Shtëpitë automobilistike europiane po përballen me “një formë asimetrike të konkurrencës” jo vetëm me Kinën, por edhe me subvencionet e makinave elektrike të SHBA-së
Gjigantët europianë të makinave nuk do të kenë shumë kohë për të ristrukturuar operacionet dhe linjat e tyre të produktit për të konkurruar me shtëpitë automobilistike kineze në rritje dhe ashpërsimi i tarifave nuk do të shërbejë për të mbrojtur status quo-në, deklaruan drejtuesit e sektorit në një konferencë të Reuters.
Rregullatorët europianë të tregtisë në Bruksel deklaruan se mund të vendosin taksa të reja për makinat elektrike kineze, në bazë të rezultateve të një hetimi mbi subvencionet e qeverisë kineze.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha disa ditë më parë se Europa do të marrë “një qasje të përshtatur” ndaj hetimit të saj dhe se çdo detyrim i mundshëm i vendosur “do të korrespondojë me nivelin e dëmit”.
Europa do të njoftojë prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike që do të kenë tarifa të përkohshme deri më 5 qershor.
Sipas Rhodium Group, prodhuesit kinezë të makinave, që kanë një avantazh prej 30% ose më shumë në kosto krahasuar me rivalët europianë, zunë 19% të tregut europian të makinave elektrike vitin e kaluar, krahasuar me 16% në vitin 2022.
“Dhe dritarja po mbyllet. Në këndvështrimin tim, kemi dy ose tre vjet. Nëse nuk do të shpejtojmë, do të jetë vërtet e vështirë (për industrinë gjermane) të mbijetojmë” – deklaroi Thomas Schmall, anëtar i bordit të shtëpisë kryesore automobilistike europiane Volkswagen në konferencën Reuters Events Automotive në Mynih.
“Sot nuk është më madhësia që siguron mbijetesën, por shpejtësia” – deklaroi ai për Reuters.
CEO i Stellantis, Carlos Tavares, tha se prodhuesit e automjeteve “nuk kanë shumë kohë” për të përshtatur aktivitetin e tyre dhe varen nga eliminimi i “kaosit normativ dhe burokracive që kemi në oborrin tonë”.
Rritja e eksporteve kineze dhe perspektiva e fabrikave kineze në Europë po detyrojnë shtëpitë automobilistike të kontinentit të vlerësojnë marrëveshje afatgjata me rivalë, të rrisin presionin ndaj furnizuesve për të ulur kostot dhe të intensifikojnë diskutimet me sindikatat europiane mbi të ardhmen e fabrikave dhe të vendeve të punës.
Disa nga këto taktika, megjithatë, po dështojnë.
Javën e kaluar, Renault dhe VW ndërprenë bisedimet për prodhimin e makinave elektrike me kosto të ulët, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi vendin e prodhimit.
Shtëpitë automobilistike europiane po përballen me “një formë asimetrike të konkurrencës” jo vetëm me Kinën, por edhe me subvencionet e makinave elektrike të SHBA-së, deklaroi për Reuters, CEO i Renault, Luca de Meo.
“Në fund, gjëja më e mirë që mund të bëni është të jeni konkurrues”.
Kostot e punës
Ulja e kostove të punës nuk ka qenë kurrë e thjeshtë në Europë, ku sindikatat kanë mekanizma politikë dhe ligjorë për të ndalur pushimet nga puna.
“Cilësia e dialogut që kemi me sindikatat europiane është mjaft e lartë – tha Tavares. – Ata e shohin kurthin dhe e kuptojnë se po përpiqemi të menaxhojmë dhe lundrojmë në këtë situatë”.
Kërcënimi i shkurtimit të vendeve të punës në sektorin automobilistik ka mobilizuar politikanët europianë, si kryeministren italiane, Giorgia Meloni, e cila kërkon që Stellantis të rrisë prodhimin vjetor në Itali në 1 milion makina, nga rreth 750.000 në vitin 2023, në vend që ta zhvendosë prodhimin në shtete me kosto të ulët.
Fiat Chrysler, e cila u bashkua në vitin 2021 me prodhuesin francez PSA për të krijuar Stellantis, prodhoi për herë të fundit më shumë se 1 milion makina në vend, duke përfshirë makina pasagjerësh dhe automjete të lehta tregtare – në vitin 2017.
Që nga bashkimi, Stellantis e ka shkurtuar fuqinë punëtore në Europë me 13%, duke e çuar në rreth 125,000 persona, kryesisht nëpërmjet pushimeve vullnetare nga puna të rëna dakord me sindikatat, ku më shumë se gjysma ka qenë në Itali.
Volkswagen synon të shkurtojë kostot me 10 miliardë euro brenda vitit 2026 dhe disa prej këtyre kursimeve mund të arrihen nëpërmjet daljes së parakohshme në pension të punëtorëve, tha drejtuesi financiar Arno Antlitz në konferencën Reuters Events të enjten e javës së kaluar.
“Në veçanti, fabrikat tona në Gjermani duhet të përgatiten për një konkurrencë më të fortë”, – tha Antlitz.
Çmimet konkurruese
Stellantis do të nxjerrë në treg një makinë të vogël elektrike Citroen me çmim 20.000 euro, për të cilën Tavares tha se është “me çmimin e duhur” për të konkurruar prodhuesit kinezë të makinave, të cilët kanë avantazh të dukshëm të kostove krahasuar me rivalët europianë, falë bashkëpunimeve midis kompanive.
Drejtuesi i blerjeve globale të Stellantis, Maxime Picat, deklaroi në një intervistë në Mynih se shtëpia automobilistike po nxit furnitorët e saj të përputhen me kostot e furnizuesve kinezë, pjesërisht duke përdorur të dhënat e mbledhura nga marrëveshja e saj me Leapmotor të Kinës.
Tarifat mund të zvogëlojnë ose eliminojnë përkohësisht avantazhin e kostos që marrin shtëpitë automobilistike kineze nga zinxhirët e tyre të furnizimit.
Por, prodhuesit gjermanë të makinave paralajmërojnë se kjo mund të ketë një çmim të lartë, nëse Kina shkon përtej kërcënimeve për të vendosur taksa mbi konjakun francez dhe të hakmerret me tarifat për Mercedes-Benz, VW ose BMW që prodhohen në Europë.
Mercedes gjeneron rreth 16% të të ardhurave të tij globale në Kinë.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.