Pandemia nuk ka ndikuar në uljen e çmimeve të ambienteve me qira të dyqaneve në qendrat tregtare, në rrugët kryesore të Tiranës, por edhe të zyrave, sipas Stela Dhami, drejtoreshë në kompaninë “Colliers International Albania”.
“Deri në këto momente nuk është vënë re ndonjë ndikim i drejtpërdrejtë i COVID-19 në çmimin e dyqaneve dhe zyrave. Nëse shtimi i rasteve vazhdon për një kohë të gjatë, mendoj se ndikimi do të reflektohet më vonë, si në ulje të çmimeve të qirave ashtu dhe në shtimin e hapësirave të lira.”
Nga studimi i fundit i kompanisë “Colliers International Albania” nuk ka rezultuar edhe që të ketë një shtim të ambienteve të lira të zyrave. “Kjo vjen si pasojë se kontratat e zyrave janë disavjeçare, si dhe një pjesë e mirë e punonjësve janë rikthyer në punë. Pra nuk kemi largim për momentin të qiramarrësve, por presim që të kemi një lloj ndikimi për korporatat ndërkombëtare ku strategjia e pasurive të paluajtshme bëhet globalisht”, shpjegon zonja Dhami.
Në këtë periudhë është shfaqur tendenca e shtimit të ambienteve bosh për qira si në qendrat tregtare dhe për ambiente zyre. “Përqindja e hapësirave bosh në qendrat tregtare është ulur në krahasim me vitin e kaluar (nga 6.55% në 4.93%) duke treguar një rritje të kërkesës për qendra tregtare. Përqindja e hapësirave bosh në ambientet e zyrave është rritur në krahasim me vitin e kaluar (nga 8.89% në 24.32%), për shkak të shtimit në treg të stokut të zyrave të “Arena Center” dhe “Forever Green Tower”. Ndërkohë rritja e stokut ka shtuar konkurrencën dhe tashmë qiradhënësve do t’u duhet të jenë më tërheqës ndaj qiramarrësve, duke u ofruar më shumë mundësi bashkëpunimi të drejtpërdrejta.”
Në tregun e qirave, sipas zonjës Dhami ka pasur lehtësime në shtyrje apo reduktim pagesash për muajt e karantinës nga ana e qiradhënësve, sidomos në qendrat tregtare, por çmimet e qirasë vazhdojnë që të jenë të njëjta me ato të para karantinës. “Vetëm çmimet e rrugëve tregtare kanë pësuar ulje të lehtë nga viti i kaluar, por jo prej COVID-19. Në rrugët tregtare është vënë re edhe një lirim i hapësirave tregtare, pra përqindja e zënies së rrugëve tregtare është ulur, gjë që tregon largim të qiramarrësve të vegjël rë cilët janë ndikuar direkt nga ulja e konsumit në periudhën e mbylljes së ambienteve tregtare”.
Përfaqësuesja e kompanisë vlerëson se në tregun e qirave të dyqaneve dhe zyrave, ndikimi i pandemisë pritet të jetë më i madh në periudhën e fundvitit të 2020-s dhe fillim të vitit të ri. “Atëherë do të reflektohen edhe ndryshimet në politikat e pasurive të paluajtshme të kompanive ndërkombëtare. Disa zinxhirë markash të huaja do të mbyllin dyqane, ndërsa në sektorin e zyrave, me ndryshimin e mënyrës së punës në atë kryesisht të punës nga shtëpia, po shikohen hapësira zyrash që ofrojnë më shumë fleksibilitet në kontrata qiraje.
Vetë si kompani kemi klientë ndërkombëtarë, të cilët prej COVID-19 kanë ndryshuar strategjinë e real estate dhe janë në kërkim të atyre që quhen “co-working spaces” ku mund të zgjerohen dhe të zvogëlohen, sipas kërkesave të biznesit me kosto më të ulët financiare”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.