Zyrtarizohet projektligji: Sigurimi i mjeteve mund të bëhet me bonus-malus, por jo i detyrueshëm

25/01/2021 11:00 PM 0 komente

Këtë muaj qeveria shqiptare ka depozituar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Dokumenti i paraqitur vjen pas më shumë se pesë vjetësh përpjekjesh dhe përgatitjes së disa drafteve nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, por që asnjëherë nuk kishin marrë miratimin e qeverisë dhe nuk i ishin propozuar zyrtarisht parlamentit.

Projektligji parashikon për herë të parë mundësinë e aplikimit të sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshme të mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, ndryshe nga sa kishte propozuar fillimisht AMF, sistemi bonus malus nuk do të jetë i detyrueshëm dhe aplikimi i tij në projektligj parashikohet si e drejtë e kompanive të sigurimit. Sistemi bonus-malus është sistemi për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Ky sistem nënkupton se drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë dëme mund të paguajnë prim sigurimi më të lartë, ndërsa ata drejtues që nuk shkaktojnë dëme prim më të ulët.

Dokumenti parashikon që afati për trajtimin e dëmeve ndaj personave nga kompania e sigurimit do të jetë 90 ditë, ndërsa afati i dëmtimeve në pronë do të jetë 30 ditë. Megjithatë, për dëmet në vlerë të vogël, deri në 100 mijë, lekë është përcaktuar një afat më i shkurtër prej 14 ditësh. Më tej, shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimit. Projektligji gjithashtu parashikon ngritjen e Qendrës së Informacionit të Sigurimeve të Detyrueshme, e cila ka për qëllim mbajtjen e të dhënave, statistikave të besueshme, standardizimin e praktikave, si dhe sigurimin e pagesës me efiçencë të dëmeve si rezultat i aksidentit rrugor.

Fillimisht, projektligji parashikonte vendosjen e një tavani prej 12% për komisionet e ndërmjetësimit të agjentëve. Por, në variantin që i është propozuar Kuvendit niveli maksimal i komisionit i lihet në kompetencë AMF, që do të rregullojë këtë çështje përmes akteve nënligjore.

Projektligji parashikon një rritje progresive në limitet e përgjegjësive të siguruesve krahasuar me ligjin aktual, por në përmasa më të vogla se ato që kishte propozuar AMF-ja në variantin fillestar të draftit. Nëse AMF-ja propozonte që shuma minimale e përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident të ishte 50 milionë lekë, Ministria e Financave në projektligjin e saj e ka ulur këtë shumë në 22 milionë lekë (me ligjin aktual ky kufi është 20 milionë lekë). Në periudhën 2021-2025 ky limit do të rritet me dy milionë lekë çdo vit, duke arritur në nivelin final prej 30 milionë lekësh në vitin 2025.

Për dëmet e shkaktuara nga një ngjarje sigurimi kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo mjet do të jetë 55 milionë lekë, nga 135 milionë lekë që kishte propozuar AMF-ja. Në rastin e autobusëve dhe kamionëve, kufiri i dëmit do të jetë 150 milionë lekë, nga 270 milionë lekë që kishte propozuar AMF-ja. Sidoqoftë, edhe në këtë rast kufijtë minimalë të përgjegjësisë do të rriten gradualisht me katër milionë lekë çdo vit deri në vitin 2025. /E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of