Çështja e pronësisë vijon të jetë thembra e akilit për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Në 25 vitet e fundit statusi i paqartë i pronës ka qene një ndër arsyet themelore për mungesën e investimeve të huaja. Dixhitalizimi i kadastrave po shihet si një zgjidhje finale me të cilën qeveria synon të shmangë pronësinë e dyfishtë dhe ndërrimin e destiancionit të tokës.
Në programin e reformave 2016-2018 qeveria ka shpallur miratimin e Strategjisë për konsolidimin e tokës dhe përgatitjen e kuadrit ligjor për konsolidimin e tokës.
Gjatë vitit 2010, janë regjistruar rreth 3600 transaksione e tokës për një sipërfaqe prej 830 ha tokë bujqësore me një vlerë totale të regjistruar prej 37.8 milionë eurosh (4.4 euro/m2 ). Megjithatë, është raportuar se shumë nga këto transaksione nuk janë për qëllim të zhvillimit bujqësor, por për konvertimin e mëvonshëm të tokës nga bujqësore për përdorim rezidencial dhe përdorime të tjera).
Projektet e konsolidimit të tokës do të kryhen paralelisht me planifikimin e infrastrukturës në aspektin e cilësisë së rrjetit rrugor dhe ujitjes, si pjesë e një qasjeje të integruar për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Prioritet do t‟u jepet rajoneve me bujqësi të zhvilluar dhe intensive ku parcela të vogla dhe të fragmentuara kufizojnë në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë si veprimtari primare në zonat rurale, dhe fermerët paraqesin interes. Gjithashtu toka rrezikon të copëtohet edhe më tej nga trashëgimtarët. Duke paraqitur këtë panoramë të situatës me tokën bujqësore qeveria lajmëron se tatimi mbi tokën bujqësore mund të konsiderohet si masë e mundshme për të korrigjuar procesin e të drejtave multitokësore, por nuk është paraparë në tri vitet e ardhshme.
Reforma mbi tokës do të fokusohet me:
2016
– Miratimi i strategjisë;
– Vazhdimi i procesit të sistemit informativ të tokës dhe integrimin e tij në GIS (qarqet Fier dhe Berat);
– Digitalizimi i regjistrave të tokës në 15 njësi administrative;
– Startimi i përgatitjeve për themelimin e kornizës institucionale/organizative të konsolidimit të tokës dhe ngritjen e fondeve të nevojshme.
2017
– Ngritja e njësisë së konsolidimit të tokës në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe organizimi i punës për hartimin e ligjit për konsolidimin e tokës, si dhe ndryshimet e nevojshme ndaj ligjeve ekzistuese (ligji nr. 8337/1998, “Për transferimin e pronësisë, e tokës bujqësore, pyjeve dhe kullotave”, neni 5) etj.;
– Zhvillimi i një plani komunikimi dhe kryerjen e një fushate të synuar kombëtare që do të fokusohet veçanërisht në mediat lokale në mënyrë që të paraqesin përvojat reale pozitive të fermerëve nga projektet e përfunduara të konsolidimit;
– Përgatitja e programit vjetor të punës; – Hartimi i programit të trajnimit dhe materialeve të trajnimit bazuar në përvojat e akumuluara, gjatë zbatimit të projekteve pilot është një parakusht për zbatimin e suksesshëm të një programi kombëtar mbi konsolidimin e tokës
2018
– Zbatimi i projekteve pilot për rregullimin e tokës në bashki të caktuara.
Kostot
Reth 180,000 euro kushton integrimi në Sistemin e integruar të Tokës (LIS) të 60,000 ha tokë bujqësore dhe dixhitalizimin e parcelave kadastrale (2016)
200,000 euro për integrimi në Sistemin e integruar të Tokës të 70,000 ha tokë bujqësore dhe dixhitalizimin e parcelave kadastrale (2017);
-180,000 euro kushton integrimi në Sistemin e integruar të Tokës 60,000 ha tokë bujqësore dhe dixhitalizimin e parcelave kadastrale (2018); –
-100,000 euro duhen për zbatimin e projekteve pilot në bashki të caktuara (2018); –
100,000 euro duhen për zbatimin e projekteve të papërfunduar në bashkinë (2018); –
5,000 euro duhen për zhvillimin e planit të komunikimit (2017); – Euro 7,000 për fushatën e targetuar mediatike (2017);
– 40,000 euro duhen për zbatimin e planit të trajnimit (2017);
– 150,000 euro kushton asistenca teknike për zbatimin e projekteve pilot së konsolidimit të tokës (2017-2018).
Ndikimi total buxhetor është 180,000 euro për 2016, 200,000 euro për vitin2017 dhe 602,000 euro për vitin 2018.
Vlera prej 402,000 eurosh për zbatimin e projekteve pilot të konsolidimit të tokës dhe aktivitetet e lidhura me to nuk mbulohet nga buxheti MBZHRAU.
Impakti
Një nga ndikimet kryesore të rëndësishëm të reformës së konsolidimit të tokës do të jetë rritja e produktivitetit të prodhimit bujqësor për shkak të ekonomive të shkallës, të krijuara si pasojë e rritjes së madhësisë së fermës. Rritja e prodhimit bujqësor do të rrisë konkurrencën në tregjet vendase dhe të huaja për këto produkte gjë që do të ketë ndikim në rritjen e eksporteve si dhe uljen e deficitit tregtar. Reforma konsolidimit të tokës është një kompleks masash dhe në radhë të parë të krijimit të bazës ligjore dhe rregullimin e duhur lidhur fort me formalizimin e fermave bujqësore, si dhe aktivitetit të tyre ekonomik, që do të thotë rritje e aksesit në subvencione dhe kredi rurale nga fermerët dhe agrobizneset. Përveç kësaj, do të rrisë investimet në bujqësi dhe zhvillimin e tregut formal të tokës. Përfitime të tjera të reformës së konsolidimit të tokës do të jenë rritja e mekanizimit të bujqësisë që do të thotë rritje e vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i cilësisë së jetës në zonat rurale. Përfitime të tjera do të vijnë nga rritja e ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve të të gjithë aktorëve të përfshirë në çështjet gjinore që lidhen me konsolidimin e tokës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.