpunojë në baxho të vogla, ta therë vetë bagëtinë në fshat. Janë forcuar rregullat dhe kushtet, të cilat nuk janë shoqëruar me programe mbështetëse, që këtyre njerëzve t’i përmirësojë cilësinë e jetës, apo t’ju krijohej një skemë më e thjeshtë për të përpunuar produktet që kanë”, – shpjegon ai. Megjithatë, sipas Ismail Bekës, problematike është pakësimi i bagëtive në fermat e mëdha.
“Problematikë, që nuk gjen justifikim, është dështimi i fermave të mëdha, të cilat kanë një numër të konsiderueshëm gjedhi apo bagëtish të imta, dhe operojnë me një lloj standardi. N.q.s. tendenca e uljes do të jetë te këto lloj kompleksesh, atëherë do të jetë kambanë alarmi”,- shton ai.
Por, edhe te fermat disi më të mëdha, panorama duket se është e njëjtë. Edi Cinari nga fshati Hajmel i Shkodrës, ka në fermën e tij rreth 50 viça për mish.
“Katastrofë” është fjala që ai zgjedh për të përshkruar ecurinë e fermës së tij. Cinari shpjegon se prej vitesh, numri bagëtive ka qenë në rënie, ndërsa fermat po shkojnë drejt përgjysmimit. Investimet që ai ka bërë për të ngritur fermën kanë qenë të mëdha. Arsyet kryesore të tkurrjes, sipas tij, lidhen me vështirësinë për të gjetur treg për shitje. Edhe pse ka nisur sezoni, ka rënë kërkesa dhe gjithashtu, rendimenti. Për sa u përket kostove, ai thotë se janë ulur disi, duke qenë se ka filluar ta sigurojë vetë ushqimin për kafshët me anë të tokave që ka marrë me qira. Cinari sjell si faktor edhe mungesën e subvencioneve. Në rast se një prej kafshëve të fermës ngordh, duhet të merret vetë me asgjësimin dhe për të nuk merr asnjë lloj subvencioni nga shteti.
Blegtorët po heqin dorë
Agim Mile nga fshati Kozarë i Kuçovës vendosi gjashtë vite më parë të rriste lopë për qumësht, me një investim të mbështetur në kredi, pasi ishte marrë për vite me radhë me bujqësi. Nga prodhimi i kulturave bujqësore në sera, Mile kaloi te rritja e viçave. E nisi në fillim me 10 krerë, ndërsa aktualisht ka 30. Edhe pse e ka rritur numrin e tufës, Mile thotë se ka në plan që ta shkrijë si punë, pasi ka shumë probleme. Në fermë, ata janë angazhuar familjarisht, por llogaritë nuk i dalin. Agimi shprehet se do të ulë sërish numrin pasi nuk ka më mbështetje, ushqimet për bagëtitë janë të shtrenjta, shitja e qumështit është me çmim të ulët dhe si përfundim i gjithë aktiviteti del me humbje. Në mendimin e tij, subvencionet janë në ulje. Për fermën ai ka përfituar rreth 700 mijë lekë, por që sipas tij nuk dalin për asgjë. Mile shton se nëse nuk hartohen politika për të nxitur blegtorinë, askush nuk do të ketë më interes të merret me këtë sektor. Blegtorët kanë nisur të heqin dorë.
Ismail Beka nga GIZ shpjegon se këto ndryshime në rregullore apo legjislacion, mungesa e subvencioneve, apo ndryshimi i skemës së TVSh-së, e cila u kundërshtua nga fermerët, ul interesin e tyre për t’u marrë me blegtori. Edhe skema e re prek vetëm ata fermerë që dorëzojnë qumështin në fabrikë dhe shkon në favor të atyre që janë të lidhur me industrinë.
Emigracioni, të rikthyerit dhe të zhgënjyerit
Dedë Gostini nga Blinishti i Lezhës, tashmë i dalë në pension, prej një viti e ka hequr të gjithë tufën me 80 krerë dhi franceze. Ky ishte një investim që djemtë e tij vendosën ta bënin kur u kthyen nga emigracioni, mirë po nuk rezultoi i suksesshëm. Deda tregon se tashmë ata kanë emigruar sërish drejt Gjermanisë dhe ata pak krerë që ngelën vendosi t’i hiqte të gjitha pasi nuk kishte më fuqi të merrej me punët e bujqësisë. Se si erdhën drejt mbylljes, Deda shpjegon se tufës i ra sëmundja, por edhe se ushqimet dhe mirëmbajtja e fermës kishte kosto të larta.
Iliri Hajredini, një tjetër fermer blegtor në zonën e Lushnjës, është pesimist për ecurinë e fermës së tij. Në zonën ku ai operon është pakësuar shumë aktiviteti në këtë sektor dhe kjo sepse njerëzit nuk kanë më interes. Hajredini thotë se rinia tashmë ka përparësi emigrimin dhe nuk e shikojnë fare si variant që të merren me bujqësi dhe aq më pak me blegtori. Madje parashikimi i tij është aq i zymtë sa thotë se shumë shpejt blegtoria do të braktiset fare. “Të vetmin që po merren aktualisht janë mosha e madhe, por kur shumë shpejt ata t’i lënë fuqitë dhe të heqin dorë nga puna, toka do të mbesë djerrë”, – thotë Hajredini.
