Zhvillimi i tregjeve të kapitalit, BB jep rekomandimet pas mbylljes së projektit me AMF

12/09/2019 12:00 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME: ,

Banka Botërore ka vlerësuar projektin për ndërtimin e kapaciteteve monitoruese të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si të kënaqshëm, por ka rekomanduar që në vijim të mbahen parasysh disa këshilla.

Referuar dokumentit zyrtar, BB thotë se te projekti që lidhet me zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe kapacitetet e rregullatorit për të përmbushur detyrimet, theksi vihet së pari te hartimi më i mirë i projekteve. Sipas Bankës është e rëndësishme që objektivat të jenë të qarta ashtu sikurse duhet të vendosen afatet për arritjen e tyre.

“Në projekte të tilla si ky është me përfitim që të kesh një kuadër vlerësimi dhe monitorimi për të qartësuar rezultatin, pritshmëritë dhe afatet para miratimit. Indikatorët e rezultateve për projektin në kohën e aprovimit ishin cilësorë pa ndonjë target sasior apo afate. Gjithsesi, në fazën e zbatimit, një kuadër shumë i detajuar që nënvizon afatet për dhënien e ndikimit, rezultatin dhe indikatorët e tij, u bë një mjet shumë i rëndësishëm monitorimi, që përdoret për të vlerësuar arritjet e rezultateve kyçe të projektit dy herë në vit”, nënvizon raporti.
Një tjetër element që Banka sjell në vëmendje është ai për mënyrën sesi planifikohen aktivitetet brenda projektit.

“Ka nevojë për një vlerësim të kujdesshëm të afateve të përgatitjes dhe zbatimit të projektit në mënyrë që të shmangen zgjatjet e datave të mbylljes së projektit në një fazë më të vonë. Amortizatorët duhet që të ndërtohen si faktorë në kohën që i duhen qeverisë për të kompletuar procesin e ratifikimit dhe të marrëveshjes së grantit si dhe kompletimin e planit të prokurimit. Gjithashtu aktivitetet e projektit duhet që të dizajnohen me kujdes dhe të renditen gjatë kohës së projektit për të marrë parasysh edhe kufizimet në kapacitetet zbatuese që mund të ketë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare” vijon raporti.

Së treti sipas dokumentit në projekte me aktivitete të lidhura me të, është e rëndësishme që të vihet theksi te përfitimet te një kontratë e vetme dhe jo te ndarja e zbatimit në kontrata të ndryshme kundër kostove dhe rreziqeve potenciale. “Një nga objektivat kryesore të të pasurit të tre kontratave të ndara ishte që të zvogëloheshin risqet potenciale që vinin nga alokimi i gjithë punës në një kompani të vetme.

Gjithsesi në projekte me aktivitete të brendshme është e rëndësishme që të vihet pesha tek përfitimi kundër risqeve dhe kostove potenciale të ndarjes së zbatimit në kontrata të ndryshme. Të pasurit të kontratave të ndryshme, në raste të tilla, mund të shkaktojë vonesa në zbatim si dhe procedura të gjata në tenderime, por ndoshta edhe mungesë eficence, mbivendosje, koordinim të dobët mes aktiviteteve të ndryshme”, thuhet në raportin e BB.

Në fund, BB nënvizon se në projekte me komponent ndërtim kapacitetesh dhe programe trajnimi vënia e theksit tek certifikatat e njohura ndërkombëtarisht do të jetë përfitim për të siguruar marrje më të mirë të njohurive. “Me ndihmën e projektit stafi i AMF përfitoi nga pjesëmarrja në 39 trajnime dhe aktivitete të lidhura me workshope, kurse jashtë, vizita studimore në rregullatorë apo tregje të tjera”.
Projekti për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF u zbatua për disa vite nëpërmjet një fondi prej 2.06 milionë USD mbështetur nga SECO dhe Banka Botërore.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of