Zhvillimet politike në Kosovë: Dështon përsëri votimi i Projektligjit për rimëkëmbje

06/11/2020 2:01 PM 0 komente

Ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku ishte paraparë të hidhet në votim në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Seance ka dështuar në mungesë të kuorumit.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë, Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, është shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit.

Mungesa e kuorumit, sipas nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, vjen për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend.

Ai tha se propozuesi i kësaj seance, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për 11 nëntor, duke filluar nga ora 11:00.

“Nuk ka kuorum për mbajtjen e kësaj seance. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për datën 11 nëntor 2020”, tha Shala.

Më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Dhomat e Specializuara. Njëjtë veproi edhe kreu i deritanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili pas konfirmimit të aktakuzës, tha se do të heqë dorë nga të gjitha funksionet.

Më 5 nëntor, përveç Thaçit dhe Veselit, në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës, u transferua edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Ndërkaq, në Hagë, më 4 nëntor në qendrën e paraburgimit të Dhomave Speciale, u dërgua edhe ish-kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, nën akuza për krime lufte.

Pas dorëheqjes së Thaçit, në bazë të kompetencave kushtetuese, ushtruese e detyrës së presidentit u bë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një adresim bëri thirrje për unitet dhe tha se në këtë kohë të vështirë nëpër të cilën po kalon Kosova, duhet “lidership i fuqishëm”.

Ndryshe, Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që në lexim të parë u votua më 12 tetor – mëton të ndihmojë në rikuperimin e humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kurse, gjatë ditës së sotme projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike  ka marrë mbështetjen e Komisionit Parlamentar për Legjislacion.

Mbledhja është mbajtur ‘online’, derisa kryetari i këtij Komisioni Shkëmb Manaj ka konfirmuar se me 5 vota për dhe një abstenim është miratuar raporti me amendamente e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

“Po, kaloj. Me 5 vota për dhe një abstenim u miratua Projektligji dhe raporti me amendamente”.

Bizneset në Kosovë kanë raportuar humbje në pothuajse të gjithë sektorët, që prej fillimit të pandemisë. Andaj, subjektet ekonomike u kanë bërë thirrje disa herë deputetëve që ta votojnë këtë projektligj, pasi sipas tyre, “adresimi i dëmeve të shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID-19”.

Në këtë projektligj po ashtu parashihet që kontributpaguesit të mund të tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Ky projektligj nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of