Në fermën e tij ai ka 20 krerë, 15 lopë qumështi. Për ta ngritur atë, ai ka investuar shumë, por nga ky biznes nuk po nxjerr të ardhura. Të gjesh punëtorë për të ndihmuar tashmë është bërë mision i pamundur, subvencione nuk ka. Si përfundim ai thotë se nuk arrin t’i mbulojë shpenzimet, prandaj do të shkojë drejt pakësimit të aktivitetit.
Dështimi i fermave të mëdha, kambanë alarmi
Bioferma Rramilli, një nga fermat më të mëdha në Shqipëri, është në prag të falimentimit. Tashmë në fermën e tyre nuk kanë më lopë dhe po merren me rritjen e bagëtive të imta, ku kanë rreth 200 krerë. Eltjon Rramilli, përfaqësues i fermës, tha se kur fermat nuk kanë mbështetje, qumështi del më i shtrenjtë se sa qumështi hungarez apo italian. “Madje edhe qumështi nga rajoni, serb dhe maqedonas, vjen si import me çmim më të lirë”,- shton Rramilli.
Fermat e mëdha blegtorale në vend kanë hyrë në një cikël të vështirë mbijetese. Falimentet janë shtuar, për shkak se prodhimet e tyre nuk janë konkurruese me tregun e zi dhe importet. Kostot e larta të bazës ushqimore, nga njëra anë, dhe informaliteti i lartë në treg, nga ana tjetër, i nxjerrin prodhimet e fermave me çmime 35% më të larta se importi.
Ismail Beka shpjegon se pjesa e investimeve blegtorale janë parë si industri dhe janë bërë nga njerëz pa përvojë. Ndërtuan kapanonet si një mjedis urban, pa pasur tokë në dispozicion. Fermat përdorën teknologji moderne, morën raca ndërkombëtare me rendiment të lartë, ushqim të shpërndarë me teknologji, por detyroheshin të importonin ushqim dhe i nxirrnin kafshët në gjendje të lirë. Që të kesh lopë duhet të kesh për çdo lopë minimalisht gjysmë hektari tokë. Me kushtet klimatike të Shqipërisë, bagëtitë duhet të rrinë në gjendje të lirë.
Beka shton se u investua gjithashtu në raca që nuk përshtateshin me kushtet klimatike në Shqipëri, ndërkohë që mund të investoheshin në racat shqiptare, që për nga rendimenti mund të jepnin prodhim më të ulët, por janë më rezistente ndaj kushteve të ekosistemit këtu.
Jo vetëm që u ndërtuan shumë stalla, por bashkë me këto u ndërtuan edhe shumë minipunishte. Gjithçka varet nga orientimi që t’i vendos të prodhosh. Mund të prodhosh jo shumë, por të konkurrosh me cilësi, dhe ferma jote të jetë rentabël.
Agropërpunuesit, mungesa e lëndës së parë na ka çuar drejt importit
Saimir Begaj, përfaqësues i kompanisë “Erzeni”, tha për “Monitor” se e kanë ndier tkurrjen e blegtorisë në aktivitetin e tyre. Në zonën ku ai operon dhe grumbullon qumësht, zoti Begaj thotë se fermerët po kalojnë nga blegtoria te mbjelljet e serave. Gjithashtu ka pasur mbyllje të fermave të vogla me pak krerë bagëti.
Këtë gjë pohon edhe Luis Ndreka, nga kompania “Lufra”, më e madhja në vend për sa i përket përpunimit të qumështit dhe prodhimin e nënprodukteve. Sipas tij, janë mbyllur ferma, ndonëse ato po përpiqen që të nxisin fermerët duke pranuar një çmim më të lartë për lëndën e parë apo duke mbështetur fermerët potencialë me mjete mbështetëse si tanke ftohëse, duke shpërndarë mjelëse për të rregulluar higjienën dhe duke krijuar një shërbim ekstensioni me veterinerë për këshillimin e fermerëve. Megjithatë sipas Ndrekës, shifrat duhen lexuar me kujdes, pasi shpesh në bazë të intensitetit dhe presionit të shtetit për kontrolle ndodh edhe që të ulet deklarimi dhe të rritet informaliteti.
Në fakt, statistikat mbi importet e produkteve bulmetore, vezëve dhe mjaltit panë rritje dyshifrore në 5-mujorin e 2019-s, duke u rritur me 18% në krahasim me një vit më parë. Kjo ishte rritja më e madhe e importeve për kapitullin e produkteve bulmetore, vezëve dhe mjaltit që prej vitit 2008, sikurse tregojnë të dhënat e INSTAT mbi tregtinë e jashtme. Rritja më e madhe e importeve u regjistrua në shkurt dhe mars, ku importet për këtë kapitull u rritën përkatësisht me 26 dhe 41%. Në prill, rritja ishte më e ulët duke reflektuar edhe vendimin e qeverisë për të subvencionuar me 10 lekë për litër, ndërsa në maj importet shënuan sërish rritje dyshifrore prej 18% në krahasim me të njëjtin muaj një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.