Ligji për planifikimin e zhvillimit të territorit tashmë ka hyrë në fuqi, ndërsa është parashikuar që deri në qershor të këtij viti, të bëhen gati edhe aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e tyre.
Në këtë ligj parashikohet që të ngrihet Regjistri Kombëtar i Regjistrimit si baza e të gjitha të dhënave shtetërore, ku do të administrohen informacionet mbi territorin, dokumentet e planifikimit, në proces miratimi apo të miratuara, së bashku me të drejtat apo kufizimet ligjore, që rrjedhin prej tyre, si dhe studime apo materiale të tjera në funksion të planifikimit e me interes për publikun, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi. Këshilli Kombëtar i Territorit do të jetë organi i cili do të japë të gjitha lejet e ndërtimit dhe zhvillimit për objektet me rëndësi kombëtare apo që kanë të bëjnë me investime strategjike në vend.
Me këtë ligj përcaktohet edhe ngritja e sistemit elektronik të lejeve për kryerjen e procedurave të aplikimit dhe shqyrtimit të kërkesave për leje në fushën e ndërtimit. Gjithashtu kuadri përcakton edhe sanksione. Në nenin 16 bëhen shtesa: “Refuzimi i lejes së ndërtimit në kundërshtim me legjislacionin e zbatueshëm dënohet me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë;”.
Ndryshimet saktësojnë edhe fushën e zbatimit të taksës për ndikimin në infrastrukturë. Në nenin 46, pika 1 e ndryshuar, thuhet: “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja zbatohet për zhvillimet e reja që, sipas këtij ligji, kërkojnë pajisjen me leje ndërtimi dhe llogaritet sipas legjislacionit për sistemin e taksave vendore.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.