Koha ndalet në Fuorcla digl Leget. Fjalë për fjalë. Sa më shumë t’i afroheni orës që qëndron pezull mes dy shkëmbinjve, në lartësinë më shumë se 2700 metra mbi nivelin e detit, aq më ngadalë lëvizin akrepat e saj. Kur ju ndodheni pikërisht poshtë instalacionit, koha ndalon fare.
Vepra interesante land art e dy artistëve nga Mynihu, Thomas Huber dhe Wolfgang Aichner, ndodhet në Val d’Agnel në Parkun Ela, me sipërfaqe 548 kilometra katrorë, i cili është parku më i madh natyror në Zvicër. Instalacioni, i cili do të qëndrojë aty deri më 17 shtator, quhet “Und Endlich” (“Dhe më në fund”). Ai është vendosur në portën e famshme në shkëmbinj në Fuorcla digl Leget. Ju mund të mbërrini aty pas një ecje rreth një orë e gjysmë.
Ora në shkëmb “u përshtatet’ vizitorëve
Kur një vizitor afrohet, sensorët, minikompjuterët dhe webcam-erat u komunikojnë pozicionin e tyre objektit, i cili ngadalëson gradualisht rrjedhjen e kohës deri sa ndalet. Me këtë instalacion, thonë dy artistët, njerëzit mund të ndikojnë lëvizjen e orës e ndoshta, vetë kohën. Për të shpjeguar më mirë veprën e tyre, Thomas Huber e Wolfgang Aichner citojnë “Die gestundete Zeit” (Koha e vonuar) e poetes së famshme austriakeIngeborg Bachmann
“Ditët më të vështira po vijnë. Koha e vonuar dhe e revokueshme shfaqet tashmë në horizont. Shumë shpejt do duhet të veshësh këpucët…”.