Presidenti Hashim Thaçi ka shpallur të mërkurën, 27 nëntor 2019, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë.
“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Thaçit.
Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetërorë ulen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Kurse, me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës se Shqipërisë, dita e sotme, është shpallur ditë zie kombëtare.
Në Ambasadën e Republikës se Shqipërisë në Prishtinë do të hapet një libër ngushëllimesh sot prej orës 12:00 deri në 15:00 dhe nesër më 28 nëntor nga ora 10.00 – 13.00. Në mesditën e sotme në ambasadë do të mbahet një minutë heshtje.
Deri më tash ka shkuar në 27 numri i viktimave nga tërmeti i një dite më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.