Lionel Messi thotë se ai do të qëndrojë te Barcelona sezonin e ardhshëm, pasi bëri një kthesë tronditëse në të ardhmen e tij
Babai i futbollistit dhe njëkohësisht agjenti i tij Jorge i shkroi të premten La Liga, duke këmbëngulur te fakti që lojtari lejohet me kontratë të largohet lirisht nga Barcelona, në merkaton aktuale të transferimeve. La Liga iu përgjigj menjëherë deklaratës, duke theksuar qëndrimin se klauzola e lirimit prej 700 milionë eurosh duhet paguar e gjitha nëse 33-vjeçari dëshiron të largohet nga klubi.
“Mendova dhe isha i bindur se mund largohesha lirisht, presidenti më ka thënë gjithnjë se në fund të sezonit mund të vendosja nëse do të qëndroja ose jo” – tha Messi për ‘Goal’.
“Tani ata kapen pas faktit që nuk e thashë këtë gjë para 10 qershorit, kur në atë kohë ishim në garë për La Liga dhe në mes të kësaj pandemie të tmerrshme që ka ndryshuar gjithë sezonin”. “Kjo është arsyeja pse do të qëndroj me klubin. Tani do të vazhdoj sepse presidenti më tha që e vetmja mënyrë për t’u larguar ishte të paguaja klauzolën prej 700 milionë eurosh, dhe kjo është e pamundur”.
Lojtari argjentinas u shpreh se nuk e ka çuar kurrë ndër mend ta çojë këtë çështje në gjykatë, për t’u larguar me forcë nga klubi, ku ka kaluar gjithë karrierën profesionale. “Nuk do të kisha shkuar kurrë në gjykatë kundër Barçës, pasi është klubi që dua, më ka dhënë gjithçka që kur kam ardhur”.
“Ka qenë një vit shumë i vështirë, kam vuajtur shumë në stërvitje, gjatë ndeshjeve, në dhomat e zhveshjes. Gjithçka u bë shumë e vështirë për mua dhe erdhi momenti kur mendova të kërkoja objektiva të rinj. Kjo nuk erdhi si rezultat i Champions League në ndeshjen kundër Bayern. Ishte një vendim që e mendoja prej kohësh. Ia kisha bërë të ditur presidentit dhe ai gjithnjë më ka thënë se në fund të sezonit mund të vendosja nëse do të largohesha ose do të qëndroja dhe në fund, ai nuk e mbajti fjalën” – shtoi lojtari argjentinas.
Burimi: Sky Sports