Zvicra është e ndarë në rajone të veҫanta, sipas gjuhëve të ndryshme që fliten në këtë vend. Ky vendi ka katër gjuhë zyrtare.
Zvicra është një nga vendet më mahnitëse në kontinentin europian, e cila ndodhet në udhëkryqin e rajoneve franceze, gjermane dhe italiane të Europës.
Ky vend malor ka rajone shumë të ndryshme, me traditat dhe atmosferën e tyre të veҫantë. Zyrtarisht, në Zvicër ka katër gjuhë zyrtare – gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja dhe gjuha Reto-Romanike.
Zvicra është pika ku bashkohen gjuhët gjermanike dhe romantike (gjuhë me bazë latine, të tilla si italishtja dhe frëngjishtja) të Europës. Rajonet e Zvicrës, të ndara sipas këtyre ndryshimeve linguistike, nuk i dallon thjesht gjuha që flet popullsia vendase.
Ndarja është gjithashtu edhe kulturore. Zvicra është një konfederatë e përbërë nga 26 kantone, të cilat janë të ngjashme me shtetet dhe kanë një shkallë të lartë autonomie.
Pjesa gjermane e Zvicrës
Pjesa gjermane e Zvicrës është ajo më e madhja – megjithëse dialekti i gjermanishtes që flitet në Zvicër është shumë i ndryshëm nga ai i Gjermanisë. Dialekti që flitet këtu është ai i “gjermanishtes zvicerane”, i cili është shumë i ndryshëm nga dialekti standard i gjermanishtes së sipërme.
Gjermanishtja (ose gjermanishtja zvicerane) flitet nga gati dy të tretat e popullsisë (rreth 62.8%). Qytetet gjermanishtfolëse përfshijnë Bernin, kryeqytetin e vendit; Cyrihun, i cili është qyteti më i madh i Zvicrës; si dhe Bazelin.
- Gjermanishtja (gjermanishtja zvicerane): Flitet nga 62,8% e popullsisë
- Qytetet më të njohura ku flitet gjermanisht: Berni, Cyrihu, Bazeli
- Cyrihu: Në qytetin më të madh të Zvicrës flitet gjermanisht
- Berni: Në kryeqytetin e Zvicrës flitet gjermanisht
Rajonet gjermane të Zvicrës përfshijnë pjesën veriore, qendrore dhe lindore të vendit – pra, pjesën më të madhe të vendit. Zvicra kufizohet me Gjermaninë, Francën, Italinë, Austrinë dhe me mikroshtetin e Lihtenshtejnit. Tre prej këtyre vendeve – Gjermania, Austria dhe Lihtenshtejni flasin gjermanisht.
Gjermanishtja është gjuha e vetme zyrtare në 17 nga 26 kantonet e Zvicrës, si dhe një nga gjuhët zyrtare në tre kantone të tjera ku flitet edhe frëngjishtja. Në kantonin tregjuhësh të Graubünden (ose Grisons), ajo është gjuha mbizotëruese që përdoret nga popullsia.
Pjesa gjermane e Zvicrës përfshin shumicën e atraksioneve më të famshme të vendit. Kultura zvicerano-gjermane është ajo më e njohura për vendet e tjera të botës.
Nëse udhëtoni për në Zvicër, do të vini re se ndonjëherë ka “kufij” jozyrtarë midis rajoneve të ndryshme gjuhësore të Zvicrës dhe ndryshimi nga njëri rajon te tjetri është mjaft i dukshëm.
Pjesa franceze e Zvicrës
Pjesa franceze është e dyta më e madhja në Zvicër dhe përbën pothuajse një të katërtën e popullsisë (rreth 22.9%). Kryesisht, ajo ndodhet në pjesën perëndimore të vendit, në afërsi të Francës. Qytetet kryesore ku flitet frëngjisht përfshijnë Gjenevën dhe Lozanën.
- Frëngjishtja: Flitet nga 22.9% e popullsisë
- Qytete më të njohura ku flitet frëngjisht: Gjeneva dhe Lozana
- Romand: Emri me të cilin njihet popullsia frëngjishtfolëse e Zvicrës
- Gjeneva: Në këtë qytet të rëndësishëm ndërkombëtar flitet frëngjisht
Pjesa franceze e Zvicrës njihet me emrin Romandia dhe përfshin rreth një të katërtën e popullsisë zvicerane. Popullsia është kryesisht e përqendruar rreth rajonit Arc Lémanique, përgjatë liqenit të Gjenevës, i cili lidh Gjenevën, Vaudin dhe Valaisin e Poshtëm.
Frëngjishtja është gjuha e vetme zyrtare në katër kantone – në Gjenevë, Vaud, Neuchâtel dhe Jura. Gjithashtu, ajo ka statusin e gjuhës bashkë-zyrtare në tre kantone të tjera – Fribourg/Freiburg, Valais/Wallis dhe Berne/Bern.
Pjesa italiane e Zvicrës
Rajoni italian i Zvivrës është i përqendruar kryesisht në disa lugina në pjesën jugore të vendit, në afërsi me Italinë. Popullsia që flet italisht përbën rreth 8.2% të popullsisë totale të Zvicrës.
Pjesa kryesore italishtfolëse e Zvicrës është në kantonin Ticino në kufi me Italinë. Ky është kantoni që ndodhet në skajin më jugor të Zvicrës dhe, nga ana gjeografike, është pothuajse tërësisht në jug të Alpeve.
- Italishtja: Flitet nga 8.2% e popullsisë
- Kantonet ku flitet italisht: Ticino (kryesisht), pjesa jugore e Graubünden, dhe disa pjesë të Grisons
- Veҫantia: Rajoni italian dallohet për faktin se është mjaft i ndryshëm nga pjesa tjetër e vendit
Kantoni ka një popullsi prej rreth 350,000 njerëzish dhe qyteti i tij më i madh është Lugano. Disa qytete të tjera të rëndësishme janë Bellinzona dhe Locarno. Kantoni është një destinacion kryesor turistik për Zvicrën dhe është i famshëm për klimën e tij të ngrohtë, për kulturën meridionale dhe për gastronominë. Këto karakteristika e dallojnë atë nga pjesa tjetër e vendit. / The Travel