Tani është zyrtare. Antoine Griezmann do të jetë një lojtar i ri i Barcelonës në sezonin 2019/2020. Sulmuesi, fitues i Kupës së Botës me Francën në vitin 2018, i dha lamtumirë Atletico Madrid pas pesë sezonesh, me 257 prezenca dhe me 133 gola të shënuar në të gjithë kompeticionet.
“FC Barcelona ka paguar klauzolën prej 120 milionë eurosh për të blerë Antoine Griezmann nga Atletico Madrid” – shkruan klubi katalan në një deklaratë zyrtare, të publikuar në faqen e vet sot paradite.
“Lojtari, – vijon më tej deklarata – do të nënshkruajë një kontratë me klubin e tij të ri për pesë sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor 2024, me klauzolë 800 milionë euro. Ne do të publikojmë së shpejti programin e plotë për prezantimin e Antoine Griezmann si një futbollist i ri i Barcelonës”.
Sipas mediave spanjolle, paga neto e futbollistit francez do të jetë 18 milionë euro në dy sezonet e para, e cila do të rritet në vitet e mëpasshme, në 21 milionë në sezonin e tretë dhe 23 milionë euro në sezonin e katërt dhe të pestë.