Ecurinë më të dobët në të ardhurat e mbledhura për vitin që sapo u mbyll e ka patur tatimi mbi fitimin,që për 12- mujorin 2013 rezulton me një rënie të ndjeshme prej -10.3 përqind krahasuar me një vit më parë. Ky rezultat, që bëhet I ditur në raportin fiskal për vititn 2013 të Ministrisë së Financave, reflekton ecurinë e të ardhurave të kompanive të një viti më parë (mbi bazën e së cilës llogariten këstet e parapagimit gjatë vitit në vijim dhe derdhja e tatim fitimit brenda datës 31 Mars 2013 për fitimet e realizuara gjatë një viti më parë.)
Sektori i shërbimeve është kontribuesi më i madh i tatim fitimit, i ndjekur me peshë të njëjtë nga prodhimi dhe transporti. Fitimet e kompanive pothuaj në të gjithë sektorët e ekonomisë kanë pësuar rënie për periudhën 12-mujore, duke e krahasuar me një vit më parë. Rënien më të madhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë e ka shënuar sektori i ndërtimit me -24.3%, i pasuar nga sektori i prodhimit me -16.7%, sektori i transportit me -13.9% dhe sektori i tregtisë me -13.1%. I vetmi sektor me rritje është sektori i Shërbimeve me +0.4%.
Të ardhurat nga taksa vendore mbi biznesin e vogël arritën në 2 miliardë Lekë, me rënie vjetore prej 7.8 përqind, shkaktuar kryesisht prej mbylljes së 3,574 subjekteve (sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve).
Sipas sektorëve të ekonomisë, subjektet që kanë pushuar së kryeri aktivitet ndahen si më poshtë:
•Tregtisë me 1,457 subjekte
•Shërbimeve 1,376 subjekte
•Transportit 472 subjekte
•Prodhimit me 187 subjekte
•Ndërtimit 82 subjekte
Të ardhurat nga taksat nacionale në total për periudhën janë 28.6 miliardë Lekë, në të njëjtin nivel me një vit më parë. Këtu theksojmë ecurinë pozitive të taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin dhe rënien në taksën e rentës minerare, taksën e karbonit, dhe taksën vjetore mbi automjetet të mbledhura nga administrata tatimore të detajuara si më poshtë:
Nga taksa e qarkullimit mbi karburantet janë mbledhur rreth 5.4 miliardë Lekë për periudhën 12- mujore 2013 ose 26.7% më shumë së një viti më parë;
Nga taksa vjetore mbi automjetet, e cila u përgjysmua në nivel në mesin e vitit 2013 janë mbledhur për periudhën rreth 4.1 miliardë Lekë nga 5 miliardë Lekë të një viti më parë. Efekti i vlerësuar ishte rreth 2.6 miliardë Lekë, ndërsa ndikimi real në të ardhura rezulton të jetë shumë më i vogël;
Nga taksa e karbonit janë mbledhur nga administrata tatimore rreth 2.7 miliardë Lekë nga rreth 3.3 miliardë të një viti më parë;
Nga renta minerare janë mbledhur nga administrata tatimore rreth 0.8 miliardë Lekë nga 1.25 miliardë të mbledhura një vit më parë për Janar-Dhjetor, ose -34.2 përqind më pak.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.