Zvicra është shteti që ka investuar më shumë para në Kosovë gjatë vitit të kaluar. Me shumën prej 61 milionë e 500 mijë euro, që kanë hyrë si Investime të huaja direkte nga ky vend gjatë periudhës janar-shtator, Zvicra mban vendin e parë në listën e IHD në 2015…
Ndërkohë që ajo renditet si e katërta në mesin e shteteve me numrin më të madh të bizneseve të hapura gjatë 2015, në Kosovë, shkruan Gazeta Fjala.
Për numrin e bizneseve para saj janë renditur Shqipëria me 65 biznese, Turqia me 51 biznese dhe Gjermania me 32 biznese.
Përkatësisht, Shqipëria investoi 28.8 milionë euro, Turqia 39.8 dhe Gjermania 20.8 milionë euro.
Në tabelën ku janë renditur shtete që kanë investuar më shumë në Kosovë në mesin e 9 shteteve, e fundit me investimin më të vogël renditet Italia. Ky shtet ka sjellë 4.3 milionë euro në vend, me 24 biznese, aq sa ka edhe Serbia.
Në total numri i bizneseve me pronarë të huaj sipas shteteve del të jetë 385, sipas regjistrimit të tyre në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), për gjatë periudhës janar-tetor. Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në total 260.7 milionë euro kanë hyrë në Kosovës si rezultat i Investimeve Direkte. Gjatë muajit prill kishte ndodhur investimi më i madh 47.1 milionë euro kurse muaji qershor solli më së paku të hyra nga investimet në Kosovë, vetëm 6.7 milionë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